Mehmeti nga KOSTT: Kosova synon 1,600 MW energji të ripërtëritshme

Fotografi ilustruese

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, qymyri është burimi kryesor energjetik i Kosovës.

Sidoqoftë, burimet e energjisë së ripërtëritshme sikurse era dhe ato solare janë në rritje graduale, dhe sipas të dhënave nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, Kosova ka regjistruar pjesëmarrje prej 24.40% të burimeve të ripërtëritshme në vitin 2020, duke iu afruar kështu qëllimit të përcaktuar në 25% për vitin 2020.

Pak para Javës së Energjisë për Ballkanin Perëndimor, që mbahet më 18-19 tetor 2023 në Mal të Zi, ‘CEE Energy News’ ka zhvilluar një bisedë me Jeton Mehmetin, Kryetarin e Bordit të KOSTT për rolin e burimeve të ripërtëritshme në miksin energjetik të vendit, sfidat që duhet tejkaluar për integrimin e tyre në rrjet si dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.

Reklama e sponzorizuar

Mehmeti ka filluar bisedën duke nënvizuar se Strategjia Kombëtare e Energjisë është e fokusuar në investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe në renovimin e kapaciteteve aktuale të qymyrit, për të mundësuar tranzicionin energjetik dhe për të përmbushur obligimet dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

“Kosova ka për qëllim të vendosë 1,600 megavatë kapacitete të energjisë së ripërtëritshme deri në vitin 2031”, ka nënvizuar ai. “Duhet theksuar, investime të konsiderueshme (rreth 300 milionë euro) janë bërë në përmirësimin e rrjetit të transmisionit.”

Sipas tij, burimet e ripërëritshme të energjisë do të luajnë një rol kyç në zhvillimin e rrjetit.

“Strategjia e Energjisë vë theksin në dekarbonizim përmes burimeve të ripërtëritshme dhe efiçiencës, duke zëvendësuar gradualisht karburantet fosile dhe duke siguruar stabilitet në furnizim”, ka vazhduar ai. “Në përgjithësi, energjia në Kosovë është e orientuar kundrejt qëndrueshmërisë, përmes burimeve të ripërtëritshme dhe fuqizimit të rrjetit që mundësojnë tranzicionin, duke mirëmbajtur sigurinë energjetike.”

Megjithatë, ka ende sfida që duhet tejkaluar, ndër të cilat, Mehmeti përmend edhe ato që janë të ndërlidhura me tranzicionin e drejtë.

“Si ndërmarrje në pronësi publike, KOSTT ka në prioritet optimizimin e burimeve, fuqizimin e sistemit të transmisionit si dhe mirëqenien e aksionarit”, ka shtuar ai. “Megjithatë, sfidat vazhdojnë, veçanërisht ato që lidhen me tranzicionin e drejtë energjetik.”

Aktualisht, KOSTT përballet me pengesa të lidhura me Strategjinë Kombëtare të Energjisë, veçanërisht në integrimin rajonal të tregut të energjisë dhe si dhe zbatimin e kodit të rrjetit dhe standardeve SAFA.

“Sfidat tjerat përfshijnë integrimin e burimeve të energjisë së ripërtërishme me kapacitete të mëdha, balansimin e sistemit elektrik, integrimin në tregjet rajonale energjetike, modernizimin e infrastrukturës si dhe masat e sigurisë kibernetike”, thotë Jeton Mehmeti.

Dhe ka ende disa pengesa lidhur me integrimin e burimeve të ripërtërishme në rrjetin e transmetimit.

“Pengesat kryesore për integrimin e burimeve rinovueshme janë më shumë teknike sesa administrative,” nënvizon Mehmeti. “Zyra e Regjulatorisë së Energjisë ka miratuar Metodologjinë e Kyçjes, që lehtëson marrëveshjet e kyçjes me KOSTT. Megjithatë, në mënyrë të ngjashme me rajonin, Kosova përballet me sfida teknike të shkaktuara nga prodhimi i paparashikueshëm nga burimet e energjisë së ripërtëritshme, që vë në rrezik stabilitetin e rrjetit. Mjetet kundërvepruese përfshijnë përmirësimin e infrastrukturës së rrjetit, duke përfshirë edhe investime të konsiderueshme në sistemet e ruajtjes së energjisë prej 170 megavatësh (340 megavat orë).”

Në vijim, Mehmeti sqaron se Kosova ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të modernizuar rrjetin e energjisë elektrike nëpërmjet bashkëpunimeve me partnerë si USAID, KFW dhe EBRD. Në veçanti, KOSTT ka bërë investime të konsiderueshme në rrjetin e saj të transmetimit, duke përfshirë teknologjitë dixhitale.

