Pak a shumë kjo gjendje në procesin e prodhimit të KEK-ut, në njëfarë mënyre është e kushtëzuar për shkak të riparimeve të stërzgjatura dhe të detajuara të bllokut B1 dhe ruajtjes së freskisë së A5-shit të Kosovës A për dimrin e pritshëm. B2 –shi pritet të rikthehet në prodhim diku në gjysmën e parë të nëntorit.
Buletini Ekonomik
Kosova ka një kohë të gjatë që po furnizohet me energjinë elektrike të prodhuar vetëm nga dy blloqet e termocentraleve Kosova A (A3 dhe A4) dhe të bllokut B2 të Kosova B, dhe në rast nevoje, përkatësisht kur në konsumin e vendit në ndonjë rast rritet shumë shpenzimi i rrymës edhe me energjinë e siguruar me import nga KEK-u. Kjo situatë është tani e disa muaj për shkak se blloku B1 i termocentraleve Kosova B, është në një remont më të detajuar dhe si i tillë, ka marrë shumë kohë sikundër edhe remonti paraprak identik i B2-shit (rreth 3 muaj e më shumë ditë), ndërsa edhe blloku A5 i termocentraleve Kosova A ka pokështu një kohë të gjatë që gjendet jashtë prodhimit.
Për këtë të fundit, shkakun pse A5-shi po qëndron jashtë operimit, nga zyrtarët e KEK-ut disa herë është thënë se “pasi që kapacitetet ekzistuese që janë në prodhim (B2 dhe A3 e A4) përafërsisht po i plotësojnë nevojat e konsumit që gjatë ditëve të ngrohta nuk ka ndonjë lëvizje të theksuar, po mendohet që A5-shi të ruhet sa më shumë që është e mundur për ditët e dimrit, kur pritet të rritet konsumi.
Siç po shihet pra, pak a shumë kjo gjendje në procesin e prodhimit të KEK-ut, në njëfarë mënyre është e kushtëzuar për shkak të riparimeve të stërgjatura dhe të detajuara të bllokut B1 dhe ruajtjes së freskisë së A5-shit të Kosovës A për dimrin e pritshëm. Kështu, deri sa të rikthehet në sistem të prodhimit pas riparimit – Blloku B2, që ka kapacitet 260 megavatë-orë dhe riaktivizimit të A5-shit, Kosova do të vazhdojë të furnizohet vetëm nga prodhimi i njësive A3 dhe A4 të termocentraleve Kosova A, që secila prej tyre prodhojnë nga 130 megavatë-orë veç e veç, ose bashkarisht 260 megavatë.
Një sasi që është thuaja minimaliste prej dhjetëra megavatësh po prodhohet edhe nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme, minihidrocentralet dhe parqet e energjisë së erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës.
Skënder Bucolli, zyrtar për informim në KEK, ka ritheksuar edhe sot për Buletinin Ekonomik se “edhe pse ende janë jashtë prodhimit dy njësitë e sipërpërmendura, nuk ka pasur gjatë këtyre ditëve ndonjë furnizim të mangët, as të reduktuar”.
Sasia e prodhuar në blloqet A3 dhe A4 si dhe në B2-sh, si dhe sasia edhe pse minimale nga kapacitet e energjisë së rinovueshme, kanë përmbushur në të shumtën kërkesat e konsumit. Por, sipas Bucollit, gjithmonë, KEK-u ka qenë fare i gatshëm, që në rast të nevojës së konsumit për më shumë energji elektrike, ta importojë atë.
Zëdhënësi i KEK-ut ka thënë po ashtu sot për Buletinin Ekonomik se po punohet me intenzitet të shtuar nga ekipet e mirëmbajtjes së KEK-ut, dhe nëse të gjitha punët, vijojnë të zhvillohen sipas planifikimeve, pritet që blloku B1 të aftësohet dhe të rikthehet në prodhim diku në gjysmën e parë të muajit vijues, të nëntorit pra.
Ndryshe, sot, në bursën hungareze HUPX, nga e cila rëndom importon Kosova energji elektrike, një megavatë-orë, gjatë orëve të ditës sot ka kushtuar, 123 euro (ndërsa gjatë ditës së djeshme çmimi në këtë bursë ishte 103, ndërsa pardje, të dielën 68 euro), ndërsa gjatë kohës së pikut, për çudi ky çmim ishte 120 euro. Rëndom, në orët e pikut, energjia kushton më shumë, por ka ditë që çmimi i rrymës gjatë orëve të pikut në bursën hungareze të jetë ndjeshëm më i ulët se në orët e ditës (të dielën, bie fjala gjatë orëve të pikut çmimi i një megavati ka kushtuar 45 euro).
Ndërkaq, ndryshe qëndron puna në Bursën Shqiptare të Energjisë, ALPEX. Atje çmimi për një magavat energji elektrike, sot kushton dukshëm më shtrenjtë në disa orë të caktuara gjatë ditës, sesa në Bursën Hungareze. Në mëngjes, çmimi i një megavati në këtë bursë sillej nga 70 deri në 150 euro, ndërsa më vonë, më saktësisht në orën 19:00, pra në mbrëmje sipas kësaj burse, çmimi për megavat do të shkojë deri në 300 euro. /Buletini Ekonomik/