Marrëveshje të reja për rajonin – Si dhe kur do të bëhet shpërndarja e fondeve?

Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan dje në Samitin e Procesit të Berlinit deklaratën për një plan veprimi për tregun e përbashkët rajonal, për vitet 2025-2028, si dhe marrëveshje për përmirësimin e qasjes në arsimin e lartë.

Në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili u mbajt në Berlin dhe u kryesua nga kancelari Olaf Scholf, kryeministrat Edi Rama, Albin Kurti, Millojko Spajiç, Borjana Christo, Hristian Mickovski dhe Millosh Vuçeviç vendosën firmat për dy deklarata, që synojnë bashkëpunimin rajonal.

Reklama e sponzorizuar

Të pranishëm ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësues të vendeve partnere. Një plan të ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal dhe një marrëveshje për aksesin në mundësitë e studimit për të rinjtë. Nënshkrimi i marrëveshjes së parë i jep mundësi Kosovës të përfaqësohet në CEFTA nga qeveria e saj, pasi deri më tani është përfaqësuar nga UMNIK-u. Vetë kancelari gjerman foli për rëndësinë që ka normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë për të ardhmen europiane të gjithë rajonit.

“Ne të gjithë e dimë se sa shumë rajoni juaj ndikohet ende nga konfliktet e së kaluarës. Por tani është koha që sytë të drejtohen drejt së ardhmes. Ne kemi nevojë për një dinamikë të re dhe një proces normalizimi midis Serbisë dhe Kosovës. Unë mbetem i bindur se e ardhmja është në BE. Ekziston vetëm një rrugë që të çon atje dhe kjo është zbatimi i plotë i marrëveshjeve që ju keni arritur tashmë. Është një angazhim i qartë për të zgjidhur çështjet dypalëshe dhe për t’u pajtuar në mënyrë paqësore. Për këtë qëndron Procesi i Berlinit”, – tha Scholz.

MBËSHTETJA

Fondi prej 6 miliardë euro i vënë në dispozicion për vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të shpërndahet brenda fundit të këtij viti, pas miratimit të agjendave të reformave për 5 vendet, përveç Bosnje Hercegovinës. Brenda fundit të vitit 2024 pritet të nisë shpërndarja e fondit 6 miliardë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Lajmi u bë me dije nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, pas përfundimit të Samitit të Procesit të Berlinit, që bëri bashkë 6 liderët e Ballkanit Perëndimor.

Kryekomisionerja theksoi se këtë javë pritet të miratohen agjendat e reformave, të vendosura si kusht për përfitimin e fondit të Planit të Rritjes. Ky miratim vetëm për 5 vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, do t’i hapë rrugë edhe lëvrimit të fondeve. I vetmi vend i rajonit, i cili duhet të presë ende miratimin e agjendës së tij është Bosnje Hercegovina, pasi nuk ka adresuar të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.

“Ne u kërkuam partnerëve tanë të zhvillojnë agjendën e tyre të reformës sipas Planit të Rritjes. Sot kam kënaqësinë të raportoj se pesë nga gjashtë agjendat e reformave do të miratohen këtë javë. Kjo do të thotë që pagesat nga Plani i Rritjes mund të fillojnë të rrjedhin para fundit të vitit. Kjo nuk do të ishte e mundur kurrë pa Procesin e Berlinit. Pra, puna e vështirë e Procesit të Berlinit është një histori suksesi. Është një rrugë me erë, por ne po ecim përpara”, – tha Von der Leyen.

Sipas saj, vendi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE dhe se Procesi i Berlinit luan një rol kyç në anëtarësim. Arkitekt që ka siguruar një lidhje të fortë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor e quajti Von der Leyen nismën e Procesit të Berlinit, që mbushi 10 vite që nga lançimi për herë të parë në 2014 nga ish-kancelarja Angela Merkel.

“Luftërat kanë qenë një mesazh për BE se një union i madh është edhe më i fortë”, – tha ajo. Nisma e Procesit të Berlinit këtë vit mbush një dekadë që ka marrë jetë.

Marrëveshja me e rëndësishme e kësaj nisme, ajo për lëvizjen e lirë brenda rajonit, nuk ka gjetur zbatim në të 6-ta vendet, pasi Bosnja nuk e ka nënshkruar këtë marrëveshje me Kosovën, ndaj mes dy vendeve lëvizet ende me viza. Albin Kurti, në Berlin deklaroi se nga 1 janari Kosova do ta liberalizojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen me Bosnjën.