Mijëra kosovarë që punuan në Afganistan e Irak në dy dekadat e fundit, tani po përballen me probleme shëndetësore e në kërkim të dëmshpërblimit për punën e tyre në zona lufte.
Ngadhjim Avdyli
Agimi* kujtimin për zbritjen e parë në aeroportin e Dubait e nis me vapën që gati e kishte lënë të ngufatur. Mërzinë dhe dyshimet e asaj dite të fillimit të pranverës 2010 i ka kujtime edhe më të fuqishme. Ai nënshkroi për një kompani ndërkombëtare që ujdiste nevojat e ushtrisë amerikane brenda kampeve të saj në Afganistan.
Nëpër çdo skutë të bazës më të madhe ushtarake atje, ai do voziste kamionin e mbeturinave. Në letër puna i’u duk jo aq e zorshme, dhe do paguhej mirë – më e rëndësishmja, puna s’iu duk me aq rrezik. Ama, Agimi* sa po priste aeroplanin tjetër drejt kampit ‘’Bagram’’ gati u ngufat nga një mërzi e madhe.
‘’U mërzita shumë [porsi zbrita në aeroport], rashë krejt për toke. Mu kujtu çika, dojsha m’u kthy’’, kujton Agimi*. ‘’S’e disha as ku jam t’u shku’,” rrëfen ai për Buletinin Ekonomik.
Pas më shumë se dy dekadave martesë, në vitin 2004, Agimi* për herë të parë u bë me fëmijë. Nga vajza asnjëherë s’ishte larguar më shumë sesa ”orët e punës së një dite’’. U ndje egoist, anipse kosovarët tjerë me të cilët udhëtonte tentonin ta bindin për të kundërtën. Stresi që ‘’kurrë s’e kom përjetu [në atë masë më herët]’’ dhe si duhanxhi i moçëm nisi të lypte hapësirë ku mund të pinte duhan.
Invazioni i ushtrisë amerikane në Afganistan nisi më 8 tetor 2001. Skenari do përsëritej më 2003 në Irak. Ushtria kontraktoi kompani ndërkombëtare, kryesisht amerikane, për nevojat e saja brenda kampeve. KBR (Kellogg Broën & Root), Fluor Group, Ecolog dhe Dyncorp – me kompani tjera të nënkontraktuara – nisën në vitin 2002 të punësonin kosovarë.
Para se Agimi* të nisej për në Afganistan, kushërira e tij kishte disa vite pune atje. Bile ishte ajo që i sugjeroi atij të aplikonte për punë atje, si dhe e ndihmoi të plotësonte aplikimin. Ditën kur Limani po priste të nisej për Afganistan, kushërira po kthehej në Kosovë për pushim. Aeroporti i Dubait ishte ndalesa e fundit e punëtorëve para nisjes drejt bazave në zonat e luftës.
Dy kushërinjtë krejt rastësisht u takuan në aeroport atë fillimpranverë.
‘’Po kthena’’ ia priti me të parën, Agimi*.
‘’Shko hatri çikës, provoje’’, ia priti ajo pa arritur ta përshëndeste.
‘’S’po muj’’, ia ktheu ai.
‘’Shko mbledhe naj pare, hatri çikës, e tani kthehu, provoje’’, insistonte duke e ditur se mallin e kishte për çikën.
Përderisa Agimi* s’mund të fliste, kushërira vazhdonte të fliste.
‘’Ti e di sa e shtirë u ba me mbledhë pare në Kosovë’’, thoshte ajo.
Vazhdoi t’i kujtonte llafet se kur nisën të mbushnin aplikimin për punësim qëllimi i tij ishte të grumbullonte ca para për vajzën e tij. Tani i kujtoi përvojën e tij të punës brenda një baze ushtarake dhe që ‘’s’o qaq kijamet [përvoja aty]’’, si dhe ‘’çdo tre-katër muaj ki pushim e vjen në Ferizaj’’.
