Moskompensimi i familjarëve për vdekjet në punë dhe lëndimet e rënda

Foto: Buletini Ekonomik

Vetëm nga janari e deri tani në muajin shtator 2023, si pasojë e aksidenteve të rënda në vendin e punës, kanë humbur jetën gjithsej 19 punëtorë në sektorë të ndryshëm në vend. Familjet në vështirësi me procesin e kompensimit. E qindra punëtorë të lënduar rëndë, mbesin nën mëshirën e familjarëve e pa kompensim të duhur.

Mirjeta Shabani

Me dhimbje të pafundme e mospërkrahje nga shteti, përballen çdo ditë dhjetëra familje në Kosovë që kanë humbur më të dashurit e tyre nga aksidentet në vendin e punës. Ato në shumicën e rasteve mbesin të vetme edhe në luftën e tyre gjyqësore për të gëzuar të paktën një kompensim nga ana e kompanive, dhe ndodh që shpeshherë edhe dorëzohen përballë fuqisë së tyre.

I.K* (emër i njohur për redaksinë) është një prej viktimave të këtij sistemi, i cili edhe pas betejës 5 vjeçare me sistemin gjyqësor në Kosovë, duke kërkuar drejtësi për vëllanë e vdekur në vendin e punës para më shumë se 10 viteve, prapë u dorëzua nga pafuqia e tij për konfrontim të mëtejmë me kompaninë në të cilën e kishte gjetur vdekjen i vëllai.

Rasti i tyre ishte përmbyllur me një “marrëveshje fjalësh” me kompaninë, për një shumë parash për familjen me të cilat edhe kishin ndërtuar shtëpinë për fëmijët e të ndjerit, me kushtin që rasti të tërhiqej nga Gjykata.

Reklama e sponzorizuar

Vëllau i viktimës në fjalë, ka treguar për Buletinin Ekonomik se ai kishte vdekur si pasojë e një aksidenti të rëndë në një vendpunishte në rajonin e Prizrenit, ku një makineri e vjetër me të cilën po punonte në ndërtimtari, e kishte zënë të gjithë trupin duke e shtypur.

Sipas vëllaut të viktimës, ata asnjëherë nuk e kanë ndjerë ndihmën e dorës së shtetit dhe janë detyruar që për të zvogëluar sadopak dhimbjen e tyre si familje – të pranojnë një marrëveshje të tillë, që për ta nuk ka qenë aspak e kënaqshme.

“Na s’kemi pas krah prej kërkuj as me na ndihmu as kurgja. Krejt na kan than grahni vet kësaj pune”, flet ai me dhimbje për atë periudhë.

Rast të ngjashëm me familjen e I.K-së, kanë edhe plot familje tjera në Kosovë.

Dhjetëra familje të viktimave si pasojë e aksidenteve në vendin e punës, me të cilat ka provuar të kontaktojë e të bisedojë Buletini Ekonomik, rreth përpjekjeve të tyre për drejtësi, kanë refuzuar të flasin. Arsyetimet e tyre përfshinin: “Jemi marrë vesh me kompaninë për kompensim çdo muaj deri sa të rriten fëmijët”; “E kemi dërgu rastin në gjyq, nuk kemi çfarë të flasim, po presim”; “Na e kanë ndërtu shtëpinë për fëmijët, e kemi përfundu këtë diskutim”; e deri tek “S’po dojmë me i përtëri dhimbjet ma, ka përfundu gjithçka” dhe “Ia kemi lan Zotit”.

Mes hendekut ligjor

Puna e kompensimit të familjeve të të vdekurve në vendin e punës, nuk është e rregulluar as me ligj në Kosovë.

Sipas legjislacionit aktual në fuqi, kur i punësuari nuk arrinë të mbijetojë shkaku i aksidentit në vendin e punës, familja e tij/saj nuk gëzon ndonjë kompensim të domosdoshëm. Prandaj, e vetmja rrugë për realizimin e përfitimeve financiare në këto raste mbetet procedura gjyqësore civile, e cila familjarëve të viktimave u merr shumë kohë, mund dhe kosto financiare.

