Ministri i Financave, Hekuran Murati e ka quajtur “absurd dhe hipokrizi” paralajmërimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) për dërgimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme në Gjykatën Kushtetuese.
“Është vetëm lojë e disa prej komunave në këtë rast edhe e Asociacionit, që në njërën anë pretendojnë se kanë hallin e qytetarëve dhe kërkojnë të ulet barra për qytetarin e kur Qeveria bën hap të tillë e kundërshtojnë pastaj. Duket absurde edhe dërgimi në Kushtetuese sepse Qeveria nuk ka asnjë ndërhyrje në këtë aspekt” ka thënë Murati.
Ministri Murati pas mbledhjes së Qeverisë, theksoi se ligji ka hyrë në fuqi dhe nuk mund të bllokohet.
Murati: Komunat kanë afat deri më 16 shtator ta miratojnë zbritjen
Ai ka thënë se komunat kanë afat deri më 16 shtator të marrin vendim për zbritjen dhe se gjithçka është në përgjegjësinë e kuvendeve komunale.
“Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Komunat apo kuvendet komunale e kanë të domosdoshme të marrin vendime 30 ditë pas hyrjes në fuqi, data e fundit pra 16 shtator. Pra tash u takon kuvendeve komunale që deri më 16 shtator ta miratojnë zbritjen për qytetarët e secilës komunë. Kjo po ashtu përkon me afatin e këstit të dytë, që është 30 shtator. Pra më 16 shtator secili qytetar mund ta dijë sa prej tatimit në pronë do t’u falet nga komuna e tyre”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk ka arsye të marrë masë të përkohshme për të pezulluar ligjin.
Deklarata e ministrit Murati vjen pasi Asociacioni i Komunave të Kosovës ka paralajmëruar se komunat do ta dërgojnë Ligjin për Tatimin në pronën e paluajtshme në Gjykatën Kushtetuese.