Agimi* ishte punësuar qysh në vitin 2000 në kampin e ushtrisë amerikane ‘’Bondsteel’’ në Ferizaj, ku punoi deri më 2010. Dy vitet e para u pagua rreth 2 mijë euro në muaj. Tani nisi rënia drastike e pagës. Shumicën e viteve të shpenzuar aty, ai u pagua rreth 300 euro në muaj.
‘’Për 10 vjet as gjysmë banesa nuk kisha mrri me ba’’, sot Agimi* kujton ditën në aeroportin e Dubait dhe që e ndihmoi të ndryshonte qëndrim. Aeroplanit drejt Afganistanit i hipi me qëllim të siguronte një banesë dhe të grumbullonte para që një ditë vajza e tij të mund të studionte. Rrugëtim që do i sjellte shumëçka në jetën e tij dhe kujtimin që e kujton ‘’si sot’’ kur pyetet rreth tij.
Mijëra histori si të Limanit
Institute dhe institucione vendore, ndër vite, kanë deklaruar se rreth 7-8 mijë kosovarë kanë punuar në dekadën e parë të invazionëve në Afganistan dhe Irak. Kohëpaskohe numri është ulur e ngritur, por asnjëherë rekrutimet e punëtorëve nga Kosova s’kanë tejkaluar intensitetin sikur atë periudhë. Ndërlidhja është me politikat e qeverive amerikane për tërhqeje të trupave ushtarake nga aty.
Mirëpo, sadokohë që ekzistonte mundësia ekonomike kosovarët e kapën mirë atë.
Buletini Ekonomik përgjatë korrikut 2023 ka biseduar me mbi 10 të punësuar kosovarë që punuan, në periudha të ndryshme, në kampet amerikane. Gjithë prej tyre kanë theksuar se shumica e kolegëve kosovarë ishin nga Ferizaj dhe më shumë se gjysma ishin që dikur kanë punuar në kampin ‘’Bondsteell’’ afër Ferizajt.
Ata ndërlidhjen e bëjnë të shkurtër; shumë prej eprorëve amerikanë u zhvendosën me punë në Afganistan e Irak. Punëtorët mbajtën lidhje dhe morrën referenca prej tyre. Kompanitë rekrutuese donin punëtorë me përvojë pune në baza ushtarake, si dhe, më e rëndësishmja i morrën parasysh rekomandimet e amerikanëve me pozita të larta në menaxhim të kampeve ushtarake.
Pagat mesatare ishin rreth 4 mijë dollarë në muaj; 12 orë punë në ditë për 7 ditë të javës (84 orë punë në javë).
Nën trysni ekonomike, shumë kosovarë bashkëpunuan me kompani vendore që insistonin se mund t’i dërgonin kosovarët atje për punë në këmbim të pagës së parë që merrnin atje.
Një hulumtim i vitit 2011 nga Instituti GAP paraqiste se Kosova ishte e rënditur lartë për nga punëtorët së paku në një kompani – gjatë dekadës e vlugut të punëtorëve në bazat amerikane atje – në kompanitë amerikane në Afganistan dhe Irak.
‘’Flour Group ka të punësuar rreth 13.000 punëtorë nga vendet e ndryshme të botës, udhëhequr nga SHBA me mbi 5.200 punëtorë dhe India me rreth 2.100 punëtorë. Punëtorët nga Ballkani gjithashtu kryesojnë në listën e të punësuarve në këtë kompani, kështu Maqedonia e veriut dhe Bosnja kryesojnë në numrin e të punësuarve në rajon, të pasuar nga Kosova’’, thuhet në raport.
Instituti Gap theksonte se prej vitit 2002 deri 2009, rreth 50 milionë dollarë në vit janë paguar gjithë kosovarët e punësuar në Afganistan dhe Irak. Shifër kjo që për çdo vit pasardhës do ulej ndjeshëm, për shkak të rënies së numrit të punëtorëve, por që mbetej tek milionët vit-pas-viti.
