Mbi 100 mijë të rinj në Kosovë pa punë, që nuk ndjekin shkollim apo ndonjë trajnim

Mbi 100 mijë të rinj të moshës 15 deri 24 vjeç, janë jashtë tregut të punës, jashtë sistemit arsimor dhe jashtë çdo trajnimi që do t’i përgatiste ata për një vend pune në një të ardhme të afërt. E të ardhmen, ky grup i madh i të rinjëve në Kosovë, kryesisht e sheh duke braktisur vendin.

Mirjeta Shabani

Sherifi*, një djalosh nga fshati Parduz i komunës së Podujevës, është njëri prej të rinjëve që për një kohë të gjatë e ka menduar ikjen nga Kosova.

Që në shkollë të mesme, ai thotë se synim ka pasur gjithmonë që jetën dhe punën e tij ta ndërtojë jashtë vendit. Tani pas përfundimit të shkollës së mesme, ai nuk ka aplikuar fare për t’u regjistruar si student në ndonjë prej Universiteteve në Kosovë, për shkak se sipas tij, çfarëdo pune të bësh në Kosovë dhe çfarëdo fakulteti të kryesh, nuk mund ta ndërtosh një jetë të mirë e me të ardhura të kënaqshme për familjen.

“Prej se jam rritë, gjithmonë kam pas qef me dal jasht. Këtu as nuk të paguhet puna mjaftueshëm, as nuk ka rregulla të punës, as kushte, as ligj, as kurgja. Ka shumë mangësi”, thotë 20 vjeçari.

Reklama e sponzorizuar

Tashmë, Sherifi tregon se është duke e pritur edhe miratimin përfundimtar për vizë pune në Slloveni dhe së shpejti pritet që të emigrojë atje, ku edhe pret të fillojë një etapë të re të jetës së tij.

Sherifi nuk është paraqitur për të kërkuar punë as në Agjencinë e Punësimit në komunën e Podujevës, pasi siç thotë, me pagat që jepen në Kosovë nuk mund t’i kryejë as obligimet më të thjeshta të familjes, që përfshijnë në shumicë – fatura dhe ushqim.

“Çka me ba me ato pak pare? A me pagu udhëtimin, ushqimin apo me ju ndihmu familjes për fatura a najsen? Nuk mbesin asnja…”, thotë ai me një ton dëshpërues për Buletinin Ekonomik.

Ndonëse zyrtarisht i papunë, ai megjithatë i ka ndihmuar babait të tij në punë fshati dhe me bagëtitë, prej të cilave ata sigurojnë jetesën kaherë.

“Me këto punë edhe jam shkollu deri tash, prej të hyrave që kemi siguruar nga puna e fshatit”.

Si Sherifi, edhe mijëra të rinj të tjerë në Kosovë, e mendojnë jetesën jashtë vendit të lindjes. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave në Kosovë (ASK), vetëm gjatë vitit 2021 – nga Kosova kanë emigruar mbi 42 mijë persona, në mesin e tyre edhe shumë sosh që kanë lënë punët e tyre në Kosovë për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë Kosovës. Ndërsa, në vitin 2022, rreth 60 mijë persona kanë lëshuar Kosovën.

Por, Sherifi bën pjesë në një kategori tjetër. Ai bashkë me mbi 100 mijë të rinjtë e tjerë, bëjnë pjesë në kategorinë NEET, ku përfshihen persona prej moshës 15 deri në 24 vjeç që nuk janë as të punësuar, as në arsim apo as duke përcjellur ndonjë trajnim.

“Në tremujorin e tretë të vitit 2022, 104, 021 të rinj (të moshës 15 deri 24) në Kosovë nuk ndiqnin shkollimin, nuk ishin të punësuar apo në trajnim dhe përbënin 34.3% të popullsisë së re. Pjesa e femrave NEET është 34.9% krahasuar me 33.8% të meshkujve”, thuhet në raportin e fundit të ASK-së për fuqinë punëtore në Kosovë.

Sipas vështrimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ky numër i të rinjëve në këtë kategori janë në rrezik të përjashtimit social dhe cilësohen si individë me të ardhura nën kufirin e varfërisë dhe të rinj me mungesë aftësish për të përmirësuar situatën e tyre ekonomike.

Përqindjet e larta të këtij grupi në popullsinë e të rinjve, siç thonë nga ASK-ja, rrisin shqetësimet në lidhje me punësimin e të rinjve në të ardhmen pasi tregon shkëputje nga tregu i punës.

