Statistikat, fare të fundit, që ka publikuar këtyre ditëve Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina, për regjistrimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2023-2024, janë dëshmi e fortë se Kosova po zbrazet. Shumë fakultete në këtë korrik 2023, për vitin e ardhshëm akademik, kanë regjistruar fare pak studentë, numra simbolik, sa për të mos e mbyllur fakultetin, apo degën që për vite të tëra ka arsimuar dhe ka përcjellur me dhjetëra e qindra kuadro të nevojshme për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Por, ç’është më keq, disa degë të ndryshme, sidomos të Fakultetit të Arteve, e veçmas te Artet Muzikore, kanë mbetur pa asnjë studentë të vetëm të regjistruar.
Mehmet GJATA
Dukeshin fare të pabesueshme informacionet e shpërfaqura në vitet e fundit, sidomos në ato post-pandemike COVID-19, si dhe ato të publikuara në shumë medie të vendit gjatë tërë vitit të kaluar dhe këtij viti, për ikjen numerikisht të madhe të kosovarëve nga vendi i tyre. Nuk i besonte askush, ose nuk donin t’i besonin shifrat alarmuese për trendet tronditëse të braktisjes së vendit nga pjesa më vitale e e popullsisë dhe për tendenca të kosovarëve për të ikur një orë e më parë nga vendi, dhe parashikimet se Kosova shumë shpejtë do të mbetet pa punëtorë të nevojshëm dhe të domosdoshëm në shumë veprimtari dhe lëmi të zhvillimit ekonomik.
Ndërsa, me kalimin e javëve dhe muajve, e sidomos pas publikimive aty-këtu nëpër medie të ca statistikave zyrtare të emigrimit, sikur nisëm të bindemi se shkrimet alarmuese për ikjen e vrullshme të kosovarëve jashtë vendit të tyre nuk paskan qenë fraza boshe, as alarm i rremë dhe i ekzagjeruar droja se Kosova po “tkurret” numerikisht, nga ikja e madhe e banorëve të vetë, nga braktisja e vendit të tyre nga kosovarët e shumtë dhe të moshave më vitale, pra nga të rinjtë e aftësuar dhe të shkolluar për shumë e shumë profesione.
Shkuan gjatë vitit të kaluar dhe po vazhdojnë të shkojnë duke mësyer Gjermaninë, Zvicrën, Italinë, shtetet e Beneluksit, atyre Skandinave, pa zgjedhur shumë dhe pa menduar edhe aq. Në rastin e parë, ku u jepet mundësia dhe ku grishën më shumë, aty i ke të rinjtë tanë, para sporteleve të ambasadave të këtyre shteteve, në pritje të një interviste, bisede apo evidenTimi për vizën e premtuar dhe të ëndërruar nga ta.
Statistikat fare të fundit, që ka publikuar këtyre ditëve Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina, për regjistrimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2023-2024, janë dëshmi e fortë se Kosova po zbrazet, më shpejtë, madje se që e kanë paraparë edhe demografët optimistë dhe të përkushtuar në studimin e lëvizjeve migruese të kosovarëve.
Dhe këto shifra, që tregojnë regjistrimin e botës së re akademike kosovare në fakultete të ndryshme të UP-së, në univesitetin më të madh tonin publik, janë të frikshme, trishtuese dhe tronditëse vetëvetiu. Shumë fakultete në këtë korrik 2023, për vitin e ardhshëm akademik, kanë regjistruar fare pak studentë, numra simbolik, sa për të mos e mbyllur fakultetin, apo degën që për vite të tëra ka arsimuar dhe ka përcjellur me dhjetëra e qindra kuadro të nevojshme për ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Por, ç’është më keq, ndoshta edhe më e dhimbshme, disa degë të ndryshme, sidomos të Fakultetit të Arteve, e veçmas te Artet Muzikore, kanë mbetur pa asnjë studentë të vetëm të regjistruar. Konkretisht në degët e Arteve Muzikore: Kompozim, Dirigjim, Oboa, Trompetë, sivjet nuk është regjistruar asnjë studentë. Thjesht, nuk ka pasur kandidatë, ose në degët e akceptuara janë paraqitur vetëm nga një studentë, që nuk i kanë plotësuar kriteret e domosdoshme. Edhe në degët e tjera të Arteve Muzikore, praktikisht, edhe pse janë regjistruar numër studentësh, në bazë të shifrave shihet se nuk ka pasur ndonjë konkurrencë. Në Solo-këndim, bie fjala, janë regjistruar në këtë vit akademik gjithsej 4 studentë, ndërkohë që janë eliminuar 7 sish, në Piano janë regjistruar 9 veta, ndërsa nuk kanë arritur të regjistrohen vetëm 2 kandidatë, te Saksofoni është regjistruar 1 student, ndërsa ka qenë vetëm edhe një kandidatë që ka konkurruar. Te Artet Muzikore, vetëm në degën Pedagogji e Përgjithshme Muzikore bie në sy regjistrimi i një numri paksa më të madh në këtë vit akademik (21 studentë, ndërkohë që kanë mbetur vetëm 4 sish pa indeksin e kësaj dege. Edhe te fakulteti Artet e Bukura ka pasur dy degë (programe), ku nuk është regjistruar asnjë studentë: Te Skulptura, në këtë vit shkollor nuk është regjistruar asnjë kandidat, ndërkohë që është paraqitur vetëm një sish, ndërsa te Dega Arti Konceptual dhe Mediat e Reja kanë konkuruar dy veta, por nuk është regjistruar asnjëri.