Banka Qëndrore e Kosovës njofton se vetëm në vitin 2015 punëtorët kosovarë ishin paguar mbi 20 milionë euro. Të pyetur nga Buletini Ekonomik për shifrat për vitet e fundit, BQK nuk ka kthyer përgjigje.
Një prej kritikave ndaj institucioneve shtetërore ka qenë se nuk janë mbajtur të dhëna periodike të këtyra të ardhurave, e rrjedhimisht nuk ka pasë orientim të tyre për zhvillim të përgjithshëm ekonomik.
Rreziku për jetë dhe pasojat me shëndetin
Përfitimi individual financiar i kosovarëve të punësuar në zonat e luftës në Lindjen e Mesme ishte i madh, por edhe me ndikim në shëndetin fizik e psiqik të tyre.
‘’Ma banën [punën] përhajr me raketa’’, kujton Agimi* ditën e parë në kampin ushtarak.
Atë ditë, me t’u vendosur punëtorët nëpër tenda, kampi u sulmua me predha. Punëtorët u vendosën nëpër bunkerët e sigurisë – duke ndjekur protokollin e sigurisë në raste të sulmeve.
Për tri-katër orë qëndruan aty, pasi baza u sulmua herë pas herë atë ditë. Sulme me predha dhe mbyllje nëpër bunker që s’do ishin të fundit që do i përjetonte Limani gjatë qëndrimit në Afganistan.
Sulmet me predha nëpër kamp i kujton edhe Genti*.
I riu nga Ferizaj nisi punën në kampin ‘’Bagram’’ dikur kah viti 2017. Për gati tri vite ai punoi në kuzhinën e kampit. 28 vjeçari, kujton se flinte në baraka diku aty pranë kuzhinës.
‘’S’muj me i njeh sa [sulme] janë kanë’’, thotë ai.
‘’[Pas] do jave edhe ma ndryshuan vendin ku fleja, aty [pranë atyre] barakave [javë më vonë] ra një raketë. Ka vdek një punëtorë, m’doket prej Indisë’’, kujton sulmin që më së shumti i bëri përshtypje atij.
Ai, po ashtu, kujton një sulm tjetër të ndodhur brenda kampit nga militantë, që kishin arritur të futeshin brenda rrethit të sigurisë, dhe u vranë nga ushtria amerikane. ‘’Dikur bahesh njëjtë [në reagim]’’, thotë përderisa kujton sulmet e njëpasnjëshme.
Periudhë tjetër të vështirë të qëndrimit në kampin ‘’Bagram’’, ai potencon kohën kur në kamp ishte ngritur shqetësimi pas kërcënimeve të shtetit të Iranit për sulme të bazave amerikane në Irak, pas vrasjes së një gjenerali iranian nga ana e ushtrisë amerikane.
Sulmet me predha vazhdonin kohëpaskohe, dhe anipse ‘’dikur bahesh njëjtë’’, ai qysh herët nisi të vërente një problem shëndetësor që nuk e kishte pasur më parë.
Për Gentin mungesa e gjumit nisi të jetë vështirësia më e madhe e tij gjatë punës në kamp. Anipse pas 12 orëve intensive të punës, ai çdo natë e më shumë po haste vështirësi të flinte. U vizitua disa herë tek mjeku, por as kontrollet nuk i ndihmuan.
‘’Ma bajshin; drink water, drink water’’, kujton ai këshillat e mjekut të bazës amerikane.
Kur as kontrollet tek mjeku nuk e ndihmuan, vendosi të niste të merrte barna për gjumë. Nisi të flinte mirë, por edhe filloi të shoh ndryshime tek vetja e tij.
