Rritet borxhi ndërkombëtar i Kosovës gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti

Për mbi 22 milionë euro është rritur borxhi ndërkombëtar i Kosovës gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar.

Nga janari deri në qershor të 2023-s, borxhi i jashtëm kap vlerën e mbi 663 milionë eurove. Ndërsa, borxhi i brendshëm, nga 1 miliard e 112 milionë euro sa ishte më 2022, në gjashtë muajt e parë të këtij viti ishte 1 miliard e 9 milionë euro.

Sipas Ministrisë së Financave, tërheqjet në shumat më të larta janë realizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Reklama e sponzorizuar

Por si janë shfrytëzuar këto para tregoi Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë për RTK-në.

“Mjetet nga borxhi janë duke u shfrytëzuar për projekte të ndryshme infrastrukturore, për projekte të efiçiencës së energjisë dhe projekte për mbështetje në reforma strukturore për vendin. Të gjitha projektet janë në lidhje me programin qeverisës dhe prioritetet e ministrive përkatëse, qëllimi përfundimtar i të cilave është zhvillimi ekonomik i vendit dhe ngritja e mirëqenies së qytetarëve”.

Sipas auditorit, qeveria duhet të sigurojë që para se të merren vendimet për financimin e projekteve me huamarrje, të jenë bërë analiza të hollësishme me qëllim të shfrytëzimit sa më efikas të këtyre fondeve. Ndërkohë profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, tregon se sa ka ndikuar në zhvillimin ekonomik rritja e borxheve.

“Dy vite për të bërë transformime për të bërë kthesa në zhvillim është një periudhë e shumë e vogël., prandaj të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur janë rezultat i ndikimit të përhershëm. Por në dy vitet e fundit kanë munguar investimet publike, të cilat janë në nivel tejet të ulët dhe ato janë faktorë tejet të rëndësishëm të krijimit të bruto-produktit të vendit”, tha profesor Sadiku.

Do theksuar se borxhi publik i Kosovës ndër vite ka shënuar rritje.