Blerja e banesave, shtëpive e tokave përbën 68 për qind nga gjithsej 389 milionë eurot e investimeve nga jashtë në vitin e kaluar. Sipas një raporti të BQK-së, vetëm në tre muajt e parë të këtij viti janë blerë patundshmëri prej më shumë se 105 milionë euro në Kosovë nga mërgimtarët. Pse ende nuk ka investime të mërgatës në projekte madhore ekonomike, në sosh prodhuese dhe në projekte që sjellin fitime.
Buletini Ekonomik
Mërgata kosovare vazhdon, thuaja me të njejtin ritëm, si në disa vitet e fundit, të shpenzojë paratë e tyre në Kosovë, në blerjen e patundshmërive, kryesisht të banesave dhe në përkrahjen e buxheteve familjare në vendlindje.
Sipas një raporti të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i emërtuar “Vlerësimi tremujor i ekonomisë”, vetëm në tre muajt e parë të këtij viti janë blerë patundshmëri prej më shumë se 105 milionë euro në Kosovë nga mërgimtarët. Sipas këtij raporti, investimet e huaja direkte (IHD) në çerekun e parë të këtij viti kanë arritur shumën e përgjithshme prej rreth 190 milionë euro, që i bie pjesa më e madhe e këtyre investimeve kanë shkuar në sektorin e patundshmërisë, dhe që janë investuar ekskluzivisht nga mërgata jonë.
“Rritja e IHD-ve është evidentuar kryesisht në sektorët patundshmërisë, sektorin financiar dhe të sigurimit. Sektori i patundshmërisë mbulon 55.5 përqind e përgjithshme të IHD-ve apo 105.3 milionë euro”, thuhet mes tjerash në raport.
Blerja e banesave, shtëpive e tokave përbën 68 për qind nga gjithsej 389 milionë eurot e investimeve nga jashtë në vitin e kaluar. Pavarësisht se sipas raportit të BQK-së rritja e vlerës së investime të huaja direkte në patundshmëri vlerësohet se është ndikuar nga rritja e çmimeve në këtë sektor, sipas ekspertëve dhe njohësve të investimeve të mërgatës sonë, diaspora, po vazhdon pandalshëm të investojë paranë e tyre në blerjen e pasurive të paluajtshme, në shumicën absolute të rasteve, të banesave, mbase me të vetmin ndryshim evident dhe që është orientimi i blerjes së banesave në qendrat e afërtat me kryeqytetin.
Pra, tani diaspora po investon më shumë në blerjen e banesave në Ferizaj (e ndikuar nga favoret që ka sjell autostrada që lidhë këtë qytet me Prishtinës, por edhe nga çmimet ndeshëm më të ulëta se sa në kryeqytet), por edhe në Lipjan, në Obiliq në vend të Fushë-Kosovës dhe të Prishtinës. Por, edhe më tutje, krahas investimeve në patundshmëri, një shumë e madhe e parasë së mërgatës vazhdon të shpenzohen në mirëqenien familjare.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, shpenzimet e diasporës në Kosovë në vitin 2022 – qoftë në hotele, restorante apo biznese lokale – kanë kapur vlerën e rreth 1.9 miliard eurove. Gjithnjë sipas të dhënave të BQK-së, gjatë vitit 2021, diaspora ka dërguar në Kosovë 1 miliard e 443 milionë euro. Banka Botërore thotë se që nga shpallja e pavarësisë, në Kosovë nga mërgata janë dërguar rreth 13 miliardë euro. Sipas BB-së, pjesëmarrja e remitencave në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kosovës është rreth 20 për qind.
Ndërsa, vlerësohet se diku rreth 70 për qind e parave të diasporës që arrijnë në Kosovë, shpenzohen për buxhete familjare dhe remitencat, janë ndihmesë e çmueshme për mbejetesën e shumë familjeve kosovare. Me fjalë të tjera, është e padiskutueshme se paratë e mërgatës sonë janë burim i pashterrshëm i të hyrave për Kosovën e vobektë dhe të brishtë tani e më shumë se dy decenie dhe infuzion financiar aq i nevojshëm për shumë qytetarë të këtij vendi.
Remitencat për Kosovën, me fjalë të tjera, janë mbijetesa e kosovarëve të papunë, janë zhvillimi ekonomik, zbutje evidente e pasojave të varfërisë, por edhe shtysë me ndikim në mbajtjen e një niveli modest të mirëqenies sociale. Në fakt, përgjatë viteve, paratë e diasporës, që nga paslufta vazhdojnë të përbëjnë burimin ndër më të mëdhenjtë të të ardhurave në Kosovë. Vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave të Bankës Qendrore, remitancat kanë kapur vlerën e rreth 1.2 miliardë eurove.
