Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka dërguar një ditë më parë dy raste të dyshimta për shkelje të ligjit në Prokurorinë Speciale.
Sipas një postimi në Facebook të zëvendësministrit, Avni Zogiani rasti i parë ka të bëjë me hapjen e procedurës për trajtimin termik të mbeturinave.
Ai ka thënë se grupet e ekspertëve të MMPHI-së kanë gjetur shkelje serioze dhe dyshime për manipulim të të dhënave të dokumenteve,
Lënda e dytë sipas Zogianit ka të bëjë me investimet që janë bërë në fushën e ujërave, përkatësisht nëpër shtretër të lumenjve.
“Rasti i dytë poashtu ka të bëjë me dyshime për keqpërdorime serioze në punët në fushën e ujërave, të cilat punë sipas Raportit të bërë nga Grupi i ekspertëve janë bërë pa kritere, me shkelje serioze të ligjit deri në masën që ka dyshime se punët janë paguar pa u vënë kurrë në praktikë. Shpresoj që Prokuroria Speciale të gjejë kohë e vullnet për këto dosje”, ka shkruar Zogiani.
Hetim për shkelje në investime në shtretër të lumenjve ishte kërkuar edhe dy vite më parë, por që nuk ka pasur diçka konkrete nga organet e drejtësisë.
Ndërsa rasti i parë ka të bëjë me ndërtimin e një inceneratori në Varosh të Ferizajt, për çka më 1 gusht Ministria kishte pezulluar pëlqimin mjedisor që vet e kishte dhënë në dhjetor të vitit të kaluar.
Pas pëlqimit nga ministria, kompania “Erdi Products” që synim kishte djegien e 100 mijë tonë mbeturinave në vit, mori edhe lejen ndërtimore nga komuna për ngritjen e inceneratorit.
Por të martën, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, tha se lëshimi i pëlqimit për incenerator në një vendbanim, është në kundërshtim me vlerësimet mjedisore dhe ligjet në fuqi.
Sipas tij, dhënia e pëlqimit u bë pa dijeninë e tij.
Në një ditë më parë MMPHI anulon licencat për vlerësim të ndikimit në mjedis për një person juridik dhe disa persona fizik që kanë të bëjnë me këtë projekt. /Koha.net/