SHBA-ja ndan 12 miliardë dollarë për tranzicionin te makinat elektrike

Administrata e presidentit Joe Biden ka ofruar 12 miliardë dollarë firmave të prodhimit të makinave që të përshtatin fabrikat e tyre për të ndërtuar automjete elektrike dhe makina të tjera të avancuara.

Sipas sekretares për Energji, Jennifer Granholm ndihmat do të jenë në formë grantesh dhe kredishë.

Reklama e sponzorizuar

“Ndërsa kalojmë te makinat elektrike (EV), duam të sigurohemi që punonjësit të trajnohen në këtë fushë, që të mos mbetet pas asnjë punonjës apo komunitet”, ka thënë Granholm, e cila ka shërbyer më parë në postin e guvernatores së Miçiganit, qendrës së prodhimit të automobilave.

Përshpejtimi i ndarjes së granteve dhe subvencioneve të tjera për financimin e konvertimit të fabrikave ekzistuese për të ndërtuar makina elektrike mund të zbusë kritikat e ashpra nga prodhuesit e makinave dhe sindikatat e punonjësve kundër propozimeve të Shtëpisë së Bardhë për rregulla mjedisore që synojnë të nxisin kalimin në epokën e makinave elektrike.

Sindikatat kanë paralajmëruar se një ndryshim i shpejtë mund të vërë në rrezik mijëra vende pune në shtete si Miçigani, Ohajo, Illinoi dhe Indiana.

Javën e shkuar, pjesëtarët e sindikatave të auto-industrisë votuan me shumicë dërrmuese në favor të autorizimit të një greve që përfshin linjat e prodhimit të tre gjigantëve amerikanë, General Motors, Ford dhe Chrysler.

Po ashtu, ato thonë se do të hidhen në grevë nëse nuk arrihet një marrëveshje lidhur me pagat dhe planet e pensioneve përpara skadimit të kontratës aktuale katërvjeçare më 14 shtator.

Presidenti i sindikatave e vlerësoi njoftimin të enjten duke thënë se, “kjo e bën të qartë për punëdhënësit se kalimi tek makinat elektrike duhet të përfshijë partneritete të forta me sindikatat, e shoqëruar me paga dhe standarde të larta sigurie për të cilat kanë luftuar dhe fituar gjeneratat e sindikalistëve”.

Presidenti Biden tha në një deklaratë se, “ndërtimi i një ekonomie të bazuar tek energjia e pastër mund dhe duhet të ofrojë një mundësi të favorshme për kompanitë e automobilave dhe sindikalistët që kanë kontribuuar në ekonominë amerikane për dekada”.

Qeveria amerikane do të ofrojë gjithashtu 3.5 miliardë dollarë financim për prodhuesit vendas të baterive. /VoA/