Shtyrjet e pasosura të regjistrimit të popullsisë në Kosovë

Kur iu mvesh faji pandemisë dhe proceseve zgjedhore, zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) këmbëngulnin se ata “janë fare të gatshëm’ dhe se me kohë kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme” dhe se vetëm “po presin” përcaktimin e datës (afatit) për t’ia filluar këtij procesi. Tani numërojnë një varg sfidash, që sipas tyre, duhet shtyrë edhe më tej ky proces i rëndësishëm për zhvillimet në vend dhe që tregojnë se në ASK, praktikisht nuk kanë qenë të gatshëm dhe të përgatitur për regjistrim. Pse ASK-ja po akuzon Ministrinë e Financave?

Mehmet GJATA

Sa lehtësisht shtyhen afatet e nisjes dhe të realizimit të proceseve të rëndësishme që determinojnë kahet zhvillimore, por edhe politike në vend, tregon më së miri shtyrja e vazhdueshme, për të satën herë që nga 2021-ta, e procesit të regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Fillimisht, shtyrja e regjistrimit më 2021 u bë fare lehtësisht me arsyetimin e ekzistimit të pandemisë, por edhe të zgjedhjeve. Më 2022 u gjetë shkaku tjetër, e që nga kompetentët (ASK-ja dhe ministritë përkatëse) apostrofohej si shkak mungesa e Ligjit për regjistrimin, ndërsa tani kur ky ligj është miratuar goxha moti, janë gjetur një numër shkaqesh të reja, sidomos nga ASK-ja, për të mos e nisur regjistrimin as më 1 nëntor të sivjetshëm, kur ishte caktuar si afat, pas disa herë shtyrjeve që nga viti 2021.

Nga njohësit e rrethanave, pas miratimit në Kuvend të Ligjit për regjistrimin e popullsisë u mendua se më në fund janë shtuar ndjeshëm shanset dhe mundësitë që Procesi i regjistrimit të popullsisë, i planifikuar të mbahet më 2021, saktësisht 10 vjet pas regjistrimit të fundit të bërë në Kosovë, të mbahet më 2022 dhe pastaj kur dështoi edhe ky afat, së fundi të realizohej sivjet, më 2023, pra.

Kur iu mvesh faji pandemisë dhe proceseve zgjedhore, zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) këmbëngulnin se ata “janë fare të gatshëm” dhe se “me kohë kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme” dhe se vetëm “po presin përcaktimin e datës (afatit)” për t’ia filluar këtij procesi.

Sipas zyrtarëve të ASK-së, regjistrimi u shty me rekomandime të asociacionave kompetente ndërkombëtare, siç është Eurostati, për shkak të përhapjes së pandemisë edhe në vendin tonë, por edhe për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre lokale, të cilat ishin të parapara të mbahen po në këtë vit.

“Rëndom, kur ka kauza të rëndësishme, sikundër janë zgjedhjet, por edhe në rastet siç ndodhi me pandeminë, as nga ekspertë, as nga institucionet kompetente vendore, por edhe ndërkombëtare nuk preferohet të mbahet regjistrimi i popullsisë” i thanë Buletinit Ekonomik zyrtarët e ASK-së.

Në këtë mënyrë vjet me një konsensus, qoftë të heshtur, qoftë edhe të bërë publik, ndërmjet Qeverisë dhe ASK-së u shty procesi i regjistrimit dhe u mendua për t’u mbajtur sivjet, më 2022. Ndërkohë, shtyrjen e regjistrimit të popullsisë më 2021, e patën kontestuar ekspertët dhe njohësit e zhvillimeve demokrafike në vend.

Sipas demografëve, vonesa e regjistrimit të popullsisë ka ndikim te të gjitha planet dhe planifikimet e institucioneve shtetërore. Së pari ka ndikim te buxheti, sepse numri i popullsisë sipas komunave ndikon në përcaktimin e grantit financiar qeveritar për nevojat e komunave të Kosovës. Në Kosovë, për shkak të tendencave të ditura për migrim të madh të popullsisë, një regjistrim i pavonuar më – do të sqaronte dhe saktësonte shumë numrin e kosovarëve që kanë ikur nga Kosova që nga viti 2011, gjegjësisht do të ishte referencë e pakonstestueshme për demografë, politikanë dhe zyrtarë kompetentë për përcjelljen e lëvizjeve të popullsisë.

