Brutaliteti dhe pasojat e kapitalizmit të egër në Kosovë

Punëtorët teknikë (të pastrimit të ambienteve të punës) dhe ata të sigurimit fizik të angazhuar tashmë në të shumtën e rasteve si kontraktues nga ndërmarrje dhe institucione të ndryshme publike, vazhdojnë të protestojnë dhe të paraqesin kërkesat e tyre më modeste dhe më të ligjshme të mundshme- pagesa më dinjitoze dhe kushte më të mira të punës.

Mehmet GJATA

Dy protesta të ndodhura këtyre ditëve, më saktësisht të premten e kaluar dhe në fillim të kësaj jave, e para e punëtorëve të sigurimit fizik në KEK dhe e dyta e punëtorëve teknikë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, janë vetëm vazhdim i protestave të numërta të ndodhura për gjatë gjthë këtyre muajve dhe viteve më herët të kësaj kategorie punonjësish që vazhdojnë të paguhen dhe të trajtohen fare keq tash e 23 vjet nga punëdhënësit, kapitalistët e egër kosovarë.

Punëtorët e revoltuar dhe të cilët dihen nga të gjithë, edhe nga zyrtarët, gjithsesi, se trajtohen si është më së keqi për punën e mundimshme që e bëjnë, janë kryesisht të sektorit të pastrimit dhe atij të sigurimit fizik. Dhe këta punëtorë nuk prajnë së ankuari sikundër që ankesat e tyre bien gjithnjë në vesh të shurdhër, dhe zyrtarëve, të cilëve iu drejtohen këto ankesa, as që u ka shkuar ndër mend ndonjëherë të preokupohen me to dhe as që denjojnë të gjejnë ndonjë zgjidhje, madje as t’i kthejnë ndonjë përgjigje protestuesve të lodhur nga mospërfillja e punëdhënësit dhe e shtetit për hallet e tyre.

Reklama e sponzorizuar

Dhe, hallet e tyre vazhdojnë të jenë pagesat mizërisht të ulëta dhe kushtet e mjerueshme të punës. Prandaj punëtorët e sigurimit fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës, për të tretën herë radhazi brenda këtij viti, dolën në protestë, duke kërkuar me ngulm kthimin e tyre në kuadër të KEK-ut, që nënkupton pagesë më të mirë, por edhe trajtim më dinjitoz te ish-punëdhënësit të tyre.

Është e kuptueshme pra se ata vazhdojnë të protestojnë për të pasur pagesë më të pranueshme se ata te punëdhënësit aktual privat dhe që ende nuk e kanë të qartë që askund në mbarë botën më nuk ka rroga të nivelit që u jep ai dhe askund në botë punëtorët nuk trajtohen, siç i trajton ai dhe disa “kolegë” të tij”.

Edhe në protestën e punëtorëve teknikë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, të organizuar të martën (26 shtator 2023) u kërkua pagë më dinjitoze dhe kushte e trajtim më të mirë nga punëdhënësit.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha se punëtorët po kërkojnë rritje të pagave në 300 euro bruto.

Nuk ka kërkesë më modeste sot, në rrethanat e çmimeve astronomike të të gjitha produkteve dhe të shërbimeve dhe të rrënimit evident të miqëqenies së kosovarëve të rëndomtë se sa kjo kërkesë. Dhe këtë kërkesë, sërish vështirë se do ta realizojë punëdhënësi i egër kosovar, për shkakun e vetëm se s’ka normë, as standard, as masë zyrtare që do ta detyronin atë për ta plotësuar këtë kërkesë fare modeste të protestuesve. Ndërkohë, punëdhënësi e ka të qartë se protestuesit, punëtorët që ai vazhdon t’i trajtojë egërsisht, nuk kanë ka t’ia mbajnë, përkundër kërcënimit të tyre se “protestat e grevat nuk do të ndalen dhe se nëse nuk realizohen kërkesat mund të ketë lëshim kolektiv të vendeve të punës”.

Punëdhënësit e këtyre punëtorëve të trajtuar keq, që po dominohen nga ata të sigurimit të objekteve dhe punëtorët teknik (lexo të pastrimit), që janë rëndom kontraktues nga ndërmarrje dhe institucione publike, nuk do të kishin mundësi të silleshin kaq egër dhe kaq brutalisht me punëtorët, po të mos ishin në njëfarë mënyrë ‘të ndihmuar” nga ndërmarrja, apo institucioni publik, që kanë zgjedhur rrugën më oportuniste për të angazhuar një punëdhënës të punëtorëve teknik, dhe pa asnjë verifikim paraprak, ose me lidhje e lidhje nepotiste e përtej, i cili më pastaj ka menaxhuar me ligje të veta me punëtorët, pa respektuar asnjë normë dhe të drejtë të marrëdhënies së tyre të punës.

