Ish-drejtoresha e KEK-ut: Po të kishte politika të mirëfillta energjetike, s’do të kishim krizë

Ish-drejtoresha e Korporatës Energjetike të Kosovës, Pranvera Dobruna-Kryeziu, ka folur për krizën energjetike, në të cilën po kalon vendi javëve të fundit.

Dobruna-Kryeziu, e ftuar në radio Klan FM, thotë se pas rritjes së çmimeve të rrymës, rënies së një blloku dhe mungesës së energjisë, ishte e nevojshme që të ketë reduktime, njofton Klankosova.tv.

“Kriza energjetike na erdhi pak më vonë, duke iu falënderuar blloqeve tona që kanë punuar dhe nuk e kemi ndier atë krizë. Në momentin kur një bllok ka rënë, atëherë përjetuam jo vetëm krizën financiare, për shkak të ngritjes së çmimeve të rrymës, por edhe mungesën e energjisë. Prandaj ishte e nevojshme që të ketë reduktime”.

Reklama e sponzorizuar

“Mirëpo, kjo ka qenë gjëja më e keqe pasi është dashur të gjendet një tjetër zgjidhje, në mënyrë që qytetarët të mos e ndiejnë mungesën e energjisë. Posaçërisht gjatë festave të fundvitit”, tha Dobruna-Kryeziu.

Ish-drejtoresha e KEK-ut vlerëson se po të kishte politika të mirëfillta energjetike nuk do të kishim krizë.

“Kam thënë se kemi krizë të politikave energjetike, pasi politikat janë afatgjata dhe gjatë kësaj kohe ka pasur lëshime të shumta, prandaj jemi në këtë gjendje, pasi nëse ka politika të mirëfillta, nuk vijmë deri te kriza energjetike”.