Sipas të dhënave më të fundit nga ASK-ja rreth tregut të punës në Kosovë, shkalla e papunësisë tek të rinjtë deri në fund të tremujorit të tretë të vitit 2022, ishte 15.1% nga 31.4% sa ishte shifra e të rinjëve të papunë në tremujorin e parë.

Prej kësaj përqindjeje, 47.3% e të rinjve të moshës 20-24 vjeç, ishin të papunë afatgjatë për më shumë se një vit. Shkalla e papunësisë tek rinia e gjinisë femërore ishte më e lartë prej 22.2%, krahasuar me meshkujt prej 11.3%.

Ndërkaq, në terma të përgjithshëm, shkalla e papunësisë në Kosovë deri në fund të tremujorit të tretë të 2022-ës, ka qenë 10.8 për qind, që po vlerësohet se është më e ulëta gjatë gjithë periudhës së pasluftës, përcjell Buletini Ekonomik.

Nga të dhënat e ASK-së saktësohet tutje se nga mbi 1.2 milion qytetarë në moshë pune që janë aktualisht në Kosovë, mbi 417 mijë (34.7%) ishin të punësuar në tremujorin e tretë të vitit 2022, në krahasim me 380 mijë (34.7%) sa ishin në tremujorin e parë të këtij viti, kurse 50 mijë e 693 (10.8%) të tjerë ishin të papunë në këtë periudhë, krahasuar me 77 mijë (16.6%) sa ishte numri i tyre në Tremujorin e parë të vitit 2022.

Rritje emigrimi apo punësimi?

Ka një debat polemizues nëse në Kosovë kemi pasur rritje të punësimit apo ikje të të rinjëve vitin e fundit, që ka shkaktuar pastaj efekte tjera në punësim.

Sipas Edison Jakurtit, njohës i ekonomisë, papunësinë në Kosovë në këto shifra të ulëta, nuk e ka zvogëluar punësimi, por sipas të gjitha kalkulimeve të ASK-së, e ka zvogëluar emigrimi i qytetarëve në vendet perëndimore.

Ai në analizën e tij rreth Tregut të punës në Kosovë së fundmi, ka treguar se për tri vite në Kosovë, shkalla e papunësisë është zvogëluar për rreth 56 për qind, nga 24.5% sa ishte më 2019, në 10.8% në tremujorin e tretë të 2022-ës.

“Përderisa në 3 vitet e fundit, gjithnjë sipas ASK-së, numri i të papunësuarve është zvogëluar për mbi 73 mijë, numri i të punësuarve është rritur për rreth 35 mijë. Çka ka ndodhur me më shumë se gjysmën tjetër? Ose janë bërë joaktiv – pra kanë hequr dorë së kërkuari punë në Kosovë, ose tashmë janë larguar nga Kosova”, elaboron ai.

Një pasqyrë e ngjashme mund të shihet edhe tek krahasimi që ka bërë Jakurti nga viti në vit. Sipas të dhënave të tij të nxjerra nga ASK-ja, vetëm mes vitit 2021 dhe 2022, numri i të papunësuarve në vend ka rënë për mbi 38 mijë, por numri i të punësuarve është rritur për më pak se 3 mijë, ndërkohë që numri i personave joaktiv ka rënë për mbi 2 mijë, e që përgjigja e rënies së këtyre shifrave, ai thotë se është tek ndryshimi që ka ndodhur tek popullsia në moshë pune.

Në anën tjetër, mbi 733 mijë (61.1%) qytetarë të tjerë në Kosovë janë ekonomikisht joaktivë dhe janë të dekurajuar për punë. Punonjës të dekurajuar, sipas ASK-së, janë personat që nuk kanë punë, por të cilët aktualisht janë të gatshëm për punë, por që kanë hequr dorë së kërkuari punë sepse besojnë se nuk mund të gjejnë punë.

Kujtojmë se sipas statistikave zyrtare, dy e treta e popullsisë së Kosovës është në moshë pune (15-64 vjeç), dhe ky numër i popullsisë në moshë pune pritet të rritet shpejt gjatë dekadës së ardhshme, pasi Kosova është ndër vendet me popullsinë më të re në Evropë.

Dallimet gjinore “lënë anash” dëshirën e vajzave të reja për të punuar në Kosovë

Ekzistojnë dallime të mëdha gjinore në tërë tregun e punës në Kosovë.