“Me një të rame dy të vrame”, pra, institucionet publike edhe heqin përgjegjësinë nga vetvetja për pastrimin, edhe “rahatojnë” një punëdhënës keqpërdorues ordiner të të drejtave të punëtorëve, në radhë të parë duke përfituar nga pagesat tepër të ulëta të punëtorëve dhe nga trajtimi i egër i tyre, pa asnjë verifikim real paraprak.

Sipas të dhënave, në Universitetin e Prishtinës shërbimi i pastrimit dhe mirëmbajtjes është privatizuar në vitin 2008 dhe prej atëherë nuk ka pasur asnjë stimulim, as simbolik madje, për 120 punëtorët që pastrojnë ambientet e universitetit, të cilët vazhdojnë të punojnë me paga që mezi u sigurojnë mbijetesën atyre.

Ky sektor dhe ai i sigurimit fizik ka kohë që janë dy sektorët me pagat më të ulëta në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovë, në një intervistë të mëhershme për Buletinin Ekonomik.

Sipas tij, ata janë të paguar keq, në raste të caktuara pa kontrata dhe shumë herë edhe të bullizuar për punën që bëjnë. Një kohë të gjatë, paga e tyre mujore ka qenë 180 euro.

Edhe punëtorët që mirëmbajnë dhe pastrojnë ndërtesën shumëkatëshe të Qeverisë së Kosovës, punojnë në kushte të rënda. Vetëm dymbëdhjetë punëtorë pastrojnë 15 katet e ndërtesës së Qeverisë me një pagë prej vetëm 185 euro neto në muaj, përkundër faktit se bëhet fjalë për të njëjtën kompani që e ka fituar tenderin edhe në Universitet, raportonte Buletini Ekonomik në një shkrim hulumtues dhe më analitik.

Ndërkohë, propozimi i qeverisë që paga minimale të rritet në 264 euro bruto (paga minimale në Kosovë deri sa është bërë ky propozim ka qenë 170 euro për personat mbi 35 vjeç dhe 130 euro për personat nën moshën 35 vjeçare), i cili është i përfshirë dhe në Programin Qeveritar 2021-2025, ende ka mbetur pezull, për shkak të dërgimit të këtij Ligji në Kushtetuese nga ana e subjekteve opozitare.

Te punëtorët e sigurimit fizik, sipas kryesindikalistit, një pjesë bukur e madhe e tyre janë të palicencuar, ndërsa ankesa e tyre e vazhdueshme vazhdon të jetë puna jashtë orarit por që nuk paguhet, ani pse parashihet me Ligjin e Punës.

“Mesatarisht një punëtor i sigurimit fizik punon 250 orë në muaj. Nganjëherë shkon edhe 290 orë në muaj. Ka raste, kur një punëtor që ka punu 2 ditë pa ndërprerë. Punëtorët e sigurimit fizik janë duke u keqpërdorur keq”, saktëson Jusuf Azemi.

Shkelja evidente e të drejtave të këtyre punëtorëve e “ndihmuar” me indolencën deri në përbuzje të shtetit ndaj punëtorëve që punojnë në sektorët e pastrimit, por në shumë raste edhe të sigurisë, ka muaj që ka zënë të lë pasoja evidente, sidomos nëpërmjet braktisjes së tyre të vendeve të punës dhe ikjes së tyre nga vendi. Tani, kompanitë që kanë menaxhuar brutalisht raportet me punëtorët kanë zënë të ndiejnë më shumë mungesën e punëtorëve. Dhe, do ta ndiejnë edhe më shumë pas 1 janarit të 2024-tës, kur fuqizohet liberalizimi i vizave edhe për kosovarët.

Në fillim të vitit të ardhshëm, shumë kompani dhe punëdhënës nuk do të kenë shumë raste më as për ta shpërfaqur brutalitetin e deritashëm dhe sjelljen e egër ndaj të punësuarve, nuk do të kenë raste as të aplikojnë pagesa minimale, as punë pa kontratë, keqtrajtime e keqpërdorime të tjera. Sepse, ka gjasë që nuk do të ketë punëtorë në Kosovë, ndaj të cilëve kanë shpërfaqur deri më tash tërë përmasat e kapitalizmit brutalisht të egër. /Buletini Ekonomik/