Subvencionimi i faturave të energjisë elektrike, deri më tani kanë aplikuar mbi 16 mijë familje

Ministri i Financave, Hekuran Murati njofton se deri më tani kanë aplikuar mbi 16 mijë familja për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike.

Murati tregon se aplikimi do të jetë i hapur deri në fund të muajit shtator.

“Mbi 16 mijë familje kanë aplikuar deri më tani për subvencionim të faturave të energjisë elektrike. Aplikimi do të jetë i hapur deri në fund të muajit shtator dhe mund të bëhet online në formularin: https://see.rks-gov.net“, njofton Murati.

Reklama e sponzorizuar

“Inkurajohen të aplikojnë të gjitha familjet që kanë të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro për anëtar. Në veçanti, inkurajohen që të aplikojnë familjet që kanë anëtarë me aftësi të kufizuara, që janë prindër vetushqyes, apo që janë pensionistë që jetojnë vetëm e pa përkujdesje”, përfundon ai.

Ditë më parë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka lansuar Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë ku pritet të bëhet subvencionimi i faturave të rrymës për disa kategori të shoqërisë.