Preventiva e munguar për parandalimin e abuzimeve me çmime dhe me produkte të dyshimta

Fotografi ilustruese

Shumë tregtarë të vendit, duke u treguar “të padëgjueshëm” ndaj autoriteteve rreth zhvillimeve në sektorin e çmimeve në këtë periudhë, e thelluan anarkinë dhe kaosin, e bënë në shumë raste manipulative gjendjen në sektorin e çmimeve, edhe me rastet e uljeve të proklamuara dhe të promovuara nëpërmejt fletushkave dhe marketingut në mediet, sidomos në ato vizuelet, por edhe me praktikën e deritashme të tregtimit të shumë produkteve të skaduara. Çka tregon rasti i helmimit të mbi 200 qytetarëve në Malishevë?

Mehmet GJATA

Nga të dhënat që shpërfaqen në medien ndërkombëtare, por edhe në raporte të ndryshme statistikore të institucioneve prestigjioze të shumë shteteve, shihet qartë se sa rëndësi i përkushtojnë thuaja të gjitha shtetet e Europës, raporteve tregtare- klientelë (shitore, markete, supermarkete-konsumatorë). Në këtë kontekst, në shumicën e vendeve europiane vazhdojnë të kontrollohen deri në detaje ecuritë e çmimeve, ngritja e tyre, por edhe aksionet e uljes së çmimeve. E gjithë kjo bëhet për të evituar të gjitha dyshimet e mundshme për parregullësi, për keqpërdorime të rastit nga tregtarët, për të konstatuar se a janë uljet reale dhe në harmoni me promovimin paraprak të tyre dhe për të parandaluar tregtimin e produkteve të cilave u ka skaduar afati. Dhe, në këtë aspekt, masat e ndërmarra preventive, thuaja gjithmonë janë treguar të suksesshme dhe të efektshme. Ndërsa, arsyeja kryesore dhe vendimtare për këtë është treguar ndërmarrja e sanksioneve të ashpra ndaj keqpërdoruesve eventual.

Reklama e sponzorizuar

Duhet evidencuar edhe këtë fakt: Në mbarë botën, në periudhën e deritashme të këtij viti, sikundër qysh është paralajmëruar, kanë nisur të shënohen trende të prekshme të uljes së çmimeve të shumicës dërrmuese të produkteve (të energjisë elektrike, të disa produkteve elementare ushqimore, të patundshmërive dhe të shumë mallrave industriale). Në Kosovë, në këto dy-tre vjetët e fundit, më saktësisht që nga shpërfaqja e pandemisë Covid 19, e sidomos nga nisja e luftës ruso-ukrainase, për dallim nga bota, janë përherë evidente tendencat anarkike në fushën e çmimeve dhe ecuritë e çregulluara dhe jo normale në këtë sektor.

Në tregun e Kosovës, po kështu, për dallim nga shumë shtete të globit, edhe më tutje në gjithë këta muaj të 2023-tës, edhe sipas të dhënave zyrtare ( sipas ASK-së), evidentohen çmime të ngritura përtej logjikës së tregut dhe përtej fuqisë blerëse të kosovarëve të varfër (ndër më të varfërit në rajon dhe përtej).

Më konkretisht, në sektorin e çmimeve të Kosovës ka dominuar stihia, anarkia dhe kaosi. Praktikisht, tregtarët, shumë sish fare të pandërgjegjshëm, u dëshmuan se janë të paprekshëm dhe vepruan rreth ngritjes së çmimeve, siç iu tek atyre, edhe në raste krizash, edhe në raste të ditëve më të qeta në tregjet ndërkombëtare, por edhe në tregun e vendit. Disa nga tregtarët e fuqishëm dhe me produktet e tyre përcaktues evidentë të ecurive në tregun kosovar, shfrytëzuan edhe situatën politike të brishtë në vend, përqendrimin e vëmendjes së institucioneve dhe të subjekteve politike në gjendjen aktuale në veri të vendit. Atyre në këto rrethana nuk pati kush t’u dalë përpara.

Thjeshtë, shumë tregtarë kosovarë në muajt e apostrofuar, praktikisht nuk përfillën thirrjet e përfaqësuesve të shtetit për të respektuar ligjshmërinë e tregut (shteti praktikisht bëri vetëm apele, pa ndërmarrë ndonjë masë konkrete parandaluese), por edhe tendencat e uljes së çmimeve në botë.

