Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), njoftoi të premten se ka marrë vendim për ndërprerjen e masës mbrojtëse antidamping mbi sektorin e prodhimit të koncentratit për shpezë dhe kafshë nga Serbia.
Ky dikaster bëri të ditur se vendimi është marrë bazuar në rekomandimin e Komisionit Ndërqeveritar për Vlerësimin e Masave Mbrojtëse në Importe dhe sipas ligjit përkatës në fuqi.
“Sipas raportit të Komisionit Ndërqeveritar për Vlerësimin e Masave Mbrojtëse në Importe, thuhet se pas pranimit të kërkesës së Shoqatës së Shpendarëve të Kosovës, për shfuqizim të masës përkatëse në fuqi, si dhe kërkesës së bërë nga ose në emër të prodhuesve vendor të Kosovës, kërkesë kjo për zgjerim të kodeve doganore në komplet kreun, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë respektivisht Departamenti i Tregtisë, në bashkëpunim me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe, kanë shqyrtuar këto dy kërkesa dhe po ashtu kanë zhvilluar takime me Shoqatën e Shpendarëve të Kosovës, me kompanitë prodhuese, me Doganën e Kosovës, dhe ASK-në”, thuhet në komunikatën për media.