“Mbyllja e parakohshme e afatit për subvencionim të shtëpive”, FKEE reagon ndaj artikullit të Buletinit Ekonomik

Fondi për Efiçiencë të Energjisë ka reaguar ndaj artikullit të Buletinit Ekonomik me titull “Loja” e Fondit për Efiçiencë të Energjisë me kosovarët”, në të cilin kritikohej mbyllja e parakohshme e afatit për subvencionim të shtëpive të banimit.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link:

https://buletiniekonomik.com/2023/08/loja-e-fondit-per-eficience-te-energjise-me-kosovaret/

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa për hir të korrektësisë më poshtë po e publikojmë të plotë dhe pa ndërhyrje reagimin e FKEE:

REAGIM

Po ju shkruajmë lidhur me shkrimin “Loja” e Fondit për Efiçiencë të Energjisë me kosovarët, të publikuar me 21.08.2023, në portalin Buletinin Ekonomik.

Ju informojmë se mbyllja e parakohshme e aplikimit për projektin “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”, është specifikuar në dokumentin e thirrjes publike, i publikuar me datë 08.08.2023: “Afati për dorëzimin e aplikacioneve është deri më 25 Shtator 2023. Aplikacionet e dorëzuara pas kësaj date nuk do të merren në shqyrtim nga FKEE. Fondi ruan të drejtën që të mbyll afatin e aplikimit edhe para kësaj date, në rast se arrihet kuota e buxhetit në dispozicion.”

Dokumenti vazhdon të jetë publik në ueb-faqen e FKEE-së dhe ju mund ta gjeni në linkun në vazhdim:

https://fkee-rks.net/file/repository/Thirrja_publike_Finale_06082023_Shqip_.pdf

Më tutje ju njoftojmë se gjatë aplikimit, qytetarët kanë shënuar vlerën e investimit që do të bëjnë në shtëpinë e tyre, për çka sistemi në mënyrë automatike ka mbledhur shumën që do të subvencionohet nga FKEE dhe në këtë formë është mbyllur thirrja publike në momentin e arritjes së shumës së përcaktuar.

Dokumenti që mund ta gjeni në linkun më lart specifikon që shqyrtimi i aplikimeve fillon menjëherë duke respektuar rendin e përfitimit të aplikantëve sipas radhës së aplikimit.

Janë pranuar më shumë se 2000 aplikime me raport të auditorit dhe qindra të tjera pa këtë raport, të cilat janë vendosur në listën e pritjes.

Për të gjithë hapat në vazhdim, numrin e përfituesve, shumën totale dhe të gjitha detajet tjera, FKEE do të përkujdeset për transparencë të plotë, sapo komisioni vlerësues të përfundojë punën.

FKEE është e hapur për të gjitha palët e interesuara që të përgjigjet në çdo kohë, prandaj inkurajojmë edhe stafin e Buletinit Ekonomik që të drejtoheni për të gjitha pyetjet që mund të keni rreth projekteve të këtij institucioni.