Arjana*, një vajzë 18 vjeçare nga Vushtrria, thotë ka mosbesim të thellë në sistemin e punës në Kosovë, ani pse ajo ende s’ka filluar as shkollimin e lartë. Edhe pse thotë se vet nuk ka aplikuar për punë në shumë vende, ajo tregon se e ka të njohur pak a shumë procedurën e punësimit në Kosovë nga familjaret e saja gra dhe tashmë është edhe vet e dekurajuar për të kërkuar punë në Kosovë në të ardhmen.

Sipas saj, pranimi në punë në Kosovë, sidomos në sektorin publik, përcillet me shumë parregullësi, duke filluar nga “të njofshmit” që po ua zënë vendin e punës atyre që njëmend e meritojnë, pastaj kushtet e punës larg nga ato në shtetet e Evropës e deri tek dallimet gjinore në disa sektorë etj.

“Edhe në mjekësi, po edhe në shumë sektorë të tjerë gjasat për t’u pranuar në punë, gjithmonë janë më në krah të meshkujve, kjo dihet…”, thotë ajo shkurt.

Ajo për momentin është duke pauzuar nga shkollimi i lartë deri vitin tjetër për shkaqe familjare, por ky vit pritet që t’i shkojë asaj për përgatitjen për regjistrim në Fakultetin e Mjekësisë në vitin tjetër akademik.

Por, edhe Arjana ka synim punësimin jashtë vendit në sektorin e shëndetësisë, pasi të mbarojë shkollimin.

“Unë, si vajzë e re shembull, s’kisha dasht me punu në Kosovë me qito kushtet aktuale, ku ma së pari nuk vlerësohesh as nuk paguhesh mirë për punën që e bon, e mos të flasim për parregullsitë e tjera. Kur nuk na vlerësojnë, pse mos me dal edhe na jashtë e mu ngrit në karrierë?”, pyet retorikisht ajo.

Sipas ASK-së, nga e gjithë popullsia në moshë pune, vetëm 19.1% e femrave ishin të punësuara në TM3 2022, në krahasim me 50.8% të meshkujve të punësuar në moshë pune. Në përgjithësi, në mesin e personave në fuqinë punëtore, papunësia është më e lartë për femrat se sa për meshkujt, 15.5% (21, 303 femra) krahasuar me 8.9% te meshkujt (29, 390).

Ndërkaq, sa i përket popullsisë së re ku përqindja e papunësisë është 15.1%, shkalla e papunësisë tek rinia e gjinisë femërore është prapë më e lartë prej 22.2%, krahasuar me meshkujt prej 11.3%.

Një pozitive këtu është se në krahasim me me tremujorin e njëjtë të AFP-së të vitit të kaluar (TM3-2021) në Kosovë, në TM3-2022 është vërejtur rënie e shkallës së papunësisë me 6.9%, sidomos te gjinia femërore, ku kjo rënie është manifestuar me 8.4%, derisa te meshkujt ka qenë 6.4%.

Pasojat afatgjata nga kategoria NEET

Mosangazhimi i të rinjëve në punë, i shton problemet sociale në të ardhmen për këtë kategori që kalon mbi 100,000 mijë persona në Kosovë.

Artan Mustafa, ligjërues i politikave sociale, ka thënë për Buletinin Ekonomik se numri sa më i lartë i të rinjëve në Kosovë që bëjnë pjesë në kategorinë NEET, i kontribuon gjithnjë e më shumë rasteve sociale në të ardhmen.

Sipas Mustafës, arsyet kryesore që numri i të rinjëve në kategorinë NEET në Kosovë është shumë i lartë, janë fillimisht të drejtat e punëtorëve, mos deklarimi i punëtorëve, mbrojtja shumë e ulët e kontratave, hezitimi i punëdhënësve që të punësojnë të rinjtë për shkak se duhet të merren disa muaj me trajnimin e tyre për punë, hezitimi i punëdhënësve që të punësojnë gra të reja shkaku i obligimit të pagesës për pushimin e lehonisë etj.

“Shumica e atyre të rinjëve që punojnë, nuk e gëzojnë mbrojtjen e ligjeve të punës dhe sistemin e mbrojtjes sociale që ekziston, i cili është edhe ashtu shumë i dobët në Kosovë”, thotë Mustafa.

