Premtimet e bëra rutinë dhe refrene të autoriteteve për projekte të reja të energjisë së rinovueshme

Panele solare dhe turbinat me erë

Mungesa e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, është shkaku vendimtar i krizave të shpeshta energjetike, i pasigurisë së vazhdueshme në furnizimin e konsumit të vendit dhe i shpenzimit të miliona e miliona eurove për të importuar rrymën e munguar, në raste të krizave.

Mehmet GJATA

Në Kosovë, vazhdon të ketë premtime për projekte të reja të energjisë së rinovueshme, ka kaherë edhe goxha vizione premtuese sikundër që nuk mungojnë as synimet konkrete të parapara edhe me dokumente zhvillimore, ndër to edhe me Strategjinë energjetike 2022-2031, të miratuar tashmë në të gjitha institucionet kompetente.

Por, në Kosovë, pos Parkut të energjisë në bazë të erës, të ndërtuar para rreth 2 vjetësh në Shalë të Bajgorës, me kapacitet 105 megavatësh, që nga paslufta e këndej, nuk ka asnjë kapacitet tjetër prodhues të ndërtuar, qoftë nga energjia në bazë të qymyrit, qoftë sish të energjisë së ripërtëritshme. Dhe, mungesa e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, është shkaku vendimtar i krizave të shpeshta energjetike, i pasigurisë së vazhdueshme në furnizimin e konsumit të vendit dhe i shpenzimit të miliona e miliona eurove për të importuar rrymën e munguar, në raste të krizave.

Reklama e sponzorizuar

Paralajmërimet dhe vizionet e reja për projektet energjetike të ardhshme janë bërë rutinë dhe refren i rëndomtë i autoriteteve dhe zyrtarëve kompetentë për zhvillimet energjetike, qoftë në kontaktet e brendshme me publikun, qoftë me përfaqësues të jashtëm. I tillë ishte edhe paralajmërimi i bërë në javën që shkoi i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit, gjatë një takimi me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, për projekte të reja të energjisë së erës në Kosovë. Duke raportuar për gjendjen e sektorit të energjisë në vend, para përfaqësuesve të FMN-së, të cilët gjatë qëndrimit në Kosovë, ndër të tjera, kanë vizituar ZRRE-në, KOSTT-in dhe KEK-un, ministrja Rizvanolli, që është personaliteti më përgjegjës edhe për zhvillimet energjetike në vend, sërish, për të satën herë gjatë 2023-tës dhe qindra herë gjatë 2022-tës, paralamëroi projekte të reja, tani sosh të energjisë së erës.

Premtime të panumërta deri me këtë rast sivjet ajo ka bërë për projekte solare: “Jemi duke i shfrytëzuar këto ditë verore për të hartuar konceptin e projekteve tona të ardhshme të energjisë së erës me partnerë e ekspertë”, është shprehur ministrja në një deklaratë për media.

As me këtë rast, në këtë takim me FMN-në, ajo nuk foli më shumë për këto projekte, as nuk bëri publike detaje rreth tyre. Mirëpo, ajo nuk la pa e nënvizuar ”interesimin e gjerë të investitorëve brenda dhe jashtë vendit për ankandin 100 megavatësh të energjisë solare, dhe sistemin e baterive me kapacitet 170 MW, i cili pritet, sipas saj, të instalohet, por pa përmendur ndonjë afat, apo datë të caktuar, por pa harruar ta vë në dukje “ndikimin pozitiv që këto projekte do ta kenë në rrjetin elektroenergjetik të vendit”.

Ankandi i shpallur për një kapacitet 100 megavatësh, diku në arat e Rahovecit, që nga shpallja e tij, është konsumuar pa reshtur, më shumë, gjithsesi, si propagandë nga autoritetet, për të promovuar, gjoja përkushtimin dhe interesimet e tyre, për të ndërtuar kapacitete të reja energjetike.