Zyrtarët përgjegjës e autoritetet në krye të shumë dikastereve kompetente, edhe pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në vend (vendimi u mor më 15 qershor, pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe), pos thirrjeve për të mos ngritur çmimet dhe zotimeve se do t’i rrisin angazhimet në monitorimin e tregut, në mënyrë që të parandalohet rritja eventuale e çmimeve, nuk ndërmorën ndonjë veprim, që do të kishte ndikim real në ecuritë anarkike të çmimeve.

Në bazë të ecurive të çmimeve edhe në ditët e fundit, po shihet se janë fare të paefektshme premtimet nga Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, të deklaruara për medie se “kur ka çështje apo dukuri që kërkojnë fokus dhe angazhim më të madh, rritet numri i inspektimeve, punojmë me orar të zgjatur dhe jemi të angazhuar edhe gjatë ditëve të fundjavës”.

Totalisht jorezultativ ishte edhe deklarimi i ministrisë së Rozeta Hajdarit se “Inspektorati i Tregut do ta monitorojë tregun dhe në rast se konstatohet çfarëdo shkeljeje e dispozitave ligjore në fuqi, do të ndërmerren masa ndëshkuese”.

Përkundrazi, shumica e tregtarëve në Kosovë vazhduan me ngritje thuaja të përditshme enorme të çmimeve të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore. Por, tregtarët e pandërgjegjshëm të vendit, anarkinë dhe kaosin, duke u treguar të “padëgjueshëm” ndaj autoriteteve rreth zhvillimeve në sektorin e çmimeve në këtë periudhë, e thelluan, e bënë më kaotike dhe më manipulative, edhe me rastet e uljeve të proklamuara dhe të promovuara nëpërmjet fletushkave dhe marketingut në mediet, sidomos në ato vizuelet, por edhe me praktikën e deritashme të tregtimit të shumë produkteve të skaduara. Konsumatori i varfër kosovar, pos përballjes thuaja të përditshme me çmime të reja të ngritura për shumë produkte elementare, po përballet përditë edhe me “lojën” me çmime, që bëjnë tregtarët, sidomos në rrjetet e marketeve dhe supermarketeve të mëdha, brenda për brenda hapësirave tregtare.

Sipas zyrtarëve të MINT, rastet më të shpeshta të keqpërdorimit evidentohen te mospërputhjet e çmimeve raft-arkë dhe shpalljes publike (reklamës) dhe çmimeve në arkë, të tregtimit të produkteve me afat të skaduar, dhe mosdhënies së kuponit fiskal me rastin e shit-blerjes.

Këto ditë, reporteri i Buletinit Ekonomik ishte dëshmitar në hapësirat e një supermarketi, pjesë e rrjetit të njohur të supermarketeve në vend, kur dhjetëra konsumatorë, të indinjuar, por edhe të revoltuar kthenin akulloret, të ashtuquajtura familjare (sasi më e madhe e akullores e paketuar në enë plastike) të dyshimta. Sipas një shitësi, që kërkonte anonimitet absolut, ky produkt është ‘prishur’ si pasojë të ngrirjes dhe shkrirjes gjatë qëndrimit në depotë e supermarketit. Një tjetër supermarket, pokështu i një kompanie tregtare tashmë të madhe kosovare, po të njëjtën ditë kishte qitur në treg jogurtin, prodhim i njohur i vendit, me afat të skaduar në të njëtën ditë, kur afrohej me çmimin gjoja të ulur. Dhe, këto zhgënjime të konsumatorëve kosovarë janë bërë shumë të shpeshta, thuaja të përditshme. Ata, duke bërë përpjekje për ta gjetur ndonjë çmim paksa më të lirë dhe i ndikuar e nxitur nga propagandimi i pa reshtur dhe nëpërmjet shpalljeve publike, shumë shpesh po përjetojnë zhgënjime të mëdha me rastin e pagesave në arkë.

