Komuniteti i biznesit: Partneriteti publiko-privat, hap rrugë për investime

Kriza politike në Kosovë, vazhdon të lë nën hije zhvillimin ekonomik dhe lobimin për investime të huaja në Kosovë. Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se një partneritet i mirëfilltë publiko-privat, hap rrugë konkrete për lobim dhe thithje të investimeve të huaja.

Kosova  ka politika të mira fiskale, por mungon një strategji më e ashpër për lobim për investime në Kosovë. Kështu vlerëson për Radio Kosovën kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, duke thënë që duhet t’i hapë rrugë sektorit privat, që të marrë rolin e tij në lobimin për thithjen e investimeve të huaja në Kosovë.

“Si Kosovë kemi infrastrukturën rrugore më të mirë, politikën fiskale e kemi më të mirë, tatimet i kemi më të ulëta në rajon. Mungon një agresivitet i institucioneve tona për të lobuar për investimet. Unë nuk po mund të pajtohem dhe e kam ofruar kapacitetin e krejt Odës Ekonomike, krejt mundësitë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, që OEK të bëhet partnere dhe sektori privat të marrë rolin e vet në lobimin për thithjen e investimeve të huaja, dhe ndërkohë ne duhet të shohim të rrisim   prodhimin, sepse vetëm prodhimi sjell  rritje kualitative të ekonomisë së vendit dhe ulje të papunësisë”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Edhe kryetari i Odës Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, thotë për Radio Kosovën se ndërhyrja politike vazhdon të jetë e pashmangshme në ekonomi.

“Shqetësimet e OEA-së dhe të sektorit privat gjatë muajve të fundit ku do të theksoja pashmangshëm ndërhyrjen politike në ekonomi dhe si qëndrim i OEA ndërhyrjen e arbitrare të institucioneve në punën e sektorit privat dhe ajo që është më e rëndësishëm është edhe mungesa e dialogut publiko – privat. Ka mbi 2 vite që nuk mblidhet këshilli kombëtar i zhvillimit ekonomik, siç është quajtur më herët. Nuk është shqetësim vetëm i OEA për mungesë të dialogut, edhe gjatë ditëve të kaluara ka pasur reagime të ndryshme nga OJQ për një sërë aspektesh të ndryshme të qeverisjes, që nuk marrin parasysh as rekomandimet dhe as nuk përfshihen në proces të konsultimeve akterët jo politikë”, tha ai.

Për lobim të investimeve  të huaja, duke i dhënë një shtytje zhvillimit ekonomik, është mese e rëndësishme partneriteti publiko-privat, thotë për Radio Kosovë, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu .

“Duhet një dialog i mirëfilltë dhe duhet vërtet frymëmarrje për sektorin privat, ku kjo frymëmarrje mund të arrihet vetëm përmes partneritetit publiko-privat dhe përmes implementimit të projekteve kapitale që janë mese të rëndësishme për sektorin privat në Kosovë”, tha ai.

Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë theksojnë se ngjarjet dhe zhvillimet e fundit në sferën politike, nuk janë pasqyra më e mirë për Kosovën, për t’i  bindur investitorët e huaj që kapitalin e tyre ta sjellin në Kosovë.