Në Forumin Strategjik të Bledit është përshëndetur arritja e Republikës së Kosovës për mbulueshmëri 100 për qind të territorit me internet të shpejtë, duke e vendosur kështu Kosovën të parën në rajon dhe në top-listën e vendeve evropiane me mbulueshmëri interneti.
Kështu thuhet në një komunikatë për media lëshuar nga Ministra e Ekonomisë dhe Financave. Në Bled ka marrë pjesë zëvendësministri kosovar i Ekonomisë, Getoar Mjeku, i cili ka folur në dy panelet ministrore për “Konceptin e digjitalizimit dhe për Hartëzimin e performancës digjitale në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Gjatë paneleve, zëvendësministri Mjeku ka shpalosur punën dhe arritjet e Republikës së Kosovës sa i përket avancimit të transformimit digjital.
Ai ka ndarë synimet kyçe të Qeverisë të caktuara përmes Agjendës Digjitale, siç është digjitalizimi i shërbimeve dhe përmirësimi i këtyre shërbimeve, ndër të tjera edhe duke mësuar nga praktikat më të mira të shteteve tjera.Zëvendësministri Mjeku ka theksuar se sipas raportit “E ardhmja e TI-së” 2023 të publikuar nga “Emerging Europe”, Kosova renditet e para në Emerging Europe për numrin e studentëve të fushave të TIK-ut në 100,000 banorë.
“Për më shumë, 85% e kompanive të sektorit të TIK-ut në vend i eksportojnë shërbimet e tyre|, ka thënë Mjeku, i cili ka folur për nevojën e këtyre kompanive për fuqi punëtore të re, të trajnuar e të aftësuar.
Mjeku ka ndarë punën që është duke u bërë për trajnimin e fuqisë së re punëtore në sektorin e TIK-ut për t’i përgatitur për kërkesat e tregut dinamik, përfshirë këtu trajnimin e 1,500 të rinjve nga Ministria e Ekonomisë me përkrahje të Bashkimit Evropian për fusha të ndryshme të TIK-ut, trajnimin e 2,000 të rinjve për aftësi digjitale përmes projektit KODE, trajnimet e 900 të rinjve të mbështetura nga MASHTI, si dhe bursat për vajzat në fushën e STEM në vlerë prej 2 milionë euro nga MASHTI.
Krahas zëvendësministrit Mjeku, në panele kanë marrë pjesë edhe ministrja e Sllovenisë, Emilija Stojmenova, ministri i Kroacisë, Ivan Malenica, ministri i Bosnjës dhe Hercegovinës, Edin Forto, ministri i Maqedonisë së Veriut, Azir Aliu, si dhe drejtoresha e portalit e-Albania, Nevila Repishti.
Pjesëmarrësit ndër të tjera kanë diskutuar mbi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit rajonal për të përmirësuar infrastrukturën, shërbimet si dhe aftësitë digjitale në të gjithë rajonin duke konsideruar rëndësinë e sektorit të TIK-ut. Thuhet në njoftimin e MEF.