Të dhëna të trishtueshme të varfërisë në Kosovë

Mehmet Gjata

Nuk ka dëshmi më të fortë për vobektësinë reale të kosovarëve se sa e dhëna se “16 për qind të ekonomive familjare jetojnë nën nivelin e varfërisë”, që i bie se 16 për qind të ekonomive familjare në Kosovë gjallojnë vetëm me 1.85 euro në ditë. Çka flasin statistikat e shumta dhe të dhëna të tjera për varfërinë në Kosovë?

Mehmet GJATA

Varfëria në Kosovë po thellohet, edhe në përmasa alarmuese. Nuk ka dëshmi më të fortë për vobektësinë reale të kosovarëve se sa e dhëna se “16 për qind të ekonomive familjare jetojnë nën nivelin e varfërisë”, që i bie se 16 për qind të ekonomive familjare kosovare gjallojnë vetëm me 1.85 euro në ditë.

Këto janë të dhëna nga raporti i fundit i UNDP-së, ku konstatohet se tashmë “nevojat bazike të qytetarëve janë rritur, ndërkohë që të hyrat për familje janë përafërsisht të njëjta”, që thënë ndryshe “nevojat elementare për familje, ato të shportës familjare, me këto të hyra nuk po arrijnë të përmbushen”. Fundja, çka mund të blehet sot në Kosovë me 1,85 euro?

Fakte të shumta të tjera flasin për varfërinë në republikën tonë. Sipas të dhënave statistikore, në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 21 mijë e 127 familje me gjithsej 83 mijë 811 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 3 mijë e 54 familje.

Reklama e sponzorizuar

Në të gjitha komunat e Kosovës statistikat e varfërisë janë shokuese, por komuna e Mitrovicës vazhdon të jetë komuna me më së shumti familje nën asistencë sociale. Në muajin prill nga kjo komunë janë evidentuar 2 mijë e 76 familje nën asistencë sociale, ani se ka një rënie të lehtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Sipas statistikave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, nga skema e pensioneve bazike të moshës janë 143 mijë 522 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 48 mijë e 625 përfitues; nga skema për veteranët e luftës janë 36 mijë e 780 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 18 mijë e 94 përfitues. Të gjitha këto kategori janë potencialisht varfanjakë, po qe se nuk kanë ndonjë ndihmë nga familjarët (fëmijët, apo ndonjë i afërm tjetër).

Sipas të gjitha të dhënave të publikuara nga institucione dhe asociacione të ndryshme, njerëzit më të goditur dhe që po e përjetojnë tash e një kohë të gjatë “në lëkurën e tyre” varfërinë e madhe të Kosovës janë pensionistët, afro 200 mijë veta, bashkarisht pensionistët me pension të pleqërisë që në Kosovë ka vite është i kornizuarr në 100 euro në muaj, dhe pensionistët që gëzojnë pensione në bazë të kontributëdhënies, pensioni i të cilëve sillet nga më pak se 200 deri në 265 euro maksimalisht).

Pensionisti kosovar, nëse nuk ka ndihmë tjetër, qoftë nga familja e ngushtë apo farefisi, nuk ka mundësi ta përmbyllë muajin në asnjë mënyrë me të ardhurat nga pensioni i tij. Nuk ka mundësi të ushqehet asesi si duhet, nuk ka mundësi të blejë barnat e domosdoshme, nuk ka mundësi të pijë një kafe me kolegët, ndërsa për ndonjë pushim eventual as që mund të bëhet fjalë. Me 100 euro pension (numri dërmues i pensionistëve në Kosovë janë të kategorisë së të moshuarve, siç shihet nga shifra e sipërshënuar), thjesht nuk ia del, nuk ka asnjë mundësi të plotësojë as nevojat elementare.

Por, varfëria në Kosovë ka prekur edhe njerëz të tjerë, të kategorive të ndryshme si dhe ekonomi familjare të shumta numerikisht. Përfaqësues të UNDP-së kanë treguar për medien se të gjeturat kryesore nga një anketë e realizuar në korrik të këtij viti, ku janë përfshirë 1.500 ekonomi familjare, kanë dëshmuar se përkundër faktit se të hyrat ekonomike nuk janë rritur në vitet e fundit, shpenzimet për nevoja bazike janë rritur shumë. Bie fjala, në vitin 2021, te shpenzimet në ushqim, 38 për qind të ekonomive familjare i kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për ushqim, ndërkohë që në vitin 2023 ky numër i familjeve ekonomike që kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për nevoja ushqimore është rritur në 59.5 për qind.

Rezultatet nga anketa kanë treguar se 20 për qind e ekonomive familjare janë më të varfra në vitin 2023 nëse i krahasojmë me dy vitet e mëparshme, ndërsa e dhënë e trishtueshme është se 16 për qind të ekonomive familjare jetojnë nën nivelin e varfërisë, respektivisht në varfëri ekstreme, ose vetëm me 1.85 euro në ditë.