Jusuf Azemi, përfaqësues i punëtorëve të sektorit privat në Kosovë, ka shumë kritika për proceset gjyqësore të kësaj natyre. Ai ka hedhur dyshime që pronarët e kompanive po i përvetësojnë gjykatësit dhe prokurorët, pasi sipas tij, në fund të procesit gjyqësor, punëtori prapë po mbetet fajtor.

“Nuk kemi asnjë rast deri më tani që ka përfunduar në gjyqësor për rastet e vdekjes në punë, kemi aty-këtu vetëm ndonjë rast që ka përfunduar me gjobë prej 2,000 euro deri maksimumi 5,000 euro, që për neve nuk është absolut e kënaqshme. Këto raste zvarriten për 7 deri 8-9 vjet dhe në fund dihet çfarë është përfundimi, sepse në këtë periudhë 9 vjeçare sa zgjat ky proces në Kosovë, punëtori ka vdekur, ai nuk mund të ngjallet dhe nuk mund të ndërhyjë më as te prokurori as te gjykatësi, por kush mund të ndërhyjë?- Vetëm pronari i kompanisë…”, ka thënë ai.

Sipas Inspektoratit të Punës në Kosovë, në këta 9 muaj të këtij viti, janë regjistruar 5 vdekje që kanë ndodhur si pasojë e aksidenteve në punë. Ndërkaq, në vitin 2022, gjithsej 15 persona kishin humbur jetën, ku 13 prej tyre ishin vetëm në sektorin e ndërtimit.

Foto: Buletini Ekonomik -Disa vendpunishte ndërtimi në Prishtinë

Jusuf Azemi pohon se këtë vit – numri më i madh i të vdekurve në punë është në sektorin e ndërtimtarisë, mirëpo nuk mbeten mbrapa as sektorët e tjerë. Por, sipas tij, ndërtimtaria është njëri prej sektorëve ku rrisku i rrezikut është shumë më i madh, pasi edhe pronarët e kompanive nuk i edukojnë dhe nuk i aftësojnë punëtorët për rreziqet që iu kanosen në punë.

Në bazë të Ligjit për Shëndet dhe Siguri në Punë, punëdhënësit janë të obliguar që të ndërmarrin masat për siguri në punë, duke përfshirë masat për parandalimin e rreziqeve profesionale, sigurimin e informatave, trajnimeve të të punësuarve për punë të sigurtë, udhëzimet e duhura për përdorimin dhe mirëmbajtjen e makinerive, instrumenteve, pajisjeve dhe veglave të punës, masat për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të punës etj.

Vetëm gjatë dhjetë viteve të fundit në Kosovë (2012-2022), sipas statistikave zyrtare nga IP-ja, kanë ndodhur gjithsej 978 aksidente në vendin e punës, prej të cilave 157 raste kanë përfunduar me fatalitet.

Ndërkaq, nga viti 2004 prej kur ka filluar Inspektorati të mbledhë këto të dhëna zyrtarisht, e deri më 2022, shifra e të vdekurve në vendin e punës ka arritur në 227 viktima. Viti në të cilin janë regjistruar më së shumti vdekje në vendin e punës në Kosovë është 2018-ta, periudhë kjo ku kishin humbur jetën gjithsej 22 punëtorë.

Shumica e këtyre rasteve të vdekjeve kanë ndodhur në sektorin privat.

Nga Sindikata e Sektorit Privat konsiderojnë se këto shifra duhet të jenë alarm për institucionet dhe kompanitë vendore që t’i rrisin sa më shumë masat e sigurisë në vendin e punës, pasi gjendja është shumë e rëndë.

