Në tregun e ndërtimeve në Kosovë ndodhi zhvillimi i parashikuar dhe i pritshëm

Tregu i vlerësuar si unik dhe kompleks i ndërtimeve në Republikën tonë, që asnjëherë nuk përfilli ligjet e tregut (atë të ofertës dhe të kërkesës), tani pas rënies së shitblerjes së banesave më 2022 (në bazë të të dhënave të ASK-së), kushtimisht do të detyrohet në një mënyrë apo tjetër, t’i rikthehet ligjeve të tregut, ose të krijojë stoqe të pafundta të numrit të banesave që presin blerës, ose nga mosqarkullimi i mjeteve të bllokuara në stoqe, të falimentojnë shumë e shumë kompani ndërtimesh dhe sosh shërbimesh që kryejnë shumë punë në ndërtimtarinë e Kosovës.

Mehmet GJATA

Rënia e shitblerjes së banesave më 2022 në Kosovë, është një sinjal dhe indikator se më në fund në tregun e ndërtimeve (shitblerjen e banesave dhe të shtëpive) në vendin tonë, ka ndodhur zhvillimi i pritshëm, ndodhi parashikimi i ripërsëritur i ekspertëve dhe njohësve të mirë të tregtimit të paluajtshmërive te ne se “nuk do të vonojë dita kur edhe në Kosovë, si në mbarë botën, ose do të ulen çmimet, ose do të bie trendi i derivonshëm i shitjes së shumtë të banesave.

Ndodhi pra, sinjali i parë se funksionimi i stërgjatë, mbi 2 dekada i tregut unik dhe të veçantë të ndërtimeve në vend, ku praktikisht ligji i tregut që është ndër ligjet bazë dhe më të rëndësishme në kapitalizëm, ishte inekzistent dhe se më në fund, edhe ky treg do t’I kthehet me dashje, apo pa dashje, rregullave të domosdoshme të ofertës dhe të kërkesës.

Reklama e sponzorizuar

Me fjalë të tjera, tregu i vlerësuar si unik dhe kompleks i ndërtimeve në Republikën tonë, që asnjëherë nuk përfilli ligjet e tregut (atë të ofertës dhe të kërkesës), tani, kushtimisht do të detyrohet në një mënyrë apo tjetër, ta bëjë këtë, ose të krijojë stoqe të pafundta të numrit të banesave që presin blerës, ose-ose nga mosqarkullimi i mjeteve të bllokuara në stoqe, të falimentojnë shumë e shumë kompani ndërtimesh dhe sosh shërbimesh që kryejnë shumë punë në ndërimtarinë e Kosovës. Ky është fakt. Dhe për këtë fakt, flasin të dhënat statistikore se më 2022, shitja dhe blerja e banesave në Kosovë ka shënuar rënie.

Krahasimi i shifrave mes vitit 2022 dhe 2021, sipas të dhënave së Statistikave të Kosovës, të cilat i ka publikuar edhe instituti GAP, nxjerrë në pah se numri i shitblerjeve të banesave ka pasur një rënie, dhe më 2022 të jetë më i ulët se në vitin 2022.

Vetëm në Prishtinë gjatë 2022-s pati 2 mijë e 576 shitblerje, përderisa një vit më herët pati 2 mijë e 799 sosh. Në Prizren gjatë vitit 2022 kishte 272 shitblerje, përderisa më 2021 kishte më shumë se 100% më shumë.

Rënie evidente të shitblerjes së banesave sipas ASK-së më 2022 janë shënuar edhe në Ferizaj, në Gjakovë, në Mitrovicë dhe në Gjilan, ndërsa vetëm në Pejë – tregu i shtitblerjeve të banesave ka shënuar rritje.

Sipas ndërtimtarëve, shkaqet e rënies së shitblerjeve të banesave duhet kërkuar të ngopja e klienteles me blerjen e shtëpive, e sidomos të klientelës potente nga diaspora, e cila tashmë numerikisht nuk është e vogël që ka siguruar në vitet e mëhershme banesa në vendlindje (Diaspora e Kosovës, sipas BQK-së, zë vendin e parë sa u përket investimeve të huaja, që bëhen kryesisht në patundshmëri).

Diaspora, tashmë paratë e kursyera, dhe ato nga fitimet, ose po i ruan në banka e në shtëpi, ose janë në kërkim të gjetjës së ndonjë pozicioni më atraktiv dhe fitimprurës për paranë e tyre.

Përfaqësues të ndërtimtarëve, që nuk duan të bëjnë publik identitetin e tyre, një faj jo të vogël për rënien e tregtimit të banesave në Kosovë ua adresojnë edhe bankave komerciale të këtushme, përkatësisht politikës restriktive të tyre kreditorëve, sidomos të shprehur në rritjen e kamatave gjatë tërë vitit 2022 dhe në muajt e deritashëm të 2023-tës.

