Bitcoin ngjitet në mbi 37,000 USD

Bitcoin (BTC) është rritur ndjeshëm në sesionin e sotëm, duke kaluar kufirin e 37,000 dollarëve për herë të parë që nga maji i vitit 2022. Të dhënat tregojnë se rreth 50 milionë dollarë në likuidime ndodhën në një periudhë 4-orëshe gjatë sesionit aziatik, që çoi në çmime më të larta.

Rritja në tregun e kriptomonedhave është mbështetur edhe nga raportimet se Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve në SHBA (SEC) ka filluar bisedimet me kompaninë e manaxhimit të fondeve Grayscale, për të krijuar një fond të tregtuar me shkëmbim në bitcoin (ETF).

“Grayscale Bitcoin Trust”, një produkt i rregulluar që mban miliarda dollarë në bitcoin, mund të jetë në rrugën e duhur për t’u konvertuar në një ETF spot, që pritet gjerësisht të jetë një moment historik dhe mund të lehtësojë rrugën e investitorëve të përditshëm drejt investimit në kripto.

Reklama