Nga sot (1 gusht) ka hy në fuqi rregullorja e re për bankat në Kosovë. Bazuar në këtë vendim, bankat duhet të ofrojnë shërbime bazike pa pagesë për qytetarët, shkruan Insajderi.
Sipas të dhënave të publikuara nga BQK, qytetarëve do t’iu mundësohet që pavarësisht rrethanave financiare të tyre, statusi i punësimit apo niveli i të ardhurave të mund të kenë qasje në llogari pagese me shërbime bazike.
Kjo rregullore është përpiluar me qëllim që të përcaktojë kushtet për qasjen e konsumatorëve në llogari pagese me shërbime bazike.
Llogaria e pagesave me shërbime bazike përfshin të paktën shërbimet si në vijim:
1. shërbimet që mundësojnë të gjitha operacionet e kërkuara për hapjen, operimin dhe mbylljen e një llogarie pagese;
2. shërbimet që mundësojnë deponimin e fondeve në llogari pagese, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të Rregullores për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike;
3. shërbimet që lejojnë tërheqjen e parave nga llogaria e pagesës, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të Rregullores për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike.
4. Ekzekutimin e transaksioneve të mëposhtme të pagesave:
4.1. debitimin direkt;
4.2. transaksionet e pagesave përmes një kartele, përfshirë pagesat në internet;
4.3. transferet e kreditit brenda bankës, duke përfshirë urdhëresat automatike, aty ku është e mundur në bankomatë (ATM), dhe në sportelet e bankës ose përmes platformave online;
Grup i konsumatorëve të cenueshëm konsiderohen grupet të cilët përfitojnë:
- Pensione:
• Pensioni bazë;
• Pensioni kontribut pagues;
• Pensioni për persona me aftësi të kufizuar të rritur;
• Pensioni për persona me aftësi të kufizuar paraplegjik dhe tetraplegjik;
• Pensioni për persona me aftësi të kufizuar – fëmijë; Pensionet e parakohshme të kompleksit Trepça;
• Pensionet e pjesëtareve të TMK-së; Pensioni i forcës së sigurisë FSK-së;
• Kompensimi për të verbër;
• Pensioni familjar;
• Pensioni i invalidëve të punës;
• Pensioni i familjareve të dëshmorëve;
• Pensioni i invalidëve të luftës;
• Pensioni i viktimave civile;
• Pensioni i invalidëve civilë;
• Pensioni i të zhdukurve të luftës;
• Pensioni i veteranit luftëtar të UÇK-së;
- Ndihma sociale;
- Grupet tjera të cenueshme që mund të parashihen me legjislacion në Republikën e Kosovës; të konfirmuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Më poshtë gjeni detajet nga rregullorja e re:
Kujtojmë se Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës më 20 dhjetor 2022 ka miratuar Rregulloren për shërbime bazike, ndërkaq zyrtarisht neni 5 paragrafi 4 do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.