Prej 96,995 bizneseve aktive në Kosove, 78.7 për qind janë në pronësi të burrave, 18 për qind të grave dhe pjesa tjetër janë në bashkëpronësi.
Kështu thuhet në raportin “Profilet e bizneseve: Ndërmarrësia e grave dhe pakicave etnike në Kosovë” të prezantuar nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, duke shtuar se rreth 5.4 për qind e bizneseve janë në pronësi të pakicave etnike.
“Afër 98 për qind e bizneseve të grave janë mikro me numër të punëtorëve prej 9 ose më pak. Prej bizneseve të çregjistruara, jetëgjatësia mesatare për bizneset e grave është 4.36 vjet, kurse për burra 8.1 vjet”, thekson Instituti GAP, shkruan Telegrafi.
Brenda dy dekadave, janë shuar 33 mijë biznese.
“Në Kosovë janë 33 mijë biznese të shuara nga viti 2000 deri në mars 2023. Prej tyre, 64 për qind janë në pronësi të burrave, 12 për qind janë në pronësi të grave, 0.3 për qind janë në pronësi të paktën të një gruaje dhe për 23.7 për qind të bizneseve nuk dihet gjinia e pronarëve”, vijon raporti.
Bazuar në gjetjet e raportit, Instituti GAP rekomandon që Qeveria e Kosovës të ofrojë një përkufizim të saktë të asaj që konsiderohet “biznes aktiv” dhe të ofrojë mekanizma për mbledhjen e të dhënave të besueshme në mënyrë që të shmangen mospërputhjet e të dhënave, si në këtë rast ku shifrat e ofruara nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, Administrata Tatimore dhe Agjencia e Statistikave nuk përputhen.
Të kuptuarit e profileve të bizneseve në pronësi të grave dhe në pronësi të pakicave, sipas GAP-it mund të ndihmojë Qeverinë dhe palët e tjera të interesuara të hartojnë dhe zbatojnë politika dhe programe që mbështesin në mënyrë adekuate këto kategori të bizneseve. /Telegrafi/