Sipas njoftimeve të zyrtarëve të KEK-ut, brenda dhjetë ditësh, më saktësisht më 23 tetor 2023 pritet të fillojnë testimet e nevojshme pas remontit voluminoz në këtë njësi prodhuese, dhe pas këtyre testimeve planifikohet të rifillojë prodhimi.
Buletini Ekonomik
Të gjitha punët rreth remontit goxha të detajuar në bllokun B1 të termocentraleve Kosova B, të filluara që para rreth 3 muajve, më saktësisht më 25 korrik 2023, tashmë janë drejt përfundimit.
Sipas njoftimeve të zyrtarëve të KEK-ut, brenda dhjetë ditësh, më saktësisht më 23 tetor 2023 pritet të fillojnë testimet e nevojshme pas remontit voluminoz në këtë njësi prodhuese, dhe pas këtyre testimeve planifikohet të rifillojë prodhimi.
Me rastin e një vizite që këtyre ditëve kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Përparim Kabashi, ia ka bërë Kosovës B, ai gjatë mbikëqyrjes së punimeve në njësinë B-1, nga ekipet remontuese të KEK-ut është njoftuar detajisht për rrjejdhën e riparimeve të fundit, projekteve remontuese të cilat gjatë këtyre tre muajve janë realizuar si të ndërlidhura me remontin e rregulltë vjetor të kësaj “fabrike” të prodhimit të rrymës.
Bëhet me dije se në Bllokun B1 të termocentralit Kosova B, përveç dy projekteve kapitale si ai i dilatimeve në kaldajë dhe ndërrimi i zbarrave (rimbështjellja e statorit të gjeneratorit), janë duke u realizuar edhe një sërë projektesh që ndërlidhen me riparimin e planifikuar.
Siç ka njoftuar KEK-u nëpërmjet një komunikate, Kabashi ka bërë të ditur se “punimet që kanë filluar në njësinë B-1 me 25 korrik, 2023 po shkojnë sipas planit dinamik dhe me 23 tetor, 2023 pritet të fillojnë testimet e nevojshme, në mënyrë që kjo njësi të kthehet në operim”.
Me këtë rast i pari i KEK-ut ka përgëzuar menaxhmentin dhe të gjithë punonjësit e Kosovës B, për përkushtimin dhe angazhimin e tyre në realizimin e dy projekteve kapitale dhe remontit sipas dinamikës së paraparē, duke theksuar se “realizimi i tyre i suksesshëm do të ngrisë sigurinë e operimit të kësaj njësie”.
Dihet kapaciteti i bllokut B1 të Kosova B është 260 megavatë-orë, po aq sa prodhon edhe blloku B2, në të cilin, po kështu, për tre muaj përafërsisht, janë bërë riparime të planifikuara, në mënyrë që të jetë sa më i gatshëm për prodhim gjatë sezonit të dimrit.
Më kthimin në prodhim të B1-shit, sistemi elektroenergjetik i Kosovës do të ketë plus 260 megavatë-orë në dispozicion të prodhuar nga kapacitetet e vendit, gjegjësisht do të ketë diku diku mbi 700 megavatë-orë për nevojat e konsumit të vendit (B1 dhe B2 nga 260 megavatë dhe dy blloqe të Kosovës A, A3 dhe A4 me nga 130 megavatë, plus një sasi dhjetëra megavatësh nga kapacitetet e prodhimit të energjisë së rinovueshme). /Buletini Ekonomik/