Qeveria ndan mjete buxhetore për të subvencionuar ndërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së enjtes ka aprovuar vendimin për ndarjen buxhetore për të subvencionuar ndërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë.

Kryeministri Albin Kurti para kabinetit qeveritar tha se projekti ka filluar tri vite më parë nga ish-Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se një pjesë e madhe e shtëpive që kishin nisur të ndërtoheshin kanë mbetur në gjysmë.

Reklama e sponzorizuar

“Për shkak të problemeve që ka pasur qysh në dizajn të projektit dhe pastaj në mbarëvajtje të punëve, është ndërprerë dhe kemi një situatë të trashëguar e kësisoj një pjesë e madhe e këtyre shtëpive të cilat kanë nisur të ndërtohen kanë mbetur në gjysmë”.

“Në mënyrë që të mundësohet përfundimi i punëve, ne kemi marrë parasysh nevojën për të mbështetur pjesën e mbetur që ka qenë e paraparë me kontratë në mënyrë që familjet të kenë mundësi që t’i kryejnë vet këto investime me mbështetjen e Qeverisë”, u shpreh Murati.