Guvernatori i BQK-së argumenton nevojën që Kosova të pajiset me Kartonin e Gjelbër

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili gjatë takimit me drejtuesit e lartë të Këshillit të Byrove ka argumentuar nevojën që qytetarët e vendit të pajisen me Kartonin e Gjelbër.

Ismaili në këtë takim ka shpalosur edhe pengesat që hasin qytetarët, bizneset dhe diaspora nga mungesa e këtij dokumenti.

Gjatë takimit, guvernatori i BQK-së ka folur edhe për zhvillimet e fundit dhe progresin në sektorin financiar, me theks në industrinë e sigurimeve në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Drejtuesit e lartë të Këshillit të Byrove, gjatë këtij takimi janë shprehur të gatshëm të shqyrtojnë mundësitë dhe aranzhimet potenciale alternative për një zgjidhje të kësaj çështjeje.

Megjithatë, ata kanë ri-kujtuar se kufizimet ligjore që vijnë nga Statuti i Këshillit të Byrove, përbëjnë sfidën kryesore që kërkon kohë për adresim.

Pjesë e delegacionit ishin edhe përfaqësuesit nga Byroja Kosovare e Sigurimit dhe zyrtarë të Ambasadës së Kosovës në Bruksel.