Përderisa Genti përballej me vështirësi për gjumë, Agimi* veçse ishte kthyer në shtëpi. Gjatë qëndrimit shtatë vjeçar si punëtor në bazën ushtarake ‘’Bagram’’, pos fitimit e grumbullimit të parave, ai ‘’fitoi’’edhe një operim.
Temperaturat e larta dhe nga qëndrimi i gjatë në ulësen e shoferit ai filloi të kishte probleme në shpinë. Një puçërr e vogël dhe e patrajtuar mirë nga mjeku, diku u shndërrua në problem mjekësor që kërkonte ndërhyrje kirurgjikale. Intervenim që e kreu në Kosovë, pasi nuk pranoi ta bënte operimin në Dubai.
Krejt më vonë, gjatë vizitës së një kolegu në Maqedoni të veriut – i cili kishte pësuar një aksident – mësoi se mund të kërkonte dëmshpërblim për pasojat shëndetësore që kishte përjetuar gjatë punës. Një avokat nga Maqedonia e Veriut i ndihmoi t’i hynte negociatave me kompaninë amerikane në kërkim të dëmshpërblimit.
Për 1 vit e gjysmë kompania e mbajti nën trysni punëtorin kosovar përmes kontrolleve e komisioneve që vlerësonin dëmin që ai ka përjetuar. Në fund, i ofruan 125 mijë dollarë amerikan si dëmshpërblim.
‘’Që në ofertën e parë [zyrtare nga kompania], e pranova’’, thotë Limani, duke shtuar se i pritoi presionit e negociimit të mëtutjeshëm me kompaninë amerikane.
Mirëpo, Genti ka vazhduar mbi dy vite “luftën” me kompaninë që e punësoi dikur në Afganistan. Kur u kthye në Kosovë problemet për të vazhduan. Përpos gjumit, ai filloi të kuptonte se zhurmat e irritonin në mënyrë të jashtëzakonshme, e po ashtu nisi t’i shfaqej ankthi. Dikur kërkoi edhe ndihmë profesionale. Dy profesionistë të ndryshëm konstatuan se Genti po përballet me Çrregullim të Stresit Post-Traumatik, PTSD.
Ai sot, me ndihmën e një avokati amerikan, është duke kërkuar 400 mijë dollarë nga kompania e kontraktuar dikur nga ushtria amerikane. Kompania përmes komisionit të saj të profesionistëve mjekësor ka konstatuar diagnostifikimin e mjekëve kosovarë, mirëpo ka thënë që pasojat tek Genti vijnë për shkak të përdorimit të tabletave të gjumit.
Qëndrim që është kundërshtuar nga një mjek i pavarur amerikan, që po ashtu ka ekzaminuar Gentin. Çka ka bërë që ai të mos tërhiqet nga ideja e tij që kompania amerikane ta paguaj 400 mijë dollarë për dëmet që i ka përjetuar pëgjatë punës në bazën amerikane.
Negociimi i Gentit me kompaninë amerikane vazhdon edhe sot.
Numër i madh i kosovarëve të punësuar nëpër bazat e dikurshme amerikane në Afganistan dhe Irak kanë përfituar qindra mijëra dollarë me shkak pasojat psiko-fizike që kanë pësuar gjatë punës atje. Njëjtë sikurse Genti, nga bisedat me ish punëtëtorë të Ferizajt që kanë punuar në Afganistan, besohet se një numër i madh është në pritje të përfundimit të procesit të dëmshpërblimeve nga kompanitë amerikane për pasojat e lëna nga puna në një zonë lufte.
*Genti nuk ka dashur të identifikohet në këtë intervistë për Buletinin Ekonomik.
*Agimi nuk ka dashur të identifikohet në këtë intervistë për Buletinin Ekonomik.
(Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diskriminim e mospërfshirje: Shkeljet ndaj punëtorëve në sektorë të ndryshëm në Kosovë”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Buletinit Ekonomik dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, ATRC-së ose BIRN KOSOVË.)