Sinjalet e para për rënien e intenzitetit të punimeve në rrugën Prishtinë-Podujevë

Sipas punëtorëve të njërit prej operatorëve, punëkryesit nuk janë paguar fare deri më tash sipas zotimeve dhe afateve kontraktuese, ndërsa flitet se mospagesa është rrjedhojë e bllokimit të mjeteve buxhetore nga mosrishikimi i buxhetit për këtë vit. Në këtë mënyrë, sipas punëtorëve, “kompanitë punëkryese në rrugën Prishtinë – Podujevë, kanë mbetur pa mjete financiare të domosdoshme për të siguruar karburante, pagesat për punëtorët e vet të angazhuar në punimet e rrugës dhe për shpenzime të tjera.

Buletini Ekonomik

Qëkur ka filluar, para dy muajsh e sa, rekonstruktimi i tërësishëm, praktikisht rindërtimi dhe zgjerimi i rrugës ekzistuese Prishtinë – Podujevë, respektivisht nga Bërrnica në Lluzhan, e gjatë rreth 18 kilometra, sipas vrojtuesve po edhe qytetarëve, është bërë një punë e mirë dhe efektive nga punëkryesit. Fundja, shihen edhe rezultatet.

Përgjatë tërë rrugës dhe në të dy anët e saj janë hequr dhe-ra të shumta, është zgjeruar traseja dhe kanë zënë të rimbushen me material të fortë pjesët punuese. Është punuar goxha me përkushtim në 4 lotet e rindërtimit (në kaq lote është planifikuar të kryhen punët nga 4 punëkryes, plus një lot i parashikuar për t’i përfunduar të gjitha punët e mbetura në trasen tashmë të kryer nga Podujeva në Lluzhan), dhe ky përkushtim është vlerësuar edhe nga qytetarët edhe nga zyrtarët e Kosovës, të cilët kanë dalë disa herë për të vizituar zhvillimin e punimeve.

Reklama e sponzorizuar

Mirëpo, këtyre ditëve sikur janë shpërfaqur sinjalet e para për rënien e intenzitetit të punimeve dhe përkushtimit të punëkryesve për të qenë sa më operativ dhe sa më të saktë me afate.

Sipas punëtorëve të njërit nga punëkryesit, që e kërkojnë anonimitetin, është e vërtetë që ka rënë intenziteti i punës dhe shkaku i vetëm për këtë është mospagesa nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës sipas zotimeve dhe afateve të përcaktuara. Sipas tyre, punëkryesit nuk janë paguar fare deri më tash, ndërsa flitet se mospagesa është rrjedhojë e bllokimit të mjeteve buxhetore nga mosrishikimi i buxhetit për këtë vit.

Në këtë mënyrë, sipas punëtorëve “kompanitë punëkryese në rrugën Prishtinë – Podujevë kanë mbetur pa mjete financiare të domosdoshme për të siguruar karburante, pagesat për punëtorët e vet të angazhuar në punimet e rrugës dhe për shpenzime të tjera”.

Në anën tjetër, siç dihet, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, fare në fillim të sezonit të ndërtimeve, pra që në pranverën e hershme të sivjetshme, kishte deklaruar gjatë raportimit para Komisionit për Mjedis të Kuvendit të Kosovës, se “për dikasterin që udhëheq, për vitin 2023 janë ndarë 251 milionë e 684 mijë e 833 euro”. Aliu kishte thënë duke saktësuar se “koncentrimin e projektit 2023 e kemi bërë kryesisht në projekte madhore, të cilat duhet të përfundojnë në ato segmente të koncentruara gjatë vitit 2023.

“Autostrada Prishtinë-Gjilan-Konçul për vitin 2023 janë të planifikuara 27 milionë euro, në buxhetin e vitit 2022 kanë qenë 5 milionë euro, zgjerimi i rrugës Dollc-Gjakovë në planifikimin e vitit 2023 janë paraparë 11 milionë euro, kurse në buxhetin e vitit 2022 kanë qenë 2.25 milionë euro, ndërtimi i rrugës Prishtinë-Podujevë janë paraparë 6 milionë euro, ndërsa kanë qenë vetëm 1. 1 milionë euro. Riparimi rrugës rajonale Prizren-Prevallë janë 6 milionë euro për vitin 2023, ndërsa  kanë qenë 2 milionë euro në vitin 2022. Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Pejë kanë qenë 400 mijë euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 i kemi ndarë 4 milionë euro”, ka thënë minisri Aliu.

Aliu madje kishte thënë se për këto projekte kanë ndarë më së shumti buxhet me qëllim që në vitin e ardhshëm të përfundohen. Ndërsa, tani në këtë ministri ishin të paqasshëm për Buletinin Ekonomik, për t’u informuar për problemin e ri dhe të përfolur të mospagesës së punëkryesve sipas afateve të parave të zotuara.

Siç dihet, punimet për zgjerimin e magjistrales Podujevë-Prishtinë kanë nisur para më shumë se shtatë vjetëve me ndërpreje të shumta deri sivjet. Me rastin e nisjes së sivjetshme të punimeve në këtë rrugë, të pranishëm ishin kryeministri Albin Kurti dhe ministri Liburn Aliu. Kurti me këtë rast pati deklaruar se “Rruga Prishtinë-Podujevë është e vjetër gjysmë shekulli dhe ka qenë nevojë e kamotshme e trevës së Llapit që të lidhet me kryeqytetin në mënyrë efikase, pra të shpejtë e të sigurtë dhe do të bëjmë çmos që kjo rrugë të përfundojë sa më parë.

“Natyrisht që numri i ditëve është rreth numrit të ditëve që ka viti që nevojiten si ditë pune për t’u përfunduar kjo, por tash jemi në rrugë të mbarë për të përfunduar këtë zgjerim i cili është i rëndësishëm pra jo vetëm për shpejtësinë e lidhjes me kryeqytet por edhe për sigurinë e të gjithë udhëtarëve siç ka treguar këto vitet e shkuara ku kemi pasur shumë aksidente me fatalitet”, kishte thënë Kurti.

Ndërsa, ministri Aliu duke bërë publike detajet për këtë projekt kishte njoftuar se “projekti i zgjerimit të rrugës Prishtinë-Podujevë është projekt i cili i ka 5 lote, ku 4 lotet janë zgjerim i rrugës ekzistuese, ndërsa loti i pestë është finalizim i tashmë lotit të mëhershëm që është nga Lluzhani deri në Podujevë.

“Jemi të vendosur që kjo rrugë të kryhet në kohë, që të kemi cilësi të punimeve e paralelisht me këtë edhe për projekte të tjera, për ato të cilat kemi pas ngecje të vazhdueshme nga e kaluara të cilat janë duke u zgjidh një për një, e po ashtu edhe për projektet e reja që presin të fillojnë dhe të na vijnë në muajt në vijim”, ishte shprehur Aliu.

Por, nëse që tani bie përkushtimi dhe intenziteti i punimeve nga ana e punëkryesve, shtrohet pyetja se si do të finalizohet ne kohë ky projekt, që nuk është as i thjeshtë as i pakushtueshëm. /Buletini Ekonomik/