Kompensim i munguar edhe për të lënduarit rëndë në vendin e punës

Kompensim për t’u kuruar pas aksidentit në vendin e punës nuk gëzojnë as ata që janë lënduar rëndë në punë, ani pse Ligji në fuqi për Shëndet dhe Siguri në Punë ua garanton një gjë të tillë punëtorëve në Kosovë.

Berat Ferati, tash 37 vjeç, nga komuna e Prishtinës, në vitin 2021 kishte pësuar një aksident të rëndë në vendin e punës, ku i kishte thyer të dyja këmbët. Ai për një periudhë prej 3-4 muajsh kishte mbetur i palëvizshëm, e rrjedhimisht edhe i paaftë edhe për nevojat e tija personale.

Ferati edhe tash pas dy vjetësh nga aksidenti, është ende i paaftë për punë, pasi kohë pas kohe është i detyruar t’u nënshtrohet disa operacioneve për kurim të plotë të këmbëve. Ai aktualisht është edhe në gjendje të rëndë financiare pasi jeton vetëm me një social prej 170 eurosh në muaj, që si shumë nuk ua plotëson në asnjë formë nevojat familjes së tij.

Ai jeton me qira në një shtëpi në Prishtinë së bashku me gruan dhe katër fëmijët e tij të vegjël, duke u mbështetur tashmë vetëm në mirësinë e shokëve të tij.

Ai, atëkohë, nuk e kishte lajmëruar fare rastin e aksidentit në punë tek Policia, për shkak se kompania në të cilën ka qenë duke punuar, nuk e ka lejuar ta bëjë një gjë të tillë, duke i thënë se do t’i ndihmojnë për çdo gjë që ka nevojë ai. Mirëpo, fjalët e udhëheqësve të kompanisë, Feratit nuk i kishin dalë ashtu siç i kanë thënë.

Ai tregon se vetëm dy pagat e para pas aksidentit ia kanë ofruar kompania, edhe atë duke iu bërë presion, ndërsa më nuk i janë përgjigjur në asnjë kërkesë tijën.

“Kompania, në fakt menaxherat e firmës më kanë thirrë në telefon disa herë atë nat dhe nuk më kanë leju me e lajmëru policinë, duke më thënë që për çdo gja kanë mem ndihmu dhe na ki mbrapa, për pare a çkado, mirëpo kjo nuk ka ndodhë. Gati 2 muj kam nejtë në spital, ju kam kërku ndihmë për mem ndihmu për barna disa herë, por prapë s’mu kanë përgjigj. Iu kam kërku edhe kolicë për me i kry punët e mia fiziologjike, prapë kanë gjet arsyetime për mos mem ndihmu, edhe pse kanë pas mundësi se kompani e madhe është”, është shprehur Ferati.

Ai thotë se është rrëzuar nga një lartësi prej 3-4 metrash.

Ferati në këtë kompani kishte punuar pa kontratë pune, për shkak se kompania nuk ua ka mundësuar një marrëveshje të tillë shumicës së punëtorëve aty, mirëpo kushtet e rënda sociale e kishin detyruar ta pranonte atë punë edhe në atë formë.

“Shkaku i kushteve të randa e kam pranu qashtu, dhe kom punu sigurim 10 vjet në dy kompani me kontratë të punës, por ka qenë paga vetëm 200 euro, dhe isha çdo ditë dhe natë në punë dhe për të pushuar natën të paktën, pata shku qishtu pa kontratë po bile me punu veq ditën. 7 muj kam punu krejt, rrogën e kom pas 380 euro, kshtu kesh…”, vazhdon rrëfimin e tij Ferati.

Ai, faktin që nuk e ka lajmëruar rastin në polici menjëherë, tash e sheh si gabim shumë të madh të tij.

“Kom dasht me shku edhe te Inspektorati masanej, mirëpo une se pata lajmëru policinë atëherë në fillim dhe s’kisha prova masanej, se edhe kompania e pat ndërru objektin ku punojshin me ni objekt tjetër dhe provat prej kamerave nuk kishim pas shancë me i gjet. Kam tentu me i lyp incizimet te kompania qat kohë, mirëpo më thojshin qe i kan nal kamerat se që janë kanë t’u e ndërru objektin.”