S’do mend se në këto të dhëna të frikshme të varfërisë, ndikim të madh ka pasur ngritja e vazhdueshme e egër e çmimeve, sidomos të produkteve esenciale ushqimore. Një informacion i dalë nga BQK-ja, më saktësisht nga një raport i kupolës bankare në Kosovë për muajin korrik 2023, që flet për rritjen e kredive nga mikrofinancat saktëson se 63 për qind e këtyre kredive janë për ekonomitë familiare, që është edhe një fakt bindës për varfërimin e Kosovës, për mospasjen e shumë kosovarëve financa të domosdoshme (parasë minimale) për ta përmbyllur muajin dhe për rënien e fuqisë së tyre blerëse.

“Kreditë ndaj ekonomive familjare në korrik 2023 përfaqësojnë 63 për qind të gjithsej kredive të sektorit mikrofinanciar”, theksohet saktësisht në këtë raport. Ndërsa, dihet se kush dhe çka vlerësohet kredi familjare. Këtë kreditim, sidomos te institucionet mikrofinanciare, të shquara në Kosovë për kamata të larta enorme, ose që barazohen me interesat e fajdexhinjëve ilegalë në shumë raste, e kërkojnë shtresa më e varfër e qytetarëve të këtij vendi. E kërkojnë ata, që nuk kanë rrugëdalje tjetër për ta siguruar në të shumtën ushqimin e domosdoshëm brenda një muaji dhe të detyruar nga kriza financiare dhe kërkesat e familjes për t’u ushqyer, detyrohen të paraqiten te institucionet mikrofinanciare.

Dhe në bazë të këtyre të dhënave të BQK-së, të tillët janë shtuar shumë dhe numri i tyre është bërë tronditës, shqetësues dhe frikësues. Sepse, të përfaqësohen 63 për qind të gjithsej kredive (qoftë edhe në sektorin e mikrofinancave) vetëm kreditë ndaj ekonomive familjare, vështirë të mund të gjesh në ndonjë vend paksa më normal kudo në botë, ndërsa në Europë jo se jo, në asnjë mënyrë. Kjo shifër në përqindje – e kredive për ekonomitë familjare, ose për kreditë e varfanjakëve është edhe një indikator plus që tregon fare qartë se Kosova po varfërohet me ritëm të përshpejtuar dhe trendi i thellimit të vobektësisë së popullsisë shumicë, vetëm sa thellohet.

Kosova, siç u njoftua kohë më parë nga mediet, është renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shteti më i varfër i Evropës më 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi.

Të ardhurat për kokë banori, sipas FMN-së, në Kosovën e renditur e fundit në Evropë, në këtë vit janë saktësisht 15.6 mijë dollarë ndërkombëtar, Shqipëria – që FMN-ja në Pasqyrën Ekonomike Globale 2023, e ka ranguar të parafundit për nga varfëria, ka 19 mijë dollarë ndërkombëtar për frymë, ndërsa ndër shtetet e rajonit, të vlerësuara thuaja të gjitha ende të varfëra nga FMN-ja, pasojnë: Bosnjë e Hercegovina me 19.6 mijë dollarë ndërkombëtar, Maqedonia e Veriut 21.1 mijë, Serbia me 25.4 dhe në krye të rajonit vijon të qëndrojë Mali i Zi, me 27.6 mijë dollarë ndërkombëtar.

Ndërsa për të pasur një pasqyrë më të përafërt të domethënies së këtyre shifrave në varfërinë e një shteti, duhet bërë të ditur se mesatarja e Europës është gati 50 mijë dollarë ndërkombëtar për kokë banori. Edhe treguesi tjetër direkt i përcaktimit të varfërisë së një vendi, ai i Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, të cilin Kosova në këtë vit e ka 5.600 dollarë, e rendit të fundit Kosovën, ndërsa Shqipërinë me 7 mijë dollarë, si të parafundit. Dhe, ç’është më keq, parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar shtrihen deri në vitin 2028, ku sërish si Kosova ashtu dhe Shqipëria, vlerësohet se do të vijojnë të mbeten më të varfërat e Europës. Dhe, njohësit e rrethanave, ekspertët, analistët, por edhe mediet, nuk e kanë fare të qartë se çka pastaj, a do të zbuten në vitet pas 2028-tës përmasat tronditëse të varfërisë, a do të ketë më pak të varfër numerikisht, kategori të ndryshme varfanjakësh që presin vazhdimisht dorën e ndihmës së shtetit, apo çfarë…Por, dihet se e gjithë kjo mbetet të shihet në vitet në vazhdim. /Buletini Ekonomik/