Dallimi edhe në çmimin aktual ndërmjet shpenzimit të energjisë elektrike gjatë tarifës së shtrenjtë (orëve të ditës) dhe gjatë tarifës së ulët (orëve të natës) është i madh. Më konkretisht, çmimi i rrymës gjatë orëve të ditës akoma është 6,75 centë për kilovat-orë, ndërsa shpenzimi gjatë natës është 4 centë më lirë për kilovat-orë.
Buletini Ekonomik
Prishtinë, janar – Sipas të dhënave të bëra publike shumë herë deri tash, sidomos pas shpërfaqjes së krizës së ndjeshme elektroenergjetike, skemën e shpenzuesve të energjisë elektrike në Kosovë, 68 për qind e përbëjnë konsumatorët shtëpiakë. Dhe janë pikërisht konsumatorët shtëpiakë ata që po të duan dhe po të jenë paksa më të përkushtuar në përpjekjet e tyre për ta racionalizuar konsumin e rrymës, mund të kursejnë goxha mjete financiare edhe tani, kur akoma janë në fuqi çmimet e përparshme të energjisë elektrike, por edhe në rast të aplikimit të paralajmëruar të çmimeve të reja të ngritura ndjeshëm.
Ku dhe si mund të kursejnë rrymën konsumatorët shtëpiakë, përkatësisht paranë e tyre që duhet paguar për energjinë e shpenzuar?
Në Kosovë, pavarësisht çmimit, që moti është në fuqi aplikimi i tarifës së shtrenjtë (konsumimi i rrymës në orët e ditës) dhe tarifa e ulët (shpenzimi i rrymës gjatë orëve të natës). Ndërkohë që dallimi edhe në çmimin aktual ndërmjet këtyre kohëve të shpenzimit të rrymës, është i madh.
Më konkretisht, çmimi i rrymës gjatë orëve të ditës është 6,75 centë për kilovat-orë, ndërsa shpenzimi gjatë natës është 4 centë më lirë për kilovat-orë. Kur kihet parasysh, se nuk është edhe aq vështirë përshtatja e një orari goxha strikt të shpenzimit të rrymës natën, në vend të ditës, gjegjësisht aktivizimi i disa shpenzuesve të mëdhenj të rrymës në shtëpi, siç është lavatriçja, enëlarësja, bojleri dhe eventualisht edhe ndonjë pajisje tjetër, ia vlenë për ta aplikuar këtë orar shpenzimi të rrymës. Gjithsesi, për shkak të përfitimeve dhe kursimit të parasë familiare.
Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në orën 08:00.
KEDS-i e ka identifikuar bojlerin si pajisjen që shpenzon më së shumti energji elektrike gjatë gjithë vitit. Bojleri, sipas tyre, përbën 44 për qind të shumës së faturës.
Për të kursyer rrymë nga kjo pajisje, u rekomandohet qytetarëve t’i ndërrojnë “bojlerët e vjetër”, pasi ata shpenzojnë më shumë.
“Bojleri të përdoret atëherë kur ju nevojitet, kurse termostati i bojlerit të jetë midis 50°- 55°C”, ka rekomanduar KEDS.
Sipas llogaritjeve të KEDS-it, fatura e rrymës rritet për 19 për qind nga pajisjet elektrike për zierje në kuzhinë, nëse nuk shfrytëzohen në mënyrë të duhur. Përdorimi i furrave me mikrovalë thuhet se është më efikas dhe se ato shpenzojnë më pak. Rekomandimet tjera që jep KEDS-i, përfshijnë: mosvendosjen e frigoriferit afër burimeve të nxehtësisë, fikjen e dritave në hapësira që nuk shfrytëzohen dhe përdorimin e poçeve elektrike kursyese etj. /Buletini Ekonomik/









