Megjithë koston e lartë, Kosova e varfër vazhdon të shkollojë numër të madh mjekësh dhe personel tjetër mjekësor. Sivjet, në bazë të rezultateve të regjistrimit të studentëve në vitin akademik 2023-2024, në Fakultetin e Mjekësisë, Dega e Mjekësisë së Përgjithshme janë regjistruar 836 studentë, në Stomatologji 327 studentë, në Infermieri 246 sish dhe në Farmaci 167 studentë. Këto janë shifra goxha të larta për Kosovën me rreth 1, 8 milionë banorë. Por, në rrethanat ekzistuese të braktisjes së Kosovës nga personeli mjekësor të të gjitha profileve dhe mundësive më të mëdha në saje të lehtësirave që po aplikojnë shtetet e pasura të Perëndimit për mjekët nga shtetet e varfëra dhe shtetet në zhvillim, ekziston frika reale, se do të vazhdojmë të shkollojmë personel mjekësor, me kosto të lartë, për Evropën e pasur.
Mehmet GJATA
Shqipëria, e cila, pothuaj njëjtë sikundër edhe Kosova, ka ca vite që po i vuan dhe po i ndjen shumë pasojat e ikjes masovike të mjekëve, më në fund, me qëllim dhe synim për të parandaluar “hemoragjinë” e braktisjes së vendit nga kuadro mjekësore, ka paralajmëruar masa konkrete që do t’i ndërmarrë në vitet në vazhdim. Studentët që do të zgjedhin të studiojnë Mjekësi në Shqipëri, këtë vit do të duhet që përtej viteve të shkollës, të punojnë edhe 5 vjet për të marrë diplomën. Ky është vendimi i qeverisë, si një mënyrë për të frenuar largimin e bluzave të bardha nga Shqipëria.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se Mjekësia është një profesion ndryshe nga të tjerët, pasi shteti financon formimin e mjekëve të rinj, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve të vet.
“Nuk paguan populli shqiptar taksa që mjekët që formohen me tarifa simbolike dhe në universitet që mbahet nga taksat e popullit shqiptar, të ikin që ditën e parë. Ama patjetër që nuk u ndalohet e drejta atyre që janë aktualisht në universitet që të largohen në rast se duan të largohen, por në vitin apo në vitet e mbetura do duhet të paguajnë një tarifë tjetër, tarifë e cila do përcaktohet natyrisht nga universiteti sipas ligjit, por e cila mbulon plotësisht kostot dhe nevojën që ka universiteti për të formësuar një student”, tha kreu i qeverisë shqiptare me këtë rast.
Rreth funksionimit të skemës së masave për studentët e vitit të dytë deri në vitin e gjashtë në Shqipëri, janë paraparë të gjitha detajet.
Në anën tjetër, në Kosovë, që ekzistojnë të njëjtat probleme rreth kësaj çështjeje, ende nuk është ndërmarrë ndonjë masë konkrete për frenimin e ikjes së mjekëve nga Kosova, të cilët, siç dihet përgatiten dhe shkollohen në Kosovë, dhe me mjete financiare të taksapaguesve të varfër kosovarë. Me fjalë të tjera, ikja e mjekëve dhe infermierëve nga Kosova, vazhdon të jetë një nga problemet më shqetësuese dhe tronditëse me përmasat që ka marrë, në shoqërinë tonë.
Mjekët vazhdojnë të ikin, ta braktisin Kosovën, në të gjitha rastet kur e kanë mundësinë ta bëjnë këtë. Dhe tani, kanë raste të shumta të gjetjes së punës në profesionet e mjekësisë në shumicën e vendeve të fuqishme financiarisht të Europës. Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, vetëm në këta tre muajtë e parë të vitit 2023, 52 mjekë e kanë lëshuar vendin. Me këtë ritëm, parashikimet për të ardhmen e shëndetësisë kosovare duken të errëta.
Ndërkohë, në Kosovën e varfër skajshmërisht, vazhdon ritmi i pandalshëm i kuadrove mjekësore-mjekëve dhe infermierëve, përkundër kostos evidente të lartë të shkollimit të tyre dhe përgatitjes 5-6 vjeçare të profesionit të mjekut.
Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, thotë se shkollimi për përgatitjen e një mjeku ka kosto hiç më pak se 200 mijë euro.