Edhe sipas Avokatit të Popullit, një prej problemeve që vazhdon të mbetet evident vit pas viti në Kosovë, është mosraportimi i aksidenteve në vendet e punës, sidomos i aksidenteve që si pasojë kanë lëndimin, edhe pse legjislacioni aktual rregullon çështjen e kompensimit të shpenzimeve të kurimit për të punësuarit që pësojnë aksident në vendet e punës, por fatkeqësisht nuk ka rregullim juridik për përfitime të tjera.

“Punëdhënësi i përgjigjet të punësuarit për dëmet e shkaktuara nga lëndimi në punë, sëmundjet profesionale ose sëmundjet e lidhura me punën, sipas parimit të përgjegjësisë objektive të së drejtës së detyrimeve”, saktësohet tutje në Nenin 6 të Ligjit për Shëndet dhe Siguri në Punë.

Disbalancë e madhe mes shifrave zyrtare për të vdekurit në punë

Sipas Inspektoratit të Punës në Kosovë, numri i përgjithshëm i aksidenteve të punëtorëve në vendet e tyre të punës gjatë këtij viti, ka qenë 205. Prej këtyre aksidenteve, siç thonë nga ky institucion, janë regjistruar 5 vdekje që kanë ndodhur si rezultat i ushtrimit të veprimtarisë së punës.

Mirëpo, shifrat zyrtare të IP-së për vdekjet e punëtorëve në vendet e tyre të punës ndryshojnë drastikisht nga të dhënat e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat.

Jusuf Azemi, përfaqësues i kësaj Sindikate, ka thënë për Buletinin Ekonomik se sipas të dhënave që ata posedojnë, nga janari e deri më tani në shtator, kanë humbur jetën gjithsej 19 punëtorë në vendin e punës.

Azemi tregon se kjo disbalancë vjen si rezultat i vlerësimit të vdekjes së punëtorit, e që dallon nga të dyja institucionet.

Sipas tij, Inspektorati i Punës e vlerëson si vdekje në vendin e punës vetëm rastin kur punëtori vdes drejtëpërdrejt në vendin e punës, ndërsa Sindikata i llogarit si vdekje në vendin e punës të gjitha rastet që ndodhin gjatë orarit të punës (08:00-16:00); shembull edhe nëse punëtori ka dalë për të kryer punë për kompaninë jashtë objektit të punës; edhe nëse punëtori ka pësuar aksident trafiku gjatë rrugës për të kryer detyrat e tij përkatëse që lidhen me punë; e edhe rastet kur viktima mbijeton disa ditë nga aksidenti në vendin e punës, por më pas vdes.

“Tek ne numërohen si vdekje në vendin e punës edhe rastet e viktimave që vdesin pas disa ditësh ose muajsh si pasojë e aksidentit që kanë pësuar në vendin e punës, sepse lëndimi e ka zanafillën nga vendi i punës. Kurse Inspektorati nuk i trajton këto raste si vdekje në vendin e punës”, ka thënë Azemi.

Ndërkohë, nga Inspektorati i Punës kanë thënë se vdekjet tjera që mund të potencohen më shumë se pesë (5) për këtë vit, janë vdekje të natyrave të tjera që nuk ndërlidhen me veprimtarinë e punës/kushtet e punës dhe si rrjedhojë nuk konsiderohen vdekje në punë sipas Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë, ligj ky për të cilin ka mandat IP-ja të bëjë mbikëqyrjen e zbatimit të tij.

