Kompania koreanojugore prodhuese e baterive, LG Energy Solution, paralajmëroi sot për një ngadalësim të rritjes së të ardhurave në vitin 2024, për shkak të paqartësive ekonomike në botë, të cilat ndikojnë në perspektivat e shitjes së makinave elektrike.
Lajmi solli si pasojë rënien e aksioneve të saj me thuajse 9%.
Kompania i bashkohet një numri në rritje shtëpish automobilistike dhe furnitorëve që shprehin kujdes në lidhje me kërkesën për makina elektrike, duke iu frikësuar normave të larta të interesit, të cilat rrisin kostot e financimit, dhe rritja e dobët në ekonomitë kryesore si Kinë dhe Europë do të ndikojë te blerësit e makinave.
“Kërkesa për makina elektrike vitin e ardhshëm mund të jetë më e ulët se pritshmëritë” – deklaroi Lee Chang-sil, drejtues financiar i LGES, në një konferencë për shtyp, duke cituar këta faktorë dhe faktin që shtëpitë automobilistike po ndryshojnë strategjitë e tyre në lidhje me makinat elektrike.
LGES, që furnizon Tesla, General Motors dhe shtëpi të tjera automobilistike, deklaroi se rritja e të ardhurave në vitin 2024 nuk do të jetë kaq e lartë sa norma mesatare prej 30% e parashikuar për këtë vit.
Kim Gyunghoon, zëvendëspresident i LGES, deklaroi se rimëkëmbja e kërkesës nga prodhuesit europianë ka të ngjarë të vonohet nga prezantimi i makinave elektrike më ekonomike nga rivalët kinezë në rajon.
Për të reduktuar në minimum kostot, LGES po redukton prodhimin në fabrikën e saj në Poloni, shtoi Kim.
Në Shtetet e Bashkuara, General Motors, partneri i saj në sipërmarrjen e përbashkët në një fabrikë për bateri në Ohio dhe në dy të tjera në ndërtim, deklaroi të martën se po ngadalëson prodhimin e modeleve të ndryshme të makinave elektrike për të shkurtuar kostot dhe po redukton shpenzimet për prodhuesit e makinave elektrike, duke vendosur fitimet përpara objektivave të shitjes.
Lee deklaroi se kompania po monitoron nga afër grevat në United Auto Workers (UAW) në Shtetet e Bashkuara kundër klientëve të saj GM, Ford dhe shtëpisë mëmë të Chrysler, Stellantis, pasi rritja e pagave mund të ketë ndikim të madh tek operacionet dhe fitimet e shtëpive automobilistike.
UAW po negocion pagat e ardhshme dhe politikat e sindikatave për sipërmarrjet e përbashkëta të fabrikës së baterive të Detroit Three në SHBA, edhe pse Lee deklaroi se fitimet e LGES nuk do të pësojnë ndikim të fortë, falë kontratave të transferimit të kostove.
Aksionet e LGES u mbyllën me 8.7% në nivelin më të ulët në gati 15 muaj.
Kang Dong-jin, analist në Hyundai Motor Securities, deklaroi se aksionet e LGES kishin rënë përpara njoftimit të fitimeve, si pasojë e lajmeve negative nga GM, por ranë më tej gjatë njoftimit të fitimeve për shkak të perspektivës më të dobët. /Reuters/