“Një mjek specialist, prej fillimit të shkollimit e deri të përfundimi, i kushton shtetit tonë me siguri rreth 200 mijë euro. Fatkeqësisht këtë kosto po e bajmë ne, e po përfitojmë tjerët”, ka thënë Sejdiu për medien e vendit.
Njohësit e rrethanave, po kështu kalkulojnë kosto të lartë të shkollimit të mjekëve në republikën tonë, sado që ata apostrofojnë shifra ca më të vogla se sa kreu i Odës së Mjekëve. Sipas tyre, për ta përgatitur një mjek, Kosova duhet të investojë së paku 110 mijë deri në 150 mijë euro. Dhe, megjithë këtë kosto, Kosova e varfër vazhdon të shkollojë numër të madh mjekësh.
Sivjet, në bazë të rezultateve të regjistrimit të studentëve në vitin akademik 2023-2024, në Fakultetin e Mjekësisë, Dega e Mjekësisë së Përgjithshme janë regjistruar 836 studentë, në Stomatologji 327 studentë, në Infermieri 246 sish dhe në Farmaci 167 studentë. Këto janë shifra goxha të larta për Kosovën me rreth 1, 8 milionë banorë.
Madje, po të llogariten bashkarisht të gjitha fakultetet e tjera të Universitetit të Prishtinës nuk kanë sudentë të regjistruar sa në Fakultetin e Mjekësisë. Dhe, kur dihet fakti se në studimet e fushave të mjekësisë shkojnë gjithmonë studentë të shkëlqyeshëm, me nota të larta nga shkolla e mesme, realisht pritet që pjesa dërmuese e studentëve të regjistruar në fakultetin e mjekësisë brenda 5-6 vjetëve, të mbarojnë studimet. Në këtë mënyrë, po të qëndronin në Kosovë pjesa dërmuese e gjithë kësaj armate mjekësh dhe të personelit mjekësor (këtu nuk po llogarisim fare numrin e studentëve në Kolegjin privat të AAB-së, degët e profileve mjekësore – Stomatologji, Infermieri dhe Radiologji dhe në Kolegjin privat të UBT-së , Infermieri, Stomatologji, Farmaci, Teknikë dentar, Teknikë të Anesteziologjisë dhe Teknikë të Radiologjisë), do të ishte një numër I imponueshëm kuadrosh, mbase edhe i mjaftueshëm për përkujdesje shumë më të mirë për shëndetin e popullsisë së Kosovës. Por në rrethanat ekzistuese të braktisjes së Kosovës nga personeli mjekësor të të gjitha profileve) dhe mundësive më të mëdha në saje të lehtësirave që po aplikojnë shtetet e pasura të Perëndimit për mjekët nga shtetet e varfëra dhe shtetet në zhvillim, ku bën pjesë Kosova, ekziston frika reale, se do të vazhdojmë të shkollojmë personel mjekësor, me kosto të lartë, për Evropën e pasur.
“Në kushtet kur Gjermania e para dhe vendet e tjera të pasura janë duke luftuar me demografinë e tyre, me plakjen e popullsisë së tyre, me nevojën gjithmonë e më të madhe për burime njerëzore të freskëta që duhet të vijnë nga jashtë dhe ku janë bërë stacion i ndalesës së fundit për shumë profesionistë, për shumë njerëz të kualifikuar të të gjitha fushave dhe në këtë rast për mjekët, ne e kemi absolutisht të domosdoshme të ndërmarrim këtë hap, që është hapi më normal dhe hapi më i lehtë i mundshëm. Kjo do të thotë se çdo student i mjekësisë që do hyjë në Universitetin e Mjekësisë do të duhet paraprakisht të njihet me faktin që mjekësia, studimet i ka aq sa janë dhe pastaj për t’u pajisur me diplomë duhen dhe 5 vjet në shërbim të këtij populli”, kishte theksuar kryeministri shiptar Edi Rama, me rastin e marrjes së vendimit për frenimin e ikjes së mjekëve.
Në Kosovë, ndërkohë, ende nuk dihet se si do të veprohet në aspektin e ndërmarrjes së ndonjë hapi për të parandaluiar aq sa është e mundshme ikjen e personelit mjekësor. Anëtari i Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, deputeti Bekim Haxhiu, thotë për medie se “përllogaritjet tregojnë se janë 24 vjet që nevojiten për ta shkolluar një mjek, specialist të një fushe të mjekësisë. Këto 24 vjet në tërësi mund të kushtojnë diku prej 120 mijë deri në 150 mijë euro”.
