Sa do të jenë rezultative investimet e shumta në efiçiencë të energjisë elektrike?

Nga qytetarët, por edhe nga ekspertët janë përkrahur këto investime të Qeverisë me qëllim të kursimit të energjisë elektrike dhe rritjen e mirëqenies në shtëpitë individuale. Por, shumë qytetarë, dhe sidomos ekspertë dhe njohës të rrethanave energjetike në vend, mendojnë se shumë më rezultative do të ishte po qe se do të investohej më shumë para në izolimin e shtëpive, ose së paku proporcionalisht në izolimin e shtëpive dhe në subvencionimin e investimeve në pajisje ngrohëse efiçiente.

Buletini Ekonomik

Shumë pompozitet medial dhe propagandues (zhurmë publike dhe propagandë të pandërprerë institucionale) iu kushtua nga autoritetet, sidomos nga ministria e Ekonomisë së Kosovës, gjatë një muaji e më shumë, respektivisht që kur kanë filluar aplikimet për subvencionimin e izolimit të shtëpive (8 gusht 2023 dhe pastaj pas lansimit të thirrjeve për aplikim për subvencionimin e pajisjeve efiçiente shtëpiake (21 gusht 2023) dhe thirrjes për subvencionimin e investimeve në pajisje ngrohëse efiçiente; si pompë termike, kondicionerë ose klimë të tipit inventer me efiçiencë të lartë, kaldaja dhe stufa individuale me biomasë, si druri dhe peleti” (22 shtator 2023).

Reklama e sponzorizuar

Ministrja Artane Rizvanolli nuk prau thuaja asnjë ditë pa glorifikuar maksimalisht rëndësinë e këtyre masave, thuaja se me këto investime u zgjidhë problemi i sigurimit të energjissë së munguar në Kosovë. Ç’është e verteta këto investime janë një shumë e madhe parash (diku mbi 40 milionë euro) – 10 milionë për izolim shtëpish, disa milionë për pajisje efiçiente shtëpiake për subvencionimin e pajisjeve efiçiente dhe 30 milionë euro për pajisje ngrohëse efiçiente, mjete këto të ndara nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me BE-në.

Ministrja Rizvanolli jo një herë potencoi se kjo është shuma më e lartë financiare që Qeveria, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, ka ndarë për subvencionimin e pajisjeve për sektorin e banimit. Përmes kësaj skeme, u shpreh ajo, synohet jo vetëm të ulet çmimi në fatura, por edhe të rriten gjasat për furnizim të rregullt me energji.

Investimet në këtë masë janë kyçe për të rritur efiçiencën e energjisë në sektorin e banimit, tha ajo, pasi një pjesë e madhe e energjisë nga familjet konsumohet për ngrohje.

Një subvencionim për pajisje të tilla ka ndodhur edhe vitin e kaluar dhe sipas ministres “përfituesit e vitit të kaluar kanë kursyer deri në 40 për qind në faturat e energjisë elektrike”.

Nga qytetarët, por edhe nga ekspertët janë përkrahur këto investime të Qeverisë me qëllim të kursimit të energjisë elektrike dhe rritjen e mirëqenies në shtëpitë individuale. Por, shumë qytetarë, dhe sidomos ekspertë dhe njohës të rrethanave energjetike në vend, kanë vërejtje në ndarjen e shumës së këtyre mjeteve siç kishte paraparë subvencionimin në destinacionet e sipërpërmendura në konditat dhe rrethanat kosovare. Sipas tyre, shumë më rezultative do të ishte po qe se do të investohej më shumë para në izolimin e shtëpive, ose së paku proporcionalisht në izolimin e shtëpive dhe në subvencionimin e investimeve në pajisje ngrohëse efiçiente. Sepse, sipas analizave të tyre, me izolimin e mirë të shtëpive (kanë qenë të përcaktuara kriteret në thirrjen publike të Qeverisë), do të kursehej shumë më shumë energji elektrike se sa me investimet për pajisje ngrohëse efiçiente.