Madje, Mustafa thotë se sistemi i mbrojtjes sociale tek ne, nuk është edhe shumë i favorshëm ndaj të rinjëve që duan të punësohen.

Sipas tij, së pari Kosova nuk e ka as sigurimin e papunësisë, sepse është konsideruar se nëse krijohet një sistem i mbrojtjes sociale, qytetarët do të kenë më shumë taksa për të paguar. Pra, siç tregon Mustafa, logjika ka qenë që nëse krijon shteti sigurime sociale, ato më pas do ta rrisin koston në taksa dhe kjo do ta pengojë dhe do ta kufizojë rritjen e shkallës së punësimit. Mirëpo, edhe pse nuk i kemi krijuar këto sigurime, Mustafa pohon se shkalla e punësimit në Kosovë nuk është rritur në mënyrë radikale.

“Dmth, kjo teori që nëse ka sigurime sociale dhe e bën shtetin me mirëqenie sa më të vogël, do të rritet shkalla e punësimit, nuk qëndron. Programi i sigurimit social – është kur një punëtor e paguan nga paga e vet një përqindje çdo muaj deri në 1 përqind, ose varësisht sa caktohet nga punëdhënësi, njësoj sikurse tatimi në pagë dhe përqindja për kontributet pensionale, dhe në rast të ndonjë sëmundje apo në rast të pushimit mjekësor etj, të punësuarit i del paga çdo muaj nga ky program, dhe hiqet barra e punëdhënësit në këtë rast, që është një lehtësim i madh për punëdhënësit. Shumë shtete të Evropës e praktikojnë këtë program dhe ka efekt”, ka shtjelluar ai.

Mustafa thekson se pikat kryesore ku Qeveria e Kosovës do të duhej të fokusohej për adresimin e kësaj çështjeje, janë: maksimizimi i punësimit, sigurimet sociale, si dhe shërbimet universale për të gjitha shtresat që nga shkollimi i ulët (qasje njësoj në institucionet arsimore si për të varfërit, si për pasurit), etj.

Prandaj, sipas Mustafës, Qeveria e Kosovës duhet që në të ardhmen t’i kombinojë shumë masa dhe shumë programe, në mënyrë që të arrijë ta minimizojë shkallën e papunësisë tek këta të rinj.

A ofron “Superpuna” punësim për të rinjtë e kategorisë NEET?

Platforma “Superpuna” që nga lansimi i saj, nga institucionet qeveritare është thënë se i dedikohet më shumë personave të papunë të moshës 18 deri në 25 vjeç, që pak a shumë e mbulon një pjesë edhe të kategorisë NEET.

Pozitat e ofruara në këtë platformë përfshijnë punë si: kamarier, gazetar, kontabilist, asistent të shitjes, elektricist, e shumë profesione të tjera.

Pagat që i ofrojnë punëdhënësit e regjistruar në Superpuna nisin nga 264 euro – sa është subvencionimi nga Qeveria e pastaj një pjesë tjetër e pagës jepet nga punëdhënësi, që varësisht nga profesioni mund të shkojë deri te një pagë solide.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, së fundmi ka konstatuar se deri në fund të muajit qershor 2023, përmes Superpuna janë angazhuar në punë 5 mijë e 90 të rinj, prej të cilëve 2,327 vajza e 2,763 djem, kurse numri i punëdhënësve në platformë tashmë ka shkuar në 7 mijë.

Punëkërkuesi në këtë rast, nuk duhet të ketë qenë i punësuar në tre muajt e fundit, para regjistrimit në platformën “Superpuna”, ndërsa punëmarrësi obligohet t’i përmbushë të gjitha dispozitat e Ligjit të Punës në Kosovë.

Ministri Murati, në kohën kur është lansuar kjo platformë pati thënë se synim i autoriteteve është që në vitin e parë të punësojnë mbi 10 mijë të rinj, të cilët do të aftësohen dhe do të fitojnë përvojë pune.

Ndryshe, Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Financave se cilat janë politikat dhe strategjitë e planifikuara qeveritare për kategorinë NEET në të ardhmen, por edhe pas insistimeve të shumta, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Edhe Agjencia e Punësimit në Kosovë është një platformë pune që shërben si urë ndërlidhëse mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve në vend, sikurse Superpuna.

Numri i të regjistruarve si të papunë në këtë Agjenci deri në dhjetor të 2022-ës, ka arritur shifrën prej 80,775 personave nga gjithë Kosova, ndërsa janë raportuar vende të lira të punës prej 12,291 sosh. Gjatë vitit të kaluar, nga Agjencia për Punësim janë realizuar gjithsej 6,472 ndërmjetësime në punësim.

