“Termokos” fillon matjen në bazë të konsumit, sezona e parë fazë testuese

Kryeshefi ekzekutiv i “Termokos”, Fisnik Osmani ka njoftuar se sezona ngrohëse 2023/2024 do të jetë fazë testuese e metodës së faturimit sipas konsumit.

Osmani ka pohuar se në takimin që kanë pasur me kryesuesin e Bordit të Drejtorëve të NP “Termokos”, Visar Vokrri, dhe anëtaren e Bordit Vesa Kelmendi, kanë diskutuar modalitetet për fillimin e fazës testuese për metodën e re të faturimit sipas konsumit, transmeton Telegrafi.

“Në këtë takim janë shqyrtuar rekomandimet e ekspertëve dhe mbikëqyrësve të pavarur sa i përket kalimit nga metoda e faturimit sipas sipërfaqes ngrohëse në metodën e re sipas konsumit. Instalimi i njehsorëve, alokatorëve të ngrohjes, termokokave dhe valvolave balancuese tek 15 mijë konsumatorë të ndërmarrjes, në kuadër të projektit “Prishtina Heat Save” i ka hapur rrugë transformimit të metodës së faturimit”, deklaroi ai.

Reklama e sponzorizuar

Osmani tutje shton se “Bazuar në rekomandimet e eksperteve, ju informojmë se sezona ngrohëse 2023/2024 do të jetë fazë testuese e metodës së faturimit sipas konsumit”.

Ai tutje ka theksua se kjo fazë do t’u mundësojë NP “Termokos” dhe ZRRE-së, që të realizojnë të gjitha analizat teknike, financiare dhe softuerike për të mundësuar një tranzicon sa më të sigurt në metodën e re të faturimit.

“Ndërkohë, kjo fazë testuese do të shoqërohet edhe me një fushatë vetëdijesimi dhe informimi për mënyrat e përdorimit të pajisjeve të instaluara dhe mundësinë e kontrollimit të shpenzimeve të tyre për ngrohje”, thotë mes tjerash ai.

NP “Termokos” apelon tek të gjithë konsumatorët për bashkëpunim të ngushtë, që duke përcjellë rekomandimet për përdorimin e këtyre pajisjeve të fillojnë kontrollimin e shpenzimeve të tyre për ngrohje, gjë që do të ndihmojë realizimin e plotë të kësaj faze testuese dhe kalimin nga metoda e faturimit sipas sipërfaqes ngrohëse në metodën e re sipas konsumit./Telegrafi/