Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka njoftuar të enjten se qytetarët që furnizohen nga Liqeni akumulues i Badocit, ende nuk mund ta përdorin ujin për pije.
Uji që përpunohet nga Liqeni i Badocit nuk mund të përdoret për pije prej 19 tetorit, për shkak të sasisë së madhe të detektuar të elementit kimik mangan.
Ekspertët e ujërave kanë thënë ditë më parë se vlerat e shtuara të manganit në ujin e Liqenit të Badocit janë pasojë e faktorëve natyrorë dhe njerëzorë.
Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mangani është një element esencial për shumë gjallesa, përfshirë këtu edhe njerëzit.
Por, “efekte të padëshirueshme në shëndetin e njerëzve mund të shkaktohen nga marrja e pamjaftueshme ose ekspozimi i tepërt [ndaj manganit]”.
Megjithatë, IKSHPK-ja ka njoftuar se uji mund të përdoret për pastrim, për mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit.
Sipas një njoftimi për media, instituti është duke kryer çdo ditë analiza fiziko-kimike të ujit për t’i kontrolluar vlerat.
Për dallim prej ujit të Badocit, qytetarët që furnizohen me ujë prej Liqenit të Batllavës dhe Ujmanit mund ta përdorim ujin pa asnjë kufizim.
Nga fabrika e ujit në Liqenin e Badocit furnizohen qytetarët e pjesës më të madhe të Prishtinës dhe të komunave dhe fshatrave përreth./REL