Në Shqipëri, tabelat e çmimeve të shitjes me pakicë të karburanteve kanë ndryshuar në mënyrë të menjëhershme mëngjesin e së martës.
Nafta dhe benzina, në pjesën kryesore të pikave të shitjes me pakicë po tregtohen me çmim të njëjtë, me 199 lekë për litër.
Kjo është rritja e katërt e ndodhur menjëherë pas shkrirjes së Bordit të Monitorimit të Karburanteve në qershor të këtij viti.
Çmimi i fundit i caktuar nga bordi ka qenë 176 lekë për çdo litër naftë të shitur dhe 179 për një litër benzinë.
Rritja pas shkrirjes së bordit duket se është mjaft e lartë, me rreth 20 lekë për litër. Ndërkohë nuk ka ndodhur që të ketë ulje në tabelat e shitjes me pakicë.
Pak kohë më parë RTSH pasqyroi ndryshimin e menjëhershëm, në të njëjtën ditë dhe me të njëjtën vlerë në tregun e shitjes me pakicë të naftës dhe benzinës. Rritja atëherë me 3 lekë për litër u tha se është objekt për Autoritetin e Konkurrencës për të parë nëse ka vendosje horizontale apo vertikale të çmimeve në këtë treg.
Sipas grafikut të ecurisë së çmimeve për naftën e papërpunuar Brent në Bursën e Londrës, në tre muajt e fundit ka një rritje të çmimit për fuçi, edhe pse këtë javë po shënohet rënie. Ndikimin kryesor duket se e ka dhënë mungesa e më shumë se 1 milion fuçive në ditë, një masë e OPEC për të tentuar rritjen deri në 100 USD për fuçi.
Por karburantet vendase nuk ndikohen nga ky treg, i cili është tregu në avancë i naftës së papërpunuar, çmim që mund të reflektohet pas rreth tre muajve në tregun vendas. Nafta shqiptare kuotohet sipas Bursës Platz të Mesdheut, e cila ka shënuar rritje në muajin e fundit.
Nuk është herë e parë që ndodh një gjë e tillë në tregun shqiptar të shitjes me pakicë të karburanteve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, para funksionimi të Bordit të Transparencës, kompanitë hidrokarbure llogaritej të fitonin deri në 25 lekë/litër.
Bordi e kufizoi me akt normativ këtë normë fitimi në 3 lekë për shitjen me shumicë dhe 12 lekë për shitësit me pakicës, duke e çuar normën e fitimit në vetëm 15 lekë për çdo litër dhe duke i kthyer publikut 10 lekë për litër, që pasqyrohej si vjedhje e konsumatorit në çmim. /RTSH/