“Në rast të vdekjes në vendin e punës, AEIP njoftohet nga Policia e Kosovës, caktohet një inspektor i rastit i/e cila konstaton shkaqet e vdekjes se a janë ato si pasojë e veprimtarisë së punës/pasojë e kushteve të punës apo jo, bazuar në Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë. Raporti zyrtar i Inspektorit të rastit ndahet me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë, i cili shërben për inicimin e hetimeve”, ka shpjeguar tutje procedurën e vlerësimit të vdekjes Hekuran Nikqi, Kryeinspektor i Inspektoratit të Punës.

Numër i ulët i inspektimeve dhe inspektorëve të punës

Bazuar në Ligjin Nr. 2002/9 për Inspektoratin e Punës në Kosovë, funksioni i Inspektoratit (IP) është mbikëqyrja e zbatimit të ligjit të punës, kushtet e punës dhe mbrojtja e punëtorëve në punë. Por, përkundër shkeljeve të shumta të ligjit të punës, numri i inspektorëve dhe aq më tepër i inspektimeve nga ana e IP-së, ka qenë i vogël.

Lëndime të shumta, inpektime minimale

Aktualisht, në tërë territorin e Kosovës janë të angazhuar vetëm 45 inspektorë të punës.

Përmes këtij numri të inspektorëve, IP-ja gjatë vitit 2022, ka kryer vetëm 6,316 inspektime në total, prej tyre 3,323 të planifikuara, 1,602 të përsëritura, 46 të jashtëzakonshme (rastësore), 405 inspektime për shkak të aksidenteve në punë, 81 inspektime në bashkëpunim me institucionet tjera të mbikëqyrjes dhe 860 inspektime sipas ankesës së palëve.

Për parregullsitë e gjetura për mosrespektimin e dispozitave ligjore, Inspektorati i Punës gjatë vitit 2022 ka shqiptuar 2,741 vërejtje, 359 masa ndëshkuese-gjoba dhe 88 pezullime punimesh.

Hekuran Nikqi, Kryeinspektor i IP-së ka deklaruar për Buletinin Ekonomik se gjatë vitit të kaluar janë rekrutuar 8 inspektorë të rinj të punës, ndërsa këtë vit “janë në fazën finale të rekrutimit të 37 inspektorëve të tjerë”. Totali i numrit të inspektorëve deri në fund të këtij vitit, sipas tij, pritet të shkojë në 70 inspektorë.

“Arsyeja se përse nuk kemi mundur të bëjmë rekrutime më shpejt e më shumë të inspektorëve të rinj të punës është se pavarësisht kërkesave tona si AEIP ndaj DMZP (Departamenti për menaxhimin e zyrtarëve publik) për rekrutime të inspektorëve, nuk kemi marrë përgjigje përgjatë gjithë vitit të kaluar dhe në fillim të vitit aktual. Por, fatmirësisht me ndryshimet në udhëheqjen e DMZP-së kemi arritur t’i rekrutojmë inspektorët e punës të rinj të lartcekur”, ka thënë ai.

Inspektorati i Punës gjatë periudhës korrik- gusht 2022, kishte shpallur gjithsej 28 pozita për “inspektor pune”. Mirëpo, nga gjithsej 28 pozita të shpallura më 2022, IP-ja ka arritur të rekrutojë vetëm 8 inspektorë të punës.

Ndërkohë, si masa të tjera që kanë ndërmarrë ata si Inspektorat për uljen e numrit të viktimave në vendet e punës, ata e kanë parë të arsyeshme të përmendin kampanjat vetëdijësuese, spotet televizive dhe broshurat, që siç thonë ata, u shpërndahen punëtorëve dhe punëdhënësve gjatë takimeve.

Në anën tjetër, sipas Institutit “Musine Kokalari”, përgjegjësia për numrin e lartë të të vdekurve në vendet e punës në Kosovë ndahet ndërmjet disa institucioneve. Inspektorati i Punës ka përgjegjësi për mbikëqyrjen e kushteve të sigurisë në vendet e punës dhe zbatimin e ligjit në këtë fushë, ndërsa pronarët e kompanive dhe ndërmarrjeve të ndryshme kanë përgjegjësi për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve të tyre. Por, duke qenë se ka mungesë të jashtëzakonshme të inspektorëve të punës dhe mungesë të vullnetit politik për të ndërhyrë, ky Institut e bën bashkëpërgjegjëse për këtë situatë edhe Qeverinë.