Zyrtarët e vendit, vazhdojnë ta “zmadhojnë” këtë ankand, thuaja se bëhet fjalë për një projekt, që brenda ca ditësh do të fillonte të prodhonte energjinë nga dielli. Por, prodhimi nga ky kapacitet energjetik, aq shpesh i apostrofuar nga zyrtarët, është akoma shumë larg, madje është larg fare edhe nisja e punimeve eventuale për ndërtimin e këtij impanti. Mirë, që ka interesim për të, por, deri te starti për të ngritur këtë kapacitet janë përpara edhe shumë procedura të domosdoshme (përcaktimi i saktë i trollit ku do të ndërtohet impianti, eksproprijimi i tokës, nëse është eventualisht e nevojshme, kompenzimi i saj eventual, pastaj finalizimi i projektit të fizibilitetit dhe projektit final, pastaj përzgjedhja e investitorit, dhe në fund ndërtimi, që do të zgjasë së paku dhjetëra muaj).

As për projektin e sistemit të baterive me kapacitet 170 megavatësh, që përmendet pa rreshtur tani e një vjet e sa, opinioni nuk di se kur do të finalizohet, ose kur do të nisë realizimi i tij. Në këtë mënyrë, Kosova vazhdon të ketë shumë fjalë, të bëjë premtime të mëdha të vazhdueshme rreth pasjes së energjisë së rinovueshme. Vazhdon të prezantojë projektet që Qeveria është duke i zhvilluar, si dhe mundësitë për investim në sektor të energjisë së rinovueshme në Kosovë. Por, ka fare pak vepra.

Praktikisht, pos ndërtimit tër dy kapaciteteve që ia vlen të përmenden-ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Gjilanit me kapacitet diku 36 megavatësh, dhe disa minihidrocentraleve me fuqi prodhuese minimaliste, tani për tani Kosova nuk ka ndonjë kapacitet të energjisë së rinovueshme, as duke u ndërtuar. Ndërkohë, që fjalët e mëdha, premtimet e pandalura për dekarbonizimin e Kosovës  vazhdojnë pa prarë nga zyrtarët.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 maj , me rastin e shpalljes së ankandit të parë solar (Ankandi Solar 100 MW) ka ripërsëritur se “ky potencial do të shtojë benficione shtesë sa i përket zvogëlimit të kostos dhe do ta shtrojë rrugën drejt projekteve të ardhshme për energji të ripërtëritshme.

“Jemi në vijë të drejtë të një tranzicioni të nevojshëm energjetik. Ky është një progres i gjelbër i prekshëm“.

Por, kur do të bëhet kjo, ose sa duhet të presin kosovarët për ta pasur këtë projekt, që realisht është modest për nga kapaciteti dhe jo i pa përballueshëm financiarisht edhe nga Kosova e varfër?

Edhe në konferencën “Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023”, e mbajtur në Prishtinë më 24 maj, Kurti kishte vënë në dukje se “qeveria të cilën ai e drejton, parasheh zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në 10 vitet e ardhshme”.

Ai me këtë rast ka përmendur edhe marrëveshjen e fundit me FMN-në, e cila do të përdoret për energjinë e riprodhueshme.

“Marrëveshja e fundit me FMN-në na jep 80 milionë euro fillestare për ndërtimin e kondensatorëve të energjisë së rinovueshme dhe diellore me mundësinë e 80 milionëve të tjerë dhe në strategjinë tonë energjetike 2022-2031 parashikojmë për më pak se 10 vjet, më shumë se 1300 megavatë të prodhuar nga energjitë e rinovueshme”, kishte deklaruar kryeministri Kurti me këtë rast.

Fjalë të mira dhe goxha vizione të tjera, pa veprimet e nevojshme institucionale për ngritjen e kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme, kanë edhe deklarimet e stërpërsëritura dhe të bëra monotone, të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit, të bëra po kështu, në Forumin Ekonomik të Vjenës, që u mbajt gjatë majit në Prishtinë. Dhe, me këtë rast, Rizvanolli, si gjithë herat e tjera, i atribuoi merita Qeverisë aktuale, punës që është duke u bërë aktualisht, sipas saj, në “ndërtimin e parkut solar 100 MË në KEK, i cili mundëson që KEK-u dhe punëtorët e KEK-ut të jenë pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik të vendit, duke rritur kështu edhe kapacitetet prodhuese.