Një nga ndërtimtarët e njohur, që e kërkon anonimitetin, i ka thënë këto ditë Buletinit Ekonomik, se aktualisht konditat për të blerë banesë në Kosovë nuk janë më të favorshmet, madje ato janë vështirësuar shumë me rënien e fuqisë blerëse të kosovarëve, me mungesën e parasë kesh, por edhe me ashpërsimin e kushteve të kredimarrjës nga bankat komerciale që operojnë në vend (rritjes së kamatave për kredi dhe ashpërsimi i kritereve për ta siguruar një kredi). Megjithatë, sipas tij, po ndërtohet jo pak, por edhe nuk është se nuk ka shitje.

“Jo si më parë, gjithsesi, por, po të mos kishte shitblerje të banesave edhe në këtë periudhë, nuk do të kishte ndërtime kaq të shumta”, thotë ai.

S’do mend se rënia e shitblerjeve te pronave është edhe pasojë e rënies së fuqisë blerëse (ndikimi i rritjes së çmimeve tek qytetarët) dhe krizës së likuiditetit. Por, ndër faktorët përcaktues të rënies nuk duhet lënë anash as çmimet e ngrtitura tejmase të banesave në Kosovë në vitet pas pandemisë dhe sidomos pas fillimit të luftës ruso-ukrainase.

Në tregun kosovar të banesave në Kosovë, pra, edhe çmimi, i cili përkundër rënies së tij në pjesën dërrmuese të vendeve të botës, ose po mbahet goxha konstant me muaj të tërë, ose po ngritet ndjeshëm në disa qendra komunale.

Në Kosovë, vazhdon të ketë shumë ofertë (numër enorm të madh të banesave në shitje), si rrjedhojë e ndërtimeve me ritëm të vrullshëm pas pandemisë COVID19, por njëkohësisht vazhdojnë të mbretërojnë çmime të larta, sidomos krahasuar me gjendjen financiare të kosovarëve dhe fuqisë të kufuzuar blerëse të tyre.

Në të gjitha qendrat e komunave të Kosovës (thuajse në të gjitha tash e sa vite ndërtohet me ritëm të lartë, diku më shumë e diku më pak), nuk ka rënie fare të çmimeve të banesave. Por, në disa sosh ka lëvizje të ngritjes së çmimeve.

Si gjithnjë, prinë Prishtina edhe për nga oferta edhe për nga çmimet e larta. Këto ditë, në Prishtinë, më konkretisht në lagjet me ndërtim të përshpejtuar agresivisht, siç është aktualisht lagjja Velania dhe përballë të tërë përgjatësisë së Varrezave të dëshmorëve të Prishtinës, një metër katror i një banese kushton 1,500 euro. Ky çmim, sipas disa banorëve të këtushëm, që tashmë kanë lëshuar trojet dhe shtëpitë e tyre për ndërtim të banesave, është standardizuar, sikundër që është standardizuar çmimi i një garazhi prej 20 mijë eurosh.

Edhe në lagjet e tjera, ku vazhdon ndërtimi intenziv në kryeqytet, siç janë rruga B dhe C, që dikur konsideroheshin si periferi, tani një metër katror i një banese kushton sikundër edhe në Velani-1,500 euro.

Ndërkaq, për koston e banesave në qendër dhe në afërsi të saj, në Prishtinë, dihet, se ku ku kanë arritur çmimet e banesave. Këto ditë, ato kanë shkuar edhe në 3,500-4,000 euro metri katror në qendër dhe në lagjet e vjetra prishtinase siç është shembull Ulpiana e Dardania, ku metrin katror të një banese vështirë që mund ta gjesh nën 2,500 dhe 3,000 euro.

Çmimet janë të ngjashme edhe në Prizren, ndërsa pak më të ulëta janë në qytetet tjera, si: Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan dhe Pejë. Për krahasim, një metër katror i një banese në Fushë Kosovë – gjashtë kilometra larg Prishtinës – ka arritur në 650 euro e më shumë në mars të vitit 2022, nga 500 sa ka qenë vitin paraprak. Çmimi atje vazhdon të jetë i njëjtë, por në raste ka arritur edhe në 700 euro metri katror.

Këto ecuri të tregut të banesave në Kosovë i bëjnë më të komplikuara parashikimet dhe vizionet për të ardhmen e ecurive të çmimeve në tregun e banesave në Kosovë. Prandaj, sipas njohësve të zhvillimeve në këtë treg, asgjë nuk është e sigurtë për zhvillimet në vitet në vijim.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në një raport të publikuar në muajin gusht të vitit të kaluar, ka parashikuar se sektori i ndërtimit dhe i patundshmërive do të përballet me probleme financiare, për shkak të rritjes së kostove të produkteve dhe lëvizjes së çmimeve. Çdo gjë në sektorin e ndërtimeve në vend lëviz shpejtë dhe nuk ka ndonjë standard që do të vlente në parashikimin e ecurive në këtë sektor. Mbase edhe të dhënat për çmimet konkrete të banesave në Kosovë, të mbledhura gjatë javës nëpër agjencitë e tregtimit të paluajtshmërive, por edhe ndër ndërtimtarët, shpejt bëhen të vjetëruara, dhe jo shumë të vlefshme për trajtimin e temës së këtij sektori. Por, gjithsesi rënia e shitblerjeve të banesave më 2022, siç ka evidentuar ASK-ja, është një sinjal goxha indikativ se edhe në këtë treg më në fund do të vlejnë ligjet e tregut. /Buletini Ekonomik/