“Zhvillimet kryesore përfshijnë integrimin e releve dixhitale të mbrojtjes, njësive të kontrollës me bateri si dhe të pajisjeve inteligjente dixhitale për rregullimin e tensionit që komunikojnë me standardet IEC 61850, duke mundësuar kështu komunikim të mirëfilltë me nënstacione,”, ka sqaruar ai, ndërsa ka shtuar se “përkundër këtyre zhvillimeve dixhitale, elemente të ndryshme sikurse transformatorët energjetik, ndërprerësit, ndarësit dhe transformatorët e matjes ende mbesin në forma konvencionale dhe analoge. Për të përmirësuar më tej dixhitalizimin e rrjetit të energjisë elektrike në Kosovë rekomandohet investimi i vazhdueshëm në azhurnimin e pajisjeve konvencionale energjetike me alternativa dixhitale.”

Ashtu siç thuhet shpesh për rajonin e Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimi me vendet fqinje është i rëndësishëm dhe Mehmeti vë theksin në bashkëpunimin me Shqipërinë, që zë një pozicion të rëndësishëm në agjendën e Kosovës dhe mbetet një pikë shumë e rëndësishme për KOSTT.

“Të arritura të theksuara janë bërë ne lehtësimin e këtij rrugëtimi, duke veçuar marrëveshjen bilaterale ndërmjet trupave rregulluese të Kosovës dhe Shqipërisë dhe operatorëve të sistemeve të transmetimit për të sinkronizuar tregjet energjetike,”, ka shtuar ai. “Kjo qasje progresive është përcjellur me themelimin e Bursës Energjetike Shqiptare (ALPEX), një shoqëri aksionare e themeluar nga operatorët e sistemeve të transmetimit të energjisë në Kosovë dhe Shqipëri, që shërben si një mekanizëm kyç në këtë bashkëpunim.”

Ai sqaron se angazhimi proaktiv i ALPEX-it shtrihet edhe në Kosovë, në përpjekje të lidhjes së tregut. Ndër zhvillimet e fundit, ALPEX ka nisur me sukses tregun një-ditë-para (day-ahead market) në zonën e energjisë elektrike në Shqipëri, ndërsa e njëjta pritet të ndodhë në çerekun e tretë të këtij viti edhe për Kosovë.

“Zhvillimet tjera strategjike përfshijnë fillimin e tregut brenda-ditës (intraday) në Shqipëri në pjesën e dytë të vitit 2024, duke u përcjellur kështu edhe me lansimin e të njëjtit edhe në Kosovë, në më pak se dy muaj më vonë,” ka shtuar Mehmeti. “Kjo strategji përkon me qëllimet për integrimin simultan të tregut brenda-ditës ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe përputhet me synimet ambicioze të tregut Pan-Evropian, duke reflektuar kështu angazhimin e Kosovës për nxitjen e bashkëpunimit ndër-kufitar”.

Në fund, duke folur për objektivat afatshkurta të KOSTT, Jeton Mehmeti thotë se ky institucion mbetet i përkushtuar në sigurimin e një rrjeti të besueshëm dhe efikas për furnizim me energji elektrike.

“Qëllimet afatshkurta përfshijnë veprimet e menjëhershme për fuqizimin dhe integrimin e rrjetit për shkak të ndryshimit të vazhdueshëm të peisazhit energjetik,” ka shtuar ai. “Kjo përfshinë edhe fuqizimin e kapaciteteve të ndërlidhjes si dhe integrimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë, sikurse ato të erës dhe solare. Deri më 2027, do të behet vendosja e rreth 170 megavat kapaciteteve të ruajtjes së energjisë përmes baterive për të ndihmuar balansimin e sistemit, rregullimin sekondar dhe terciar si dhe zhvendosjen e pikut.”

Ndër objektivat afatgjata, Mehmeti vë theksin në planin 10-vjeçar të zhvillimit të rrjetit të transmetimin që synon rritjen e kapaciteteve, besueshmërisë dhe efikasitetit, duke siguruar kështu furnizim cilësor me energji elektrike për konsumatorët.

“Ky zhvillim merr parasysh edhe rritjen graduale të kapaciteteve të erës (600 megavat) dhe atyre solare (700 megavat) deri në vitin 2031, në pajtim me planet për rritjen e kapaciteteve të energjisë së ripërtërishme. Plani bazohet në kriteret e sigurisë N-1, ngarkesës si dhe parashikimit të prodhimit, si dhe në rregullat e ENTSO-E. Rrjeti 400 kV dhe 220 kV i transmetimit të energjisë i KOSTT, i lidhur me rajonin, luan një rol kyç. Investimet në rrjet kanë ndikim të madh dhe përtej kufijve kombëtar, duke kontribuar kështu edhe në integrimin rajonal energjetik. Në përgjithësi, qasja strategjike e KOSTT barazpeshon nevojat afatshkurta të integrimit me zhvillimet afatgjata të rrjetit të transmetimit, duke mundësuar kështu furnizim të qëndrueshëm dhe të besueshëm me energji elektrike.”