Ferizaj e dominon Fushë-Kosovën në shitblerjen e banesave

“Tani, qëkur po ‘shijohet’ edhe shfrytëzimi i autostradës “Arbën Xhaferi”, që lidhë edhe Ferizajn me Prishtinën, dhe që ka shkurtuar shumë “distancën” dhe kohën për të arritur nga Ferizaj në Prishtinë dhe anasjelltas, është shtuar shumë interesimi për të pasur një banesë në Ferizaj, i “afruar” shumë me kryeqytetin”, kanë saktësuar për Buletinin Ekonomik, në një agjenci të patundshmërive në Ferizaj.

Mehmet GJATA

Tregu i banesave është i veçantë dhe shumë interesant në Kosovë. Ndodhin lëvizje të shpeshta dhe të papritura, që ngjajnë në surpriza, qoftë të këndshme, qoftë të pakëndshme, në tregtimin e patundshmërive në tregun kosovarë.

Reklama e sponzorizuar

E veçantë e tregut kosovarë të banesave është edhe çmimi, i cili përkundër rënies së tij në pjesën dërmuese të vendeve të botës, te ne, ose po mbahet goxha konstant në 3-4 muajt e fundit, ose po ngritet ndjeshëm në disa qendra komunale. Siç dihet nga të dhënat e konfirmuara nga zyrtarë të organizatave monetare ndërkombëtare, ndër to edhe nga ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), praktikisht, çmimet e banesave në nivel global po pësojnë rënie pas disa vitesh në rritje të qëndrueshme. Sidomos zbritje në nivel global po ndodhin që nga fillimi i këtij viti, e sidomos nga muaji mars e këtej.

 

Të dhënat e fundit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) kanë treguar se çmimet e banesave (të përshtatura me inflacionin) në tremujorin e fundit pësuan rënie për dy të tretat e vendeve për të cilat kjo organizatë përpunon dhe publikon të dhëna. Rënia në shkallë të gjerë dëshmon se si tregjet e banesave po përshtaten me rritjen e normave të interesit që po aplikojnë bankat qendrore prej vitit të kaluar.

Normat bazë të interesit janë rritur mesatarisht me 4 pikë përqindje në të gjithë ekonomitë kryesore, në nivelet që mbizotëronin përpara krizës financiare globale të vitit 2008. Dhe, dihet, normat e interesit luajnë rol kritik në nxitjen e çmimeve të shtëpive, së bashku me rritjen e të ardhurave dhe popullsisë nga ana e kërkesës dhe faktorë të ndryshëm të ofertës, si kostot e ndërtimit.

Pavarësisht, të gjitha këtyre zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare të ndërtimeve, në Kosovë, vazhdon të ketë shumë ofertë (numër enorm të madh të banesave në shitje), si rrjedhojë e ndërtimeve me ritëm imponues të ringjallur pas pandemisë COVID19, por njëkohësisht vazhdojnë të mbretërojnë çmime të larta, sidomos krahasuar me gjendjen financiare të kosovarëve shumicë absolute dhe fuqisë të kufuzuar blerëse të tyre. Në të gjitha qendrat e komunave të Kosovës (thuaja në të gjitha tash e sa vite ndërtohet me ritëm të lartë, diku më shumë e diku më pak), dhe thuaja në të gjitha qendrat komunale, jo vetëm që nuk ka rënie fare të çmimeve të banesave, por ka lëvizje të ngritjes së çmimeve.

Si gjithnjë, prinë Prishtina edhe për nga oferta edhe për nga çmimet e larta. Këto ditë, në Prishtinë, më konkretisht në lagjet me ndërtim të përshpejtuar agresivisht, siç është aktualisht lagjja Velania dhe pëvballë të tërë përgjatësisë së varrezave të dëshmorëve të Prishtinës, një metër katror e një banesë kushton 1,500 euro. Ky çmim, sipas disa banorëve të këtushëm, që tashmë kanë lëshuar trojet dhe shtëpitë e tyre për ndërtim të banesave, është standardizuar, sikundër që është standardizuar çmimi i një garazhi prej 20 mijë eurosh.

Edhe në lagjet e tjera, ku vazhdon ndërtimi intenziv në kryeqytet, siç janë rruga B dhe C, që dikur konsideroheshin si periferi, tani një metër katror i një banese kushton sikundër edhe në Velani-1,500 euro. Për koston e banesave në qendër dhe në afërsi të saj, në Prishtinë, dihet, se ku ku kanë arritur çmimet e banesave. Këto ditë, ato kanë shkuar edhe në 3,500-4,000 euro metri katror në qendër dhe në lagjet e vjetra prishtinase siç është Ulpiana, Dardania, metrin katror të një banese vështirë që mund ta gjesh nën 2,000, edhe 2,500 euro. Një risi, që gjason goxha si një befasi interesante, sipas tregtarëve të agjencive të shitblerjes së patundshmërive, por edhe të ndërtuesve, po ndodhë me tregun e banesave në Ferizaj. Në këtë qytet, që kaherë ka marrë hovë ndërtimi i shumëkatsheve dhe që ka ofertë goxha atraktive edhe për nga kostoja, tani e sa kohë, është shtuar prekshëm shitblerja e banesave.

“Në Ferizaj, ka javë dhe muaj, që klientët e ineresuar për të pasur një banesë afër Prishtinës, që rëndom deri më tash kanë qenë nga mërgata jonë, me të madhe kanë shtuar interesimin për të blerë në Ferizaj, edhe më parë se në Fushë-Kosovë, e njohur për shitblerje të madhe të deritashme të hapsirave të banimit për diasporën dhe për klientelën vendore me fuqi më të kufizuar blerëse. Tani, qëkur po ‘shijohet’ edhe shfrytëzimi i autostradës “Arbën Xhaferi”, që lidhë edhe Ferizajn me Prishtinën, dhe që ka shkurtuar shumë “distancën” dhe kohën për të arritur nga Ferizaj në Prishtinë dhe anasjelltas, është shtuar shumë interesimi për të pasur një banesë në Ferizajin, e “afruar” shumë me kryeqytetin”, kanë saktësuar për Buletinin Ekonomik, në një agjenci të patundshmërive në Ferizaj.

Një mërgimtar, që posa kishte kontraktuar blerjën e një banese ishte edhe më konkret, duke shtuar se nga ferizaj në Prishtinë (saktësisht deri në Veternik), tani më një vozitje fare normale arrin brenda 17 deri 20 minutash. Ndërsa, sipas tij, nga Fushë-Kosova në Prishtinë është goxha vështirë të mbërrish brenda kësaj kohe.

Sipas tij, edhe çmimi në Ferizaj është konkurrues me çmimin e banesave në Fushë-Kosovë. Në metër katrorë në Ferizaj kushton aktualisht nga 600 deri në 700 euro, dhe në shumë pjesë të Ferizajt, mund të gjesh çmimin prej 600 eurosh për metër katror. Ndërsa, në Fushë-Kosovë, tani e sa kohë, është shumë vështirë të gjendet çmim nën 700 euro për një metër katror të një banese. Në këtë mënyrë, autostrada, por edhe çmimi, me gjasë e kanë bërë tani atraktiv Ferizajn në tregun e banesave të vendit./Buletini Ekonomik