Prandaj, shtrohet pyetja e natyrshme se si do të mund të parandalonte Kosova ikjen e personelit mjekësor?
Sipas deputetit Bekim Haxhiu, kjo çështje mund të rregullohet me ligj.
“Kam kërkuar prej vitit 2012 që kur të bëhet kontrata për specializantë ato të jenë të saktësuara dhe të kushtëzuara që pas përfundimit të shkollimit të specializimit, ku shteti po investon në ta, atëherë të obligohen të punësojnë në institucione publike 7-10 vite ose në të kundërtën nëse largohen nga Kosova të paguajnë dyfishin e investimeve që ka bërë shteti”, ka thënë saktësuar Haxhiu idetë se si mund të parandalohet ikja e mjekëve nga vendi.
Edhe Pleurat Sejdiu, pak a shumë mendon se nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër “pos me lidhë kontratë me mjekët, duke saktësuar se “nëse do të largohesh nga Kosova, duhet paguar një shumë të caktuar shtetit si kompenzim”. Sado që me masa administrative, çfarëdo qofshin ato, do të jetë shumë vështirë të parandalohet ikja e personelit mjekësor, diçka doemos në këtë aspekt duhet më në fund të provohet të bëhet edhe në Kosovë.
Ndryshe, beteja e “humbur” me mjekët ikanakë, do të vazhdojë ta tronditë vendin, dhe kosovarët e varfër do të vazhdojnë të paguajnë shkollimin e mjekëve për nevojat e Evropës, duke mbetur këtu, pa personelin e nevojshëm mjekësorë. Sepse, nuk duhet nënvlerësuar as mungesën e numrit të mjekëve kosovarë, që për çdo vit dalin në pension. Te ne nuk kam hasur në ndonjë statistikë të saktë të numrit të mjekëve të pensionuar brenda një viti, por në Shqipëri, dihet se brenda një viti rreth 3% e mjekëve dalin në pension, afërsisht 140 sish, ndërsa diplomohen 250 mjekë të përgjithshëm. Dhe “kur dihet se një pjesë e mjekëve të diplomuar ikin jashtë vendit, ngelen shumë pak për të mbushur hapësirat e krijuara ose për të përmirësuar raportin mjek për banor”, alarmojnë ekspertët shqiptarë të politikave shëndetësore.
Aktualisht, në Shqipëri, janë të punësuar në sektorin publik 1.9 mjekë për 1000 banorë, një standard shumë më i ulët se rajoni i Ballkanit, ku ky tregues është 2.6 dhe në vendet e zhvilluara – 3.6.
Teksa situata po përkeqësohet, qeveria po synon të vërë në punë disa mekanizma “detyrues” për studentët në Fakultetin publik të Mjekësisë. Një projektligj që po diskutohet në Kuvendin e Shipërisë synon të fusë instrumentin e kontratës për studentët në Fakultetin publik të Mjekësisë. Projekti parasheh se studentët duhet të punojnë deri në pesë vite pas përfundimit të studimeve në Shqipëri, në të kundërt ata do duhet t’i paguajnë vetë studimet të cilat janë rreth 6300 euro në vit, ose rreth 38 mijë euro për të gjithë periudhën 6-vjeçare të studimeve. Ata që do të pranojnë kontratën, përjashtohen nga tarifat e studimeve.
Mirëpo, ekspertë të sektorit, vërejnë se qeveria ka ende shumë hapësira për të përmirësuar në sistemin shëndetësor, pa shkuar te kontratat, të tilla si pagat për stafet në shëndetësi, përmirësimi i kushteve të punës, meritokracia në karrierë dhe mbrojtja ligjore. Në Kosovë, ka edhe më shumë hapësira për t’u përmirësuar në sistemin shëndetësor nga ana e institucioneve dhe nga pushteti aktual. A do t’i bëjë këto përmirësime qeveria aktuale, apo do të vazhdojë të sodisë nga larg ikjen e mjekëve nga vendi, mbetet të shihet. Mjekët me përvojë shumëvjeçare në Kosovë mendojnë se faktorët e largimit të mjekëve nga Kosova janë shumë kompleks, dhe nuk është vetëm pagesa shtytësi kryesor i ikjes së tyre. Sipas tyre, krahas pagës së vogël, edhe mjekët kosovarë ikin nga kushtet më të mira të punës jashtë vendit, që krijojnë më pas një mundësi për karrierë dhe mbrojtje ligjore më të mirë. /Buletini Ekonomik/