Gjatë mëngjesit të sotëm, shumë qytetarë, përdorues të operatorit publik “Vala”, janë ankuar se telefonat e tyre nuk kanë pasur valë dhe rrjedhimisht nuk kanë mundur të realizojnë thirrje telefonike.
Telekomi i Kosovës më pas ka dalë me njoftim se kjo rënie e përgjithshme e shërbimeve të telefonisë mobile, ka qenë për arsye të vjetërsisë së pajisjeve, për të cilat thonë se do të ndërrohen shumë shpejt.
Sipas tyre, ekipet teknike janë duke punuar që sa më shpejt ta sanojnë gjendjen dhe të rikthejnë shërbimet.
Njoftimi nga Telekomi i Kosovës:
Sot në mëngjes, në orën 8:48 minuta, për arsye të vjetërsisë së pajisjeve, të cilat edhe ashtu sipas planit do të ndërrohen shumë shpejt, pati një rënie të përgjithshme të shërbimeve të telefonisë mobile në tërë vendin. Ekipet teknike po punojnë që shpejt ta sanojnë gjendjen dhe të rikthejnë shërbimet. Duke ju kërkuar ndjesë konsumatorëve, për shqetësimin e arsyeshëm, ju njoftojmë se këto pajisje do të ndërrohen shumë shpejt dhe qytetarët do të kenë shërbime të nivelit evropian, falë teknologjisë së fjalës së fundit që e kemi instaluar në disa pjesë të Kosovës dhe të cilën do ta instalojmë së shpejti në tërë vendin, kur të gjitha shërbimet të zhvendosen në platformat e reja!











