Rifillon ngritja e çmimit të vezëve në Kosovë

Ka sa ditë, më saktësisht që nga fundi i korrikut dhe fillimi i gushtit, në tregjet e Kosovës (në shitore të specializuara, në minimarkete, markete dhe megamarkete, në tregje të gjelbra) çmimet e ulura të vezëve gjatë qershorit, që për ca ditë prekën minimumin prej 2 eurosh për një ambalazhim prej 30 copë të këtij produkti, tani të njejtat kushtojnë 3 euro. Kjo i bie saktësisht ngritje çmimi 50 për qind.

Buletini Ekonomik

Ka ditë që në tregjet e Kosovës (në shitore të specializuara, në minimarkete, markete dhe megamarkete, në tregje të gjelbra) ka nisur të ngritet ndjeshëm çmimi i vezëve. Ka sa ditë, më saktësisht që nga fundi i korrikut dhe fillimi i gushtit, në zingjirin e shitoreve të specializuara të një prodhuesi produktesh të shpezëve me emër në Kosovë, që në një farë mënyre vlerësohet ndër konsumatorë dhe shërben si referencë për të parë ecurinë e çmimeve të produkteve të shpezëve, e sidomos të vezëve, çmimet e ulura gjatë qershorit, që për ca ditë prekën minimumin prej 2 eurosh për një ambalazhim prej 30 copë të këtij produkti, tani të njejtat të kushtojnë 3 euro.

Reklama e sponzorizuar

Kjo i bie saktësisht ngritje çmimi 50 për qind. Duhet konstatuar se kjo rritje është bërë gradualisht. Fillimisht, diku kah gjysma e korrikut, çmimi prej 2 eurosh për 30 copë vezë u ngrit në 2,20 euro, pastaj në 2,50, në 2,70 për të arritur në nivelin aktual që është 3 euro për 30 copë vezë.

Përafërsisht me të njëjtin çmim, rreth 3 euro, këto ditë, 30 copë vezë po tregtohen edhe në shtandet e tregjeve të gjelbra, por edhe në minimarkete, markete dhe supermarkete të shumta të Prishtinës. Ndërkaq, supermarketët dhe qendrat e mëdha tregtare ku dominojnë produktet ushqimore, çmimin e vezëve edhe tani në raste po e përdorin dhe po e shfrytëzojnë për të promovuar ulje çmimesh (të ashtuquajturat aksione), ku 30 copë vezë mund të gjenden mbase edhe nën çmimin e 3 eurove.

Të përkujtojmë se po në këtë rrjet shitjeje të këtij prodhuesi të njohur të produkteve të shpezëve në vend, gjatë një periudhe të caktuar të dimrit (diku kah dhjetori 2022 dhe janari 2023) 30 copë vezë kanë kushtuar 3,5 euro, 4 dhe edhe 4,2euro. Siç dihet dhe siç raportonin mediet dhe ASK-ja, nëpërmjet raporteve të përditësuara të evidencimit të çmimeve të produkteve ushqimore, në muajt e fundit në vitin e kaluar (2022), e sidomos në prag të festave të fundvitit ka pasur rritje ekstreme të çmimit të vezëve.

Në këtë kohë, në dhjetor të 2022-tës, 30 copë vezë në ca markete dhe supermarkete të kryeqytetit kanë kushtuar saktësisht 4.49 euro deri në 5,5 euro. Çmimet enorme të larta në dhjetor të vitit të kaluar i ka evidencuar edhe ASK-ja, sipas raportit të së cilës më 15-20 djetor një komplet me vezë ka kushtuar 4 euro e 29 centë.

Dhe, po sipas ASK-së (përditësimit të çmimeve nga ASK-ja të produkteve bazike), është konstatuar se lëvizja më e madhe e çmimit në gjysmën e dytë të dhjetorit 2022 është shënuar pikërisht tek vezët. Nuk ka shpjegime meritore nga tregtarët për fluksin e rinisjes së ngritjes së çmimit të vezëve në Kosovë. Për shkaqet e rikthimit të çmimeve të ngritura të vezëve, pas uljes që u shënua për disa jave në pranverë dhe fillimin e stinës së verës, askush nga tregtarët, pos hamendësimeve, nuk ka ndonjë shpjegim të saktë. Shumë tregtarë, theksojnë se rëndom, në këtë sezon, në pranverë, bie çmimi i vezëve.

Sidoqoftë, siç dihet në Kosovë ka prodhues të shumtë dhe me kapacitete të mëdha të pularive, dhe vërehet gjithandej se tregu i vendit është i mbushur me këtë produkt, ku dominojnë vezët e prodhuara në vend. Por, nëse vazhdon edhe më rritja e çmimit të vezëve, edhe suksesivisht, siç ndodhi këtyre ditëve, sipas njohësve të tregut dhe vrojtuesve më të vëmendshëm të lëvizjeve të çmimeve në tregjet e Kosovës, domosdo do të paraqitet nevoja për të importuar edhe vezë.

Gjithmonë, konkurrenca e krijuar qoftë edhe me import, ka qenë njëfarë stabilizatori i ecurive të çmimeve te shumë produkteve. Kështu ndodhi edhe në muajt e pranverës kur çmimi i 30 copë të vezëve kushtonin 2 euro dhe kur, shkaku i uljës së ndjeshme të çmimit të këtij prodhimi ishte kryekëput importi i një sasie të madhe vezësh dhe stërmbushja e tregut kosovar me këtë produkt. Dihet, se edhe Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia janë prodhues të mëdhenj të vezëve. Dhe në disa vite paraprake, shpesh herë Kosova ka importuar vezë nga këto vende. A do ta bëjë këtë në periudhën në vazhdim mbetët të shihët./Buletini Ekonomik/