Në anën tjetër, në Agjencinë e Statistikave të Kosovës pa shpjeguar shumë detaje kanë thënë më herët për Buletinin Ekonomik se ASK-ja ka bërë përgatitjet e nevojshme dhe pas caktimit të datës, do të fuqizohen grupet punuese me staf tjetër nga institucioni dhe nga jashtë tij. Po kështu, sipas zyrtarëve të ASK-së, edhe në aspektin teknik janë përgatitur të gjitha instrumentet e nevojshme, sado që në përgjigjet me shkrim për interesimin e Buletinit Ekonomik, zyrtarët e ASK-së nuk kanë specifikuar konkretisht se cilat janë përgatitjet që i ka përfunduar në tërësi stafi i ASK-së dhe çka ka mbetur në kuadër të përgatitjeve për t’u bërë ende!

“ASK-ka ka bërë planet, dokumentet dhe ka përgatitur strategjinë e komunikimit është përgatitur dhe do të përdoren të gjitha instrumentet e nevojshme për një komunikim të mirëfilltë”, kishte thënë, me këtë rast për Buletinin Ekonomik, Avni Kastrati, drejtori i atëhershëm i Departamentit të Statistikave Sociale/Popullsisë.

Ndërsa, këto ditë dhe sot, drejtues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë duke numëruar një varg arsyesh përse kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sërish të shtyhet regjistrimi i popullsisë për vitin tjetër. Më konkretisht, zëvëndëskryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha thekson se vonesa e procedurave të prokurimit për blerjen e tabletëve, mosrekrutimi i regjistruesve dhe mbikëqyrësve dhe mundësia e bojkotit të regjistrimit nga komuniteti serb në pjesën veriore të vendit, janë disa nga sfidat që Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk mund të fillojë regjistrimin e popullsisë më 1 nëntor siç ishte paraparë.

Përveç kësaj, shqetësuese mbetet edhe mungesa e aplikantëve për pozitat e mbikëqyrësve në procesin e regjistrimit të popullsisë. Përkundër që më 2023 ishte shtyrë ky proces së paku për dy muaj, ky institucion ka bërë kërkesë tek Qeveria e Kosovës që të shtyhet sërish afati. Madje, zyrtari i lartë i ASK-së (zëvendëskryeshefi) ka gjetur tashmë dhe ka emëruar fajtorin, që sipas tij, është Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për vonesën e hapjes së konkursit për regjistrues dhe mbikëqyrës.

“Për shkak të procedurave të prokurimit, Agjencia Qendrore e Prokurimit nuk ka arritur të sigurojë me kohë tabletët e nevojshëm. Ajo që ishte kontraktuar në shtator të ishin prezent tabletët (tani në bazë të njoftimeve në medie janë siguruar tabletët) dhe që sipas planit të aktiviteteve të zhvillohen të gjitha procedurat, duke filluar nga instalimi i gjitha aplikacioneve në këta tabletë, pastaj të bëhet një test pilot dhe të fillojnë trajnimet para datës 1 nëntor. Ne me fillim të tetorit dërguam kërkesë zyrtare tek kryeministri për një rishikim të datës përsëri për shkak se jemi vonë me këto aktivitete që ndërlidhen me mungesë të tabletëve dhe me mosrekrutimin e 3500 regjistrueseve dhe rreth 900 mbikëqyrëseve, kushtëzojnë patjetër që të shtyhet regjistrimi i popullsisë”, ka deklaruar së fundi për medie Berisha, duke bërë me dije se “kanë propozuar që procesi i regjistrimit të fillojë nga viti tjetër dhe në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare për motin”.

Tani sipas zyrtarit të ASK-së, po del se Agjencia e Statistikave të Kosovës, nuk paska qenë fare e gatshme deri tash ta nisë regjistrimin. Sipas tij, ende nuk janë formuar komisionet për rekrutimin e mbikëqyrësve dhe regjistrueseve, kjo për shkak që Ministria e Financave nuk ka bërë vlerësimin e tyre ende”. Berisha, tani edhe pse është në krye të një institucioni që ka detyrë dhe mision shërbimin për këtë vend ( mbledhjen e statistikave), në paraqitjet pablike nuk ngurron të numrojë edhe sfidat politike që po kushtëuakan prolongimin e mëtejshëm të këtij procesi.