Në këtë vit akademik, 2023-2024 pra, rënie drastike e studentëve, në bazë të të dhënave të UP-së, ka ndodhur në Fakultetin Filozofik, respektivisht në shumë degë të këtij fakulteti, pos Psikologjisë (ku janë regjistruar 83 veta nga 176 konkurrentë) Shkencave politike (42 të regjistruar dhe vetëm 2 të refuzuar dhe në Sociologji (38 studentë të regjistruar dhe 2 të refuzuar). Në degën e Filozofisë janë regjistruar gjithsej 12 studentë, në Histori 22 sish, ndërsa janë refuzuar 4 kandidatë. Dihet në Degën e Historisë, deri në vitin kur është shpërfaqur pandemia, janë regjistruar gjithnjë mbi 220 e sa studentë.
Nuk është më mirë sa i përket numrave të studentëve të regjistruar sivjet as në Fakultetin e Filologjisë. Vetëm në Degët e Gjuhës angleze dhe të Gjuhës Gjermane imponohet numri i kandidaëve të regjistruar dhe te Dega e Gazetarisë. Gjuhën angleze sivjet do të studiojnë 101 studentë (112 janë refuzuar), Gjuhën gjermane, po kështu, do ta vijojnë 101 studentë (86 janë refuzuar) dhe në Degën e Gazetarisë do të studiojnë 74 veta, ndërkohë që 17 kanë rënë në provimin pranues.
Në Fakultetin Filologjik është dëshpërues numri i studentëve të përcaktuar për ta studiuar Gjuhën frënge (gjithsej 9 veta), Letërsinë Shqipe – 5 veta dhe degën e Gjuhës Shqipe 20 studentë. Dihet, deri para pak vitesh, sa i madh ka qenë numri i sdutentëve që kanë studiuar gjuhën, por edhe letërsinë shqipe.
Tashmë, respektivisht në këtë vit akademik, më nuk imponohet edhe aq shumë as interesimi i kandidatëve, as numri i regjistruar për të studiuar Juridikun dhe Fakultetin Ekonomik, që vite më parë vërshonin kërkesat edhe me 1,5 mijë dhe 2 mijë kandidatë, për t’u regjistruar në këto fakultete. Në këtë vit akademik, në Fakultetin Juridik janë regjistruar diku rreth 380 veta, ndërsa janë refuzuar rrerth 40 sish. Ndërkaq, në Fakultetin Ekonomik, në Programin Ekonomi e Aplikuar (në gjuhën angleze) janë regjistruar 22 kandidatë, ndërsa janë refuzuar vetëm 2 veta. Në programin Menaxhment do të vijojnë mësimet 124 studentë, ndërkohë që janë refuzuar ta kenë këtë mundësi 46 veta.
Duke u bazuar në shifrat e studentëve të regjistruar në fakultet e ndryshme të UP-së, po del që po të mos ishte Fakulteti i Mjekësisë, Dega e Mjekësisë së Përgjithshme ku janë regjistruar 836 studentë të rinj, Dega e Stomatologjisë ku do të sudiojnë rishtas 327 veta, Dega e Infermierisë ku janë regjistruar 246 infermierë të ardhshëm dhe Farmacia me 167 studentë rishtarë, me numrin e studentëve të pakët të paraqitur dhe të regjistruar në shumë fakultete të tjera, në Universitetin e Prishtinës, do të ç’ekulibrohej ndjeshëm vijueshmëria e punës normale pedagogjike. Thjesht, shumë degë ku janë regjistruar numër shumë i vogël studentësh, madje edhe jashtë normave e standardeve për vijueshmëri të studimeve, kanë rrezikuar mbylljen e tyre. Por, për shkak të mbajtjes së një vijueshmërie dhe të mos mbylljes së shumë degëve, në to do të vijohet mësimi edhe në këtë vit akademik.
Një profesor me përvojë të gjatë në njërin prej fakulteteve të UP-së, i ka thënë Buletini Ekonomik, në kushte anonimiteti se “shumë profesorë të UP-së, në vend që të shqetësohen për rrezikimin real të vijueshmërisë në fakultetet jo të pakta të mbetura pa studentë, po ‘i fërkojnë” duartë nga entuziazmi sivjet. Së paku, do të kenë shumë më pak punë, për shkak të tkurrjes numerike të këtyre fakulteteve”.
Por, se sa do të vazhdojë “gëzimi i tyre për reduktim drastik të numrit të studentëve mbetet të shihet. Por, nëse vazhdon braktisja e sudimeve kaq me përmasa alarmuese nga të rinjtë kosovarë, nuk është larg dita, e mbylljes së kushtëzuar dhe e domosdoshme e shumë fakulteteve. Fakultetet janë për studentët dhe ato nuk kanë se si të funksionojnë pa ta. /Buletini Ekonomik/