Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar dje në Berlin se Shqipëria synon të jetë eksportuese neto e energjisë brenda vitit 2030 dhe në funksion të këtij objektivi ka ndërmarrë një proces tërësor diversifikimi.
Rama ishte i ftuar sot në “Berlin Global Dialogue”, Gjermani, një forum i ri ndërkombëtar që bashkon liderët nga politika dhe biznesi për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për një ekonomi globale në tranzicion.
Duke folur për energjinë, Rama tha se Shqipëria ka ndërmarrë një proces mjaft tërësor diversifikimi.
“Ne, nga njëra anë jemi të bekuar, sepse kemi qenë një vend mjaft i izoluar dhe ky ka qenë mallkim, por ajo çfarë trashëguam ishte praktikisht një mjedis ku kemi energji të përtëritshme 100 %. Po, kjo ka dhe mallkimin e vet, se kur Zoti nuk derdh lot për njëfarë kohe, ne vuajmë nga mungesa e ujit për të prodhuar energjinë dhe duhet të dalim në treg e goditemi nga çmime shumë të larta. Kjo është arsyeja pse kemi ndërmarrë një proces mjaft tërësor diversifikimi”, theksoi ai.
Në këtë drejtim, Kryeministri solli në vëmendje faktin se po ndërtohen dy parqet më të mëdha fotovoltaike të rajonit.
“Tanimë po hyjmë edhe në energjinë e erës. Bazuar në planin tonë, dhe po kështu me një pjesë të gazit të lëngët natyror dhe disa transformimeve që po ndërmarrim në këtë drejtim, Shqipëria ende nuk ka gazin si burim të ekonomisë së vetë, sepse siç e thashë, jemi tërësisht të shkëputur nga pjesa tjetër. Kemi qenë të vetëm, por planifikojmë që të jemi eksportues neto të energjisë brenda 2030.”
Rama tha se “duke i shtuar kësaj kemi dhe zbulimin potencial të jashtëzakonshëm që po presim nga SHELL-i, për një burim të jashtëzakonshëm në breg, brenda tokës, për naftë dhe gaz dhe kjo përbën potencial për vendin që të shndërrohet në një qendër të vërtetë energjetike në Ballkanin Perëndimor”.
I pyetur mbi prodhimi e hidrogjenit, Rama tha se “është pjesë e strategjisë”.
“Është në një të ardhme, nuk është diçka që mund ta nisim tani, siç kemi nisur me burimet e tjera, por absolutisht është pjesë e të ardhmes së afërt dhe strategjisë tonë. E kjo është arsyeja pse ne gjithmonë falënderojmë fatin që jemi në këtë cep të botës, sepse edhe një herë, Bashkimi Europian është kyç për dijen e tij. Është kyç për atë çka ne mund të mësojmë prej tij, qoftë drejtpërdrejtë me Bashkimin Europian, apo mbi baza dypalëshe me Gjermaninë apo aleatë të tjerë, të cilët mund të na ofrojnë, siç kanë bërë gjatë tërë kohës, njohuri shumë të rëndësishme, të cilat, në të kundërt, nuk mund t’i shpikim”, shtoi ai.
/ata.gov.al