Thjesht, Kosova ka varësi të madhe nga paratë e mërgatës sonë që tashmë numërkishit s’është më e pakët në Gjermani, Zvicër, Itali dhe Austri, shtete këto ku kosovarët kryesisht jetojnë në numër më të madh, dhe nga paratë e mërgatës sonë të shtrirë gjithandej në shtetet të tjera te Europës dhe përtej saj. Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat, Kosova përballet me një mesatare emigrimi prej 23,933 personash në vit, apo 1.3 për qind e popullatës së përgjithshme.
Ndërsa, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850 mijë persona dhe që s’do mend, ky numër realisht duhet të jetë goxha më i madh.
Mirëpo, megjithë këto prurje kaq të shumta parash, është për të ardhur keq, se akoma nuk po jetësohet asnjë deklaratë e autoriteteve se “mjetet e diasporës duhet të orientohen në jetësimin e projekteve investuese, dhe në këtë kuptim, duhet inkurajuar mërgatën tonë për të investuar paranë e tyre në vendlindje”.
Edhe më tutje, në Kosovë nuk ka ndonjë projekt madhor të realizuar me kapital të diasporës, as ndonjë kapacitet ekonomik-prodhues atraktiv dhe që sjellë të hyra solide, dhe ç’është më keq, nuk ka as ndonjë nismë për të investuar paranë e mërgatës në këso projektesh. Investimet e diasporës, gjegjësisht remitencat, siç u tha më lartë, deri tash shquhen në angazhimet e tyre me shumicë absolute në paluajtshmëri dhe më konkretisht në blerjen e banesave në qytete të ndryshme të Kosovës dhe më së shumti në kryqytet.
As Qeveria aktuale e Kosovës, sikundër pararendëset, nuk u tregua këmbëngulëse deri në fund, për të insistuar në krijimin e konditave joshëse për ta investuar këtu paranë e bashkëatdhetarëve tanë, as për të krijuar instrumente praktike për t’i orientuar ato në ndërtimin e potencialeve atraktive zhvillimore. Thjesht, disa parashikime të kësaj Qeverie, sikur ajo për t’u emetuar bono thesari, të dedikuara për diasporën, nuk u dëshmuan se i binden edhe aq bashkëkombasit tanë për të investuar paranë e tyre në vendlindje.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në Forumin e Bizneseve të Diasporës, të mbajtur para disa muajsh në Prishtinë, kishte bërë të ditur se “janë duke punuar që mërgata të jetë pjesë integrale e zhvillimit të Kosovës, atij shoqëror, ekonomik e kulturor dhe janë duke zhvilluar një dialog për të përfaqësuar sa më mirë interesat e tyre në Strategjinë për mërgatën që pritet të finalizohet këtë vit”. Dhe Kurti, më në fund, nuk e ftoi diasporën për të investuar në emër të patriotizmit, atdhedashurisë, dashurisë për vendlindjen, siç ishte praktikë thuaja standarde e deritashme, në të gjitha rastet e takimeve me përfaqësues të mërgatës. Ai, edhe në disa raste të tjera, ftoi diasporën drejtëpërdrejtë, duke ua bë të ditur se “investimi në Kosovë paraqet një mundësi përfitimi si kurrë më pare”. Bile, krahas ftesës për të investuar, për të fituar të dy palët, ai ia bëri me dije tashmë disa herë diasporës se Kosova ka nevojë për ta, për dijën dhe përvojën e tyre: “Jemi duke shikuar mënyrat si ta përdorim dijen dhe eksperiencën e marrë jashtë për të zhvilluar vendin…. Jemi në situatë kur kemi nevojë jo më pak për dijen, shkathtësitë, përvojën, etikën e punës së mërgatës e jo vetëm për financat e bazën e tyre materiale”.
Dhe, në këto rrethana, zhvillimi i Kosovës është i lidhur dhe i ndërvarrur drejtpërdrejtë dhe në masë relativisht të madhe me paranë e mërgatës. Prandaj, këto ftesa duhet jetësuar duke vepruar institucionalisht, pa humbuar kohë, për të krijuar ligjërisht kushtet e favorshme për investimin e parasë së mërgatës sonë. Sepse, nuk mjaftojnë vetëm ftesat dhe retorika entuziaste në takimet më mërgimtarë. Diasporës tani, sikundër çdo investitori të jashtëm, i duhët garanci për të qenë i bindur se investimi i tyre do të jetë qind për qind i sigurtë./Buletini Ekonomik