Edhe tregjet e gjelbra i presin mërgimtarët me çmime të reja

Në tregjet e gjelbra këtyre ditëve kanë dominuar, gjithsesi, specat dhe domatet, por që të dyja këto produkte bujqësore, tashmë të arritura edhe nga kopshtijet e perimtarëve të vendit, janë tregtuar me çmime të reja, ndjeshëm të ngritura, madje në përqindje jo të vogël, krahasuar me dhjetë e më shumë ditë më parë.

Buletini Ekonomik

Në tregjet e gjelbra të Prishtinës, çmimet e shumicës së produkteve bujqësore, edhe nga vendoret edhe nga ato të importit, që nga java e kaluar, por, sidomos që nga e hëna (7 gusht 2023), edhe pse është mu piku i sezonit të perimeve, krahasuar më disa ditë më parë, kanë qenë ndjeshëm me të larta.

Në tregjet e gjelbra këtyre ditëve kanë dominuar, gjithsesi, specat dhe domatet, por që të dyja këto produkte bujqësore, tashmë të arritura edhe nga kopshtijet e perimtarëve të vendit, janë tregtuar me çmime të reja, ndjeshëm të ngritura, madje në përqindje jo të vogël, krahasuar me dhjetë e më shumë ditë më parë.

Reklama e sponzorizuar

Specat, që tani kanë vërshuar nga kopshtijet e vendit, kryesisht nga rajoni i Dukagjinit, të llojit “Somborka”, që rëndom në këtë fillim gusht deri në fund të shtatorit dominon tregjet kosovare, dje në Tregun kryesor të Gjelbër të Prishtinës (te ndërtesa e RTK-së), por sipas vrojtimeve të Buletinit Ekonomik, edhe në tregjet e tjera të kryeqytetit, tregtoheshin me çmimin 1 e-1,20 euro për kilogram, ose të amballazhuar në thasët e vegjël me çmimin 1,30-150 dhe 1,70 euro.

Ky lloj i specit, i cili me vite të tëra kultivohet gjithandej nëpër bashqet e Kosovës dhe është shquar gjithmonë për nga cilësia, sivjet, sipas sasive të ekspozuara në shtandet e tregjeve të gjelbra, por edhe në markete dhe supermarkete, ka cilësi nën mesataren, dhe në raste edhe të nivelit që, së paku deri sivjet, konsumatori kosovar nuk është mësuar të hasë në treg. Ndërsa, një kilogram i specit të djegës, që vetëm para disa ditësh tregtohej me çmimin më së shumti 1,5 euro, pardje dhe dje (7 dhe 8 gusht) kushtonte 2, 5 euro.

Në interesimin e reporterit të Buletinit Ekonomik – se pse ky ndryshim kaq i madh i çmimit të këtij speci, tregtari ka përgjigjen ‘maje gjuhe’: “Po shitet”.

Ndërsa një tregtar ngjitas me të, thotë se këtyre ditëve vetëm banorët e këtushëm, ata që jetojnë në Kosovë, pyesin për çmim.

“Mërgimtarët që tani janë kthyer në numër të shumtë në vendlindje, nuk pyesin fare për çmimin. Posa t’i pëlqej malli, vetëm deklarojnë sasinë e kërkuar për ta blerë”, thotë ai.

Prandaj janë ngritur çmimet. Por, sipas tij, në çmimet e reja ka ndikim edhe sasia e vogël e specit të djegës që akoma vie nga Maqedonia, Greqia dhe Turqia.

Edhe domatet, sidomos ato që vijnë nga kopshtijet vendore, këtyre ditëve kanë çmime ndjeshëm të ngritura. Ato pardje dhe dje kushtonin nga 1,2 deri në 1,5 euro. Mirëpo, në shumë shtande gjendet edhe domatja me çmim 70-80 centë, që në dukje të jashtme imponohet si mjaft cilësore, por që nuk preferohet shumë nga konsumatorët.

Karrota, që deri para pak ditësh ka kushtuar 60-70 centë kilogrami tani tregtohet me 1 euro, ndërsa trangujt, që me ditë të tëra gjendeshin edhe me çmimin 50-60 centë për një kilogram, dje kishin çmimin fiks në të gjitha shtandet e tregut- 1 euro kilogrami. Kurse, qepët, sado që tani dominojnë ato të perimtarëve vendorë, sidomos të rajonit të Dukagjinit, vazhdojnë të kenë çmim të lartë. Një kilogram i qepëve të prodhuara në arat e Kosovës tregtohet nga 80 centë deri në 1 euro.

Çështje e veçantë dhe për ta diskutuar mbetet çmimi i spinaqit, i cili vazhdon me ditë të tëra të ketë çmimin enorm të pakuptueshëm prej 5 e më shumë euro për kilogram. Një tregtar, që në shtandin e tij, brenda hapësirës së Tregut të Gjelbër të Prishtinës, e kishte ekspozuar një sasi të spinaqit, në pyetjen për çmimin, me gjasë edhe paksa me nerva nga largimi i menjëhershëm i konsumatorëve me të dëgjuar çmimin, i përgjigjet blerësit “E ke për ta blerë, apo vetëm sa për të pyetur për çmimin”.

Tregtarët, nuk e fshehin se ka fare pak blerës të spinaçit. Sipas tyre, edhe mërgimtarët hezitojnë me të dëgjuar këtë çmim. Çmimet të ngritura në tregjet e gjelbra të kryeqytetit dje janë evidentuar edhe te produktet e tjera të shumta bujqësore. Vezët, nga 2 dhe 2,5 euro sa kanë kushtuar para ca ditësh, kushtojnë 2,7 euro. Mbase vetëm shalqini ka një rënie të vogël të çmimit, sikundër edhe pjepri, i cili shitej në shumë shtande me copë. Një pjepër i madhësisë mesatare, por shumë cilësor kishte çmimin 1 euro, ndërsa, ata ca me të vegjël tregtohen edhe me 50 centë. /Buletini Ekonomik/