Ekspertët idenë e tyre e arsyetojnë deri në detaje: Me izolim të mirë të shtëpive domosdo zvogëlohet nevoja për shume energji elektrike për të ngrohur hapësirat e banimit, ndërsa të gjitha pajisjet ngrohëse efiçiente harxhojnë goxha shumë rrymë dhe sipas tyre, kursimet nga këto pajisje në të cilat do të investohen gjithë këto para, krahasuar me investimet janë të papërfillshme. Në këtë mënyrë, ata e kontestojnë dhe i bëjnë të diskutuesshme edhe deklarimet e ministres Rizvanolli se “përfituesit e vitit të kaluar kanë kursyer deri në 40 për qind në faturat e energjisë elektrike”.

Sipas ekspertëve, këto investime, gjithë këto para (mbi 40 milionë euro për subvencionimin e të gjitha kategorive të harxhuesve të rrymës), gjithsesi, do të ishin më të efektshme, me rezultate më të prekshme, po të investoheshin në mënyrë të organizuar në ndërtimin e paneleve solare nëpër kulmet e kosovarëve, gjithnjë në ato kulme ku ka mundësi dhe në rajonet ku është vërtetuar që gjatë vitit ka më shumë ditë me diell.

Sipas ekspertëve, do të përzgjidhej në mënyrë shumë transparente dhe sipas ligjeve në fuqi një punëkryes i respektueshëm dhe kredibil (qoftë i jashtëm, qoftë vendor) dhe do t’i besohej instalimi i paneleve solare në kulmet e kosovarëve, të cilat njëkohësisht do të lidheshin me sistemin elektroenergjetik të vendit, dhe tepricat e rrymës, pavarësisht kohës, ditës apo stinës, do t’i kishte në dispozicion sistemi elektroenegjetik i vendit.

Të gjitha transaksionet klient (pronar i shtëpisë ku bëhet instalimi i panelit solar) – sistemi elektroenergjetik i Kosovës do të rregulloheshim me kontratë ligjërisht obligative. Në këtë mënyrë, sipas ekspertëve, do të kishte fare pak hapësirë për keqpërdorime të këtyre investimeve dhe më shumë efekte me qëllim për të kursyer më shumë energjinë elektrike të synuar nga institucionet e vendit.

Mbetet të shihet sa do të jenë rezultative subvencionimet e sivjetshme të Qeverisë në bashkëpunim me BE-në në izolimin e shtëpive, në pajisje efiçiente shtëpiake dhe në pajisje efiçiente për ngrohje. Ndërsa, Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se tashmë thirrja për subvencionimin e pajisjeve efiçiente shtëpiake ka përfunduar dhe deri në momentin e mbylljes së aplikimit për subvencionimin e pajisjeve efiçiente shtëpiake, janë pranuar 4858 kërkesa për subvencionim, ndërsa ende po vazhdon thirrja për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje. Afati i fundit për aplikim në këtë të fundit është më 22.11.2023.

Siç dihet, afati për aplikim për subvencionimin e izolimit të kushtueshëm të shtëpive është mbyllur më 25 gusht, pak më shumë se një muaj para kohe, për shkak të mijërave aplikimeve, siç kishte njoftuar Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE). Më 8 gusht, FKEE-ja e hapi thirrjen publike për aplikim për masa të efiçencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit. Fondi tha se gjatë 13 ditëve i ka pranuar “mbi 2000 aplikime të cilat përmbushin buxhetin e paraparë për projektin ‘Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit’”.

Ndërsa, është thënë se Qeveria do t’i subvencionojë rreth 2.000 familje deri në 50 për qind të kostos së investimit, e kufizuar në shumën prej 5.500 eurosh. Ky subvencion përfshin koston e izolimit të jashtëm të shtëpisë, ndërrimin e dritareve dhe të derës së hyrjes, si dhe izolimin e kulmit. Për këtë projekt janë ndarë gjithsej 10 milionë euro. / Buletini Ekonomik/