Telekomi i Serbisë paralajmëron ankesë kundër vendimit për anulimin e MTS në Kosovë

Drejtori i përgjithshëm i Telekomit të Serbisë (MTS), Vlladimir Lluçiq, ka deklaruar se kompania ka afat prej 30 ditësh për ankesë kundër vendimit të Kosovës për anulimin e MTS në Kosovë dhe shpreson se bashkësia ndërkombëtare “do të jetë në anën e saj”.

“Në rast se ata refuzojnë ankesën, ne përmes gjykatës në Prishtinë mund të kërkojmë masë të përkohshme për ta penguar këtë vendim sepse kompanisë sonë po i bëhet dëm i pariparueshëm. Ne i kemi këto dy hapa ligjorë për të parandaluar këtë vendim”, ka thënë Lluçiq për Radio Televizionin Serb.

Sipas tij, vendimi për fshirjen e MTS nga Agjencia për Regjistrim të Bizneseve të Kosovës (ARBK) është marrë për shkak se regjistrimi i kompanisë nuk është i saktë, gjegjësisht për shkak se në pasaportën e njërit prej anëtarëve të menaxhmentit të saj shkruhet “Mitrovica e Kosovës, Republika e Serbisë”.

Reklama e sponzorizuar

“Është një vendim i paligjshëm, shkelje e Marrëveshjes së Brukselit dhe marrësit e këtij vendimi duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë. Mbyllja e sinjalit celular për personat që kanë lidhje me Serbinë, dhe të sinjalit televiziv – që njerëzit të mos kenë më mundësi të shikojnë TV nga Serbia, në mënyrë efektive ndërpret një popullatë nga komunikimi”, ka thënë drejtori i Telekomit të Serbisë.

RTS thekson se në këtë mënyrë “janë cenuar” 50.000 përdorues të telefonisë mobile, 30.000 përdorues të televizionit kabllor dhe të internetit në zonat serbe në Kosovë, si dhe rreth 250 punonjës të kësaj kompanie.