“Projektin e impiantit të ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MW që do t’u shërbejë rreth 60.000 qytetarëve në Prishtinë, që është një nga projektet më të mëdha në Evropë si dhe – Investimin më të madh në Historinë e Republikës së Kosovës në energji, që është Programi Kompakt me MCC-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori”.

Por, Artane Rizvanolli, nuk e tha një fjalë të vetme konkrete, se ku kanë arritur realizimi i këtyre projekteve. Ndërtimi i parkut solar në KEK, 100 megavatësh, i inicuar thuaja qe 2 vjet e më shumë, jo vetëm që nuk ka filluar akoma, por as që dihet se kur do të fillojë, apo a do të fillojë fare ndonjëherë. Dihet vetëm se është thënë se do të kushtojë përafërsisht 95-105 milionë euro. Po, dihet edhe e dhëna se parashihet të ndërtohet mbi kodrat e dheut, të krijuara prej hirit të qymyrit të djegur në termocentralet e KEK-ut. Por, nuk është bërë akoma përgatitja e dosjes së tenderit dhe as që bëhet fjalë për përzgjedhjen e punëkryesit të këtij parku solar.

Edhe për projektet e tjera të apostrofuara këtu, nuk dihet, së paku opinioni nuk di se në çfarë fazash të realizimit gjenden ato. Realizimi i projekteve të apostrofuara nga ministrja, siç është impianti ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MË që do t’u shërbejë rreth 60.000 qytetarëve në Prishtinë, dhe Investimi më i madh në historinë e Republikës së Kosovës në energji, që veçohet nga Rizvanolli, ”Programi Kompakt me MCC-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori”, janë projekte që nuk varen nga Qeveria jonë, por nga investuesit, ata të jashtmit, të cilët kanë shprehur gatishmërinë që të mbështesin financiarisht këto projekte.

Po e përsërisim për të satën herë: Në Kosovë ende, as në vitin e kaluar, as në këta muajt e shkuar të 2023-tës, nuk është bërë asnjë nismë ndërtimore, nuk është vënë asnjë gurthemel për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë së gjelbër, ndërkohë që në shumë shtete të botës “po shfaqet një ekonomi e re globale e energjisë së pastër”, duke e bërë real dhe evident një ndryshim të mrekullueshëm dhe dramatik në ngritjen e kapaciteteteve të reja të energjisë së rinovueshme. Dhe, përkundër se Kosovës i duhen kapacitete të reja energjetike urgjentisht, edhe sosh të energjisë së rinovueshme, por edhe përkundër se Kosova ka mundësi reale që 2-3 kapacitete 100 megavatësh të energjisë së rinovueshme t’i ndërtojë edhe me para vetanake, të cilat siç dihet, po qëndrojnë në stoqe dhe të pashfrytëzuara me muaj e vite, edhe pse janë të dedikuara për investime kapitale.

Në këtë mënyrë, duket e zymtë, e zbehtë dhe thuaja e parealizueshme perspektiva e premtuar për impiante të reja, dhe patjetër vështirë e realizueshme sipas datave dhe afateve të apostrofuara nga kryeministri Kurti se parashikohet “për më pak se 10 vjet, më shumë se 1.300 megavatë të prodhuar nga energjitë e rinovueshme”, sikundër që janë të diskutueshme premtimet e ministres Artane Rizvanolli dhe parashikimet ambicioze të vijëzuara në Strategjinë energjetike të Kosovës 2022 – 2023, që siç dihet, objektiv strategjik ka dekarbonizimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme, derisa Kosova ka mungesë të vazhdueshme të energjisë elektrike. Gjithsesi, do të ketë mungesë edhe gjatë dimrit të pritshëm, kur në Kosovë dyfishohet konsumi i rrymës. /Buletini Ekonomik/