Me fjalë të tjera, çmimet e vendosura në ‘fletushkat” reklamuese për ulje çmimesh, në shumë raste nuk përputhen me çmimin e vërtetë që blerësi detyrohet ta paguajë në arkën e marketit. Mashtrimi i konsumatorëve me çmimet bëhet edhe në mënyra të tjera. Tashmë janë të informuar edhe inspeksioni për këto mashtrime tregtarësh. Në shumë markete të mëdha, në shtandet e produkteve qenësore ushqimore, janë vendosur njoftime se gjoja sasia e produktit me çmim të liruar “është e limituar”, prandaj edhe produket numerikisht të kufizuara për blerësit. Dhe, konsumatori i stërvobekt i Kosovës, i joshur dhe i nxitur nga kjo propagandë e tregtarëve mashtrues, në jo pak raste është detyruar të futet në borxhe financiare për të siguruar, edhe në këto kushte, një litër vaj, disa kilogramë miell dhe ndonjë produkt të shpallur si “i limituar”.

Konsumatori i varfër kosovar, pra, për dallim nga bota, pos përballjes thuaja të përditshme me çmime të reja të ngritura për shumë produkte elementare, po përballet përditë edhe me “lojën” me çmime, që bëjnë tregtarët, sidomos në rrjetet e marketeve dhe supermarketeve të mëdha, brenda për brenda hapësirave tregtare.

Dyshimi se mbi 200 qytetarë janë helmuar nga ushqimet që kanë konsumuar në një lokal të ushqimeve të shpejta në Malishevë, është një rast tjetër tronditës dhe shqetësues i mungesës së kontrollit të autoriteteve dhe zyrtarëve kompetentë. Më kot fare arsyetohej pas paraqitjeve të rasteve të para Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë se “kreu inspektimet ku edhe mbylli përkohësisht lokalin” dhe se AUV ka vepruar në kohë dhe ka qëndruar në vendngjarje gjatë gjithë kohës”.

S’ka vepruar hiç me kohë AUV-i dhe as që ka qëndruar në vendngjarje kur është dashur ta bëjë këtë. Po të veprohej me kohë, në asnjë mënyrë nuk do të ndodhte helmimi, sepse do të ndaloheshin produktet e diskutueshme dhe të dyshimta dhe parregullsitë e tjera në lokalin e Malishevës. Dëmi është shkaktuar, dhe siç del nga intervistat e zhvilluara me pronarin e lokalit dhe punonjësit mbi procesin e punës, ka shumë gjasë shkaku të del të jetë furnizimi me produkte diskutabile si lëndë e parë.

Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti janë shqiptuar 57 gjoba (asnjëra nën 1 mijë euro, kanë njoftuar për medie nga MINT) për mospërputhje të çmimeve raft-arkë. Ndërsa, gjatë tërë vitit 2022, sipas të dhënave të MINT, janë shqiptuar gjithsej 92 gjoba për mospërputhje të çmimeve raft/arkë. Por, numrin e gjobave të shqiptuara për këtë abuzim e konsiderojnë të ulët nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve. Dihet, në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, në rast se gjendet ndonjë parregullësi gjatë monitorimit, gjobat sillen nga 1.000 deri në 4.000 euro. Deri sot, në asnjë rast nuk është bërë publike ndonjë sanksion në lartësi të këtyre parave, pavarësisht se edhe nga Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës kishin pohuar për medien se, pas rrethanave të krijuara, “do të fokusohen te kontrollet e çmimeve të produkteve bazë – miellit, grurit, vajit, sheqerit, qumështit”.

Ankesat e kësaj natyre, siç tregon MINT, dërgohen te Inspektorati i Tregut, duke shpjeguar se fatura e produktit duhet ruajtur nga konsumatori, duke e vlerësuar atë si “dëshminë më të mirë”. Është bërë kohë e gjatë qëkur ecuritë e çregulluara dhe jo normale në sektorin e çmimeve në Kosovë (ngritjen jo logjike dhe pa asnjë bazë ligjore dhe keqpërdorimet e lartëpërmendura brenda marketeve), po vazhdojnë pa ndërprerje në Kosovë. Në anën tjetër, praktikisht, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, po dëshmohen të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme të “lojërave” me çmime të shumë tregtarëve, pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale.

Nuk pati ndonjë efekt në parandalimin e abuzimeve me çmime as nga premtimet e panumërta të dhëna publikisht të autoriteteve më të larta të vendit për ndërmarrjen e masave ndaj shtrenjtimit të produkteve esenciale. Inspektimet e bëra nga inpektorët në nivel vendi, thjesht kanë qenë fare të pakta dhe kanë efekt minimal karrshi rasteve të keqpërdorimit të çmimeve që vazhdojnë të ndodhin në Republikën tonë. /Buletini Ekonomik/