“Sfidë tjetër, mbetet edhe mundësia e bojkotit të regjistrimit nga komuniteti serb pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore”, thotë ai, sikur në këtë vend nuk paska kush tjetër të përcaktojë sfidat politike që pengojnë realizimin e regjistrimit.

Sidoqoftë, tani Qeveria e Kosovës pritet që sërish të merr vendim për shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë në vend, i përcaktuar me vendimin e fundit që të nisë më 1 nëntor dhe të zgjasë deri më 15 dhjetor. Në ASK, madje nuk shohin ndonjë problem të theksuar, në rast të shtyrjes eventuale edhe për një vit tjetër të procesit të regjistrimit.

“Në aspektin statistikor, shtyrja për një kohë të caktuar nuk paraqet pengesë të madhe në aktivitetet e tjera, por shumë e rëndësishme është që Regjistrimi të jetë cilësor (kualitativ) dhe të përfshihet e gjithë popullsia”, kishte thënë për Buletinin Ekonomik ish –udhëheqësi i ASK-së.

Rreth risive eventuale që do ta karakterizonin regjistrimin e pritshëm dhe që do ta veçonin nga regjistrimi paraprak, ose ndryshimit eventual të metodologjisë tradicionale, në ASK kanë shpjeguar se “regjistrimi pritet të bëhet, duke i grumbulluar të dhënat drejtpërdrejt/direkt nga anëtarët e ekonomive familjare përmes tabletave”.

Sipas zyrtarëve, regjistrimi pritet të zgjasë 1 muaj në terren, ndërsa pritet të angazhohen rreth 3500 regjistrues dhe rreth 700 mbikëqyrës. Ndërsa, për shkak të metodës së grumbullimit me tabletë, të dhënat paraprake dhe finale do të publikohen shumë më herët se ato nga viti 2011, kanë thënë zyrtarë të ASK-së.

Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, siç i kanë thënë Buletinit Ekonomik zyrtarët e këtij institucioni, stafi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës është fare i gatshëm që ta realizojë regjistrimin edhe gjatë këtij viti, po qe se rekomandohet nga institucionet ligjvënse dhe ekzekutive të vendit. Planifikimi i regjistrimit tashmë është kyer, plani i aktiviteteve të pritshme është në proces, ndërsa po punohet edhe për ta përgatitur sa më mirë edhe fushatën senzibilizuese.

Regjistrimi i popullisisë më 2011 ka zgjatur 2 javë, hiq disa komuna që për shkak të vështirësive konkrete, kjo kohë është zgjatur në një muaj. Tani, regjistrimi i radhës planifikohet të zgjatë 1 muaj, sado që ka ndryshuar goxha shumë metodologjia e regjistrimit. Edhe në regjistrimin e pritshëm do të aplikohet metodologjia tradicionale-derë më derë. Por, tani në vend të pyetësorëve me letër siç ishte bërë me 2011-tën, do të aplikohen pyetësorë elektronikë. Secili regjistrues do ta ketë tabletin e vet për regjistrim dhe secili regjistrues monitorohet nga qendra monitoruese në ASK (GIS).

Pos mbledhjes së të dhënave, në këtë regjistrim risi do të jenë edhe hartat digjitale të qarqeve regjistruese. Regjistrimi i radhës do të jetë i fokusuar në regjistrimin e popullsisë, ekonomive familiare dhe të banesave. Ndërsa, regjistrimi i zhvillimeve në bujqësi do të jetë më i gjithanshëm dhe më detajist në regjistrimin enkas për bujqësinë e Kosovës, që planifikohet të mbahet pas publikimit të të dhënave nga regjistrimi i popullisë.

Kostoja e përgjithshme e regjistrimit është llogaritur të jetë 11,5 – 12 milionë euro, apo rreth 6.5 euro për person. ASK-ja duhet insistuar për këtë, e ka edhe detyrë dhe përgjegjësi për t’i realizuar regjistrimet e popullsisë në çdo 10 vjeçar, ndërsa institucionet shtetërore duhet ta kërkojnë dhe ta përkrahin gjithanshëm procesin e regjistrimit, duke insistuar që të mbahet domosdo sa më shpejt që të jetë e mundur, madje edhe gjatë këtij viti. Pse, fundja, të shtyhet edhe më tej ky proces aq i rëndësishëm për vendin? /Buletini Ekonomik/