Buletini Ekonomik ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës për premtimet elektorale të Qeverisë aktuale në pushtet që përfshinin pesëfishimin e numrit të inspektorëve, përmirësimin e kushteve në punë dhe rishikimin e kornizës ligjore për të drejtat e punëtorëve dhe sigurinë në punë, mirëpo edhe pas insistimeve të shumta, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Sidoqoftë, ky premtim elektoral i bartur më pas edhe në planin qeverisës 2021-2025, deri më tani nuk është realizuar dhe nuk është parë ndonjë reflektim pozitiv në drejtim të realizimit të këtyre premtimeve.

Ndërkohë, edhe Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), pas raportimeve të shumta për vdekjet në vendin e punës gjatë muajit gusht, ka reaguar duke thënë se duhet një zbatim më i fortë i ligjit të punës në vend, dhe se duhet t’u hiqet leja e punës të gjitha kompanive që nuk u sigurojnë kushte për punë punëtorëve.

Gjithashtu, KMDLNj me këtë rast ka kërkuar nga institucionet kompetente që dënimet në të holla të jenë shumë më të larta dhe nga ato mjete të grumbulluara – të krijohet një Fond për ata që e pësojnë dhe familjet e tyre.

“Inspektorati i Punës në Kosovë nuk ka kapacitet t’i mbulojë të gjitha vendpunimet për shkak se numri i inspektorëve është në shpërputhje të madhe me kërkesat për inspektim dhe pa asnjë dyshim duket se mungon vullneti institucional për përmirësimin e gjendjes”, thuhej në kumtesën e tyre.

Gjobat sipas ligjit deri në 35 mijë euro, në realitet deri në 5000

Siguria në punë në aspektin ligjor në Kosovë, rregullohet me dy ligje në fuqi: me Ligjin e Punës dhe me Ligjin për Shëndet dhe Siguri në Punë.

Sipas këtyre dy ligjeve, të gjithë punëdhënësit në Kosovë janë të obliguar që t’ua sigurojnë punëtorëve një ambient sa më të sigurtë për punë.

Gjobat për subjektet afariste që nuk i respektojnë këto ligje, dhe që cënojnë të drejtat e punëtorëve, sipas ligjit, variojnë nga 5,000 deri në 35,000 euro, përcjell Buletini Ekonomik. Por, në realitet, këto gjoba nuk figurojnë askund për asnjë rast.

Në bazë të të dhënave që kanë shpalosur për Buletinin Ekonomik nga Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovë, shihet se asnjë gjobë ndaj subjekteve afariste nga Inspektorati i Punës nuk kalon mbi 2000-5000 mijë euro, edhe pse punëtori ka mbetur i vdekur në ato raste të aksidenteve.

Ndërkaq, nga Inspektorati i Punës është dhënë vetëm numri i gjobave të shqiptuara, mirëpo jo edhe shifra e gjobave të shqiptuara në euro.

Ndryshe, shumica e punëtorëve në sektorin privat në Kosovë, punojnë pa kontrata, pa sigurim shëndetësor dhe pa sigurim jetësor. Ndërsa, paga mesatare në këtë sektor sillet prej 350 deri 400 euro, kurse veqanërisht në sektorin e ndërtimtarisë, paga mesatare është jo më shumë se 400-450 euro. /Buletini Ekonomik/

*I.K është emër fiktiv, me kërkesë të tij që të mos i zbulohet identiteti.

Shënim:

(Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diskriminim e mospërfshirje: Shkeljet ndaj punëtorëve në sektorë të ndryshëm në Kosovë”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Buletinit Ekonomik dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, ATRC-së ose BIRN KOSOVË.)