Marrëveshjet që bëhen midis Agjencisë dhe bizneseve për punësimin e punëkërkuesve, kanë afat kohor deri në një vit. Sipas kësaj Agjencie, kur punëdhënësi merr punëkërkuesin e regjistruar, ky i fundit paguhet 170 euro nga Agjencia e Punësimit dhe 170 euro nga punëdhënësi.

Në këtë Agjenci, vetëm gjatë vitit 2022 kanë qenë të regjistruar si punëkërkues gjithsej 12 mijë e 473 (15.4% ) të rinj nga mosha 15 deri në 24 vjeç në tërë Kosovën.

Agjencia e Punësimit përveç asistimit në punësim, ofron edhe programe të Aftësimit Profesional për grupmosha të ndryshme, ku të rinjtë e moshës 15-25 vjeç, përbëjnë 39.5% të të gjithë të trajnuarve aty.

“Të rinjtë pavarësisht që janë grup me prioritet tek aftësimi profesional pasqyrojnë aktivizim prej 1,104 persona, përkatësisht 39.5% ose shkallë trajnimi prej 8.9%. Ndërsa numri i të certifikuarve është 854 persona apo 77.4%.”, thuhet në raportin e fundit vjetor (2022) të performancës së Agjencisë për Punësimin dhe Aftësimin Profesional.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit këtë fillimvit pati njoftuar se ka filluar një projekt që në të ardhmen pritet të zgjerohet, e që synon ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës në Kosovë. Sipas tyre, projekti ka filluar vitin e kaluar në 4 profile në 5 shkolla, ndërkaq sivjet do të vazhdohet edhe me profile të reja.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 9 gusht ka njoftuar se që nga muaji shtator i këtij viti, do të shtohen edhe tetë profile të reja në arsimin dual.

Këto profile sipas Kurtit janë: rrobaqepësi, automekanik, metal përpunues, përpunues i drurit, instalues i ngrohjes dhe klimatizimit, instalues elektrik, tregti me shumicë dhe pakicë dhe estetist.

“Përveç profileve, kuzhinier, asistent i mikëpritjes hoteliere (kamarier), floktar e murator, nga viti i ardhshëm shkollor do të fillohet edhe me këto profile të reja në arsimin dual. Tashmë po zgjerohemi në 21 shkolla në 13 komuna të ndryshme, me 12 profile”, ka shkruar Kurti në rrjetin e tij social në Facebook atë ditë.

Në anën tjetër, edhe statistikat e fundit, që ka publikuar këtyre ditëve Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, për regjistrimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2023-2024, janë mjaft shqetësuese. Shumë drejtime fakultetesh në Kosovë në korrik të këtij viti, për vitin e ri akademik kanë regjistruar fare pak studentë, numra simbolik, sa për të mos e mbyllur fakultetin apo degën, që për vite të tëra ka arsimuar dhe ka përcjellur gjenerata të tëra.

Sipas njohësve të demografisë në vend, shifrat e ulëta të të rinjëve të interesuar për studime të larta, janë dëshmi e fortë se Kosova çdo ditë e më shumë po zbrazet.

“Këtu kumedit çfarë fakulteti me krye, s’munesh me ja dal me ba diçka, naj jete te mirë a diçka më shumë, thjesht ni rrog n’fund t’muajjit e pret, e qe nuk t’i mbulon as gjysmën e shpenzimeve të familjes,” u ankua Sherifi kur u pyet nëse e ka menduar vijimin e  shkollimit universitar.

Sidoqoftë, mbetet mjaft shqetësues fakti kur më shumë sesa numri i tërësishëm i studentëve në Universitetin e Prishtinës që po tkurret dita ditës, është numri i të rinjëve sikurse Sherifi dhe Arjana që as nuk kërkojnë punë e as nuk profesionalizohen, dhe të vetmen dritë e shohin ikjen nga Kosova.

*Sherifi dhe Arjana* janë emra fiktivë, me kërkesën e tyre që të mos iu zbulohet identiteti.

Shënim:

(Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diskriminim e mospërfshirje: Shkeljet ndaj punëtorëve në sektorë të ndryshëm në Kosovë”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Buletinit Ekonomik dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, ATRC-së ose BIRN KOSOVË.)