Kryeministri Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës që i ka bërë Tetovës, tha zhvillimi ekonomik duhet të jetë edhe zhvillim rural dhe nuk duhet të jetë i rezervuar vetëm për zonat urbane.
Kurti duke folur nga fshati Vicë i Tetovës, promovoi idenë e lidhjes së turizmit malor mes Tetovës dhe Prizrenit, përmes rrugës së re. Ai bëri me dije se rruga Prizren-Tetovë është shumë me rëndësi për dy anët e kufirit.
”Në bazë të llogaritjeve për këtë rrugë nuk është kosto shumë e lartë, por kthimi në këtë investim është i jashtëzakonshëm, meqenëse shkurtohet rruga”, theksoi Kurti, raporton RTKlive.
Ai tha se ky projekt është rajonal dhe ndihmon në zhvillimin e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.
Kurse zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se kjo rrugë është shumë e rëndësishme. Ai tha se variantin që është përzgjedhur është me një tunel mbi 6.4 km. Durmishi tha se rruga Prizren-Tetovë, është e mirëseardhur në dy anët dhe do të jetë një mundësi e mirë për zhvillim të turizmit malor.
Kurse kryetari i Tetovës Bilall Kasami, tha se rruga duhet të bazohet në punën e dy qeverive.