Fillon rimbursimi për 10%-shin e tërhequr nga TRUST në pandemi, për këtë kategori të qytetarëve

Trusti (fotografi ilustruese)

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se ka transferuar në llogarinë e TRUST-it mjetet për rimbursimin e një pjese të kontribuesve, të cilët kanë tërhequr kontributet pensionale gjatë periudhës dhjetor 2021-prill 2022, sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Shpërndarja nëpër llogari të 12,090 kontribuesve është realizuar nga TRUST gjatë ditës së sotme, në përputhje me metodologjinë e dakorduar në mes të MFPT dhe TRUST, njofton ministria.

Reklama e sponzorizuar

“Rimbursimi këtë vit është bërë për personat të cilët kane dalë apo pritet të dalin në pension deri në fund të vitit 2023. Rimbursimi do të vazhdojë vitin e ardhshëm për personat që pritet të dalin në pension gjatë vitit 2024 e kështu me radhë, deri në përmbylljen e plotë të rimbursimit për të gjitha gjeneratat e tjera deri në vitin 2028”, thuhet në njoftim.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të sigurojë shumën vjetore të rimbursimit, ndërsa TRUST do të bëjë shpërndarjen e shumave direkt tek qytetarët. Pra, për rimbursim nuk do të ketë nevojë për aplikim, pasiqë rimbursimi realizohet automatikisht nga TRUST, ka shpjeguar ministria.