Aktualisht në të gjitha tregjet e shumta të druve në kryeqytet, një metër dru e cilësisë shumë të mirë, ato “të qarrit dhe të bungut”, kushton 70 euro. Ndërsa, drutë me cilësi mesatare dhe të kombinuara, ose drutë ahu kushtojnë nga 60, 65 dhe 68 euro për një metër kub.
Buletini Ekonomik
Pavarësisht masave qeveritare, parashikimeve të subvencionimeve konkrete (diku mbi 40 milionë euro gjithsej) për izolimin e shtëpive, thirrjeve për aplikim për subvencionimin e pajisjeve efiçiente shtëpiake dhe thirrjes për subvencionimin e investimeve në pajisje ngrohëse efiçiente; si pompë termike, kondicionerë ose klimë të tipit inventer me efiçiencë të lartë, kaldaja dhe stufa individuale me biomasë, si druri dhe peleti”, edhe sivjet numri dërmues e familjeve kosovare do të ngrohë shtëpitë e tyre me dru, dhe aty këtu me qymyr.
Në anën tjetër, druvarët në tregjet e druve në shumë qendra të vendit, në këto ditë në prag të dimrit theksojnë se interesimi i qytetarëve për të blerë dru sivjet sikur është më i zbehur.
Sipas disa shitësve të druve, sivjet edhe këtyre ditëve fare në prag të ditëve të ftohta, interesimi i qytetarëve për t’i blerë ato ka rënë dukshëm krahasuar me vitet e kaluara.
Sipas njohësve të mirë të tregut të druve, interesimi më i vogël i kosovarëve për të blerë dru për ngrohje, kryekëput është pasojë e çmimeve të larta të tyre.
Aktualisht në të gjitha tregjet e shumta të druve në kryeqytet, një metër dru e cilësisë shumë të mirë, ato “të qarrit dhe të bungut’, kushton 70 euro.
Ndërsa, drutë me cilësi mesatare dhe të kombinuara, ose drutë ahu kushtojnë nga 60, 65 dhe 68 euro për një metër kub.
“Çmimi dyfish më i lartë krahasuar ne 1,5-2 vjet më parë, është bërë i papërballueshëm për një numër të madh familjesh, që tradicionalisht, edhe për shkak të rrethanave sociale, ka përdorur drurin për ngrohje, deri vonë si alternativën më të lirë të sigurimit të ngrohjes së ambienteve të tyre të banimit”, thotë një pronar i një depoje të druve për djegie në periferi të kryeqytetit.
Sipas tij, të varfërit kushtimisht presin ditët e fundit për të blerë dru, ndërsa fatmirësisht për ta po vayhdon të mbajë kohë e ngrohtë, dhe akoma mund të shtyhet pa ndezje të stufave në shtëpitë e shumë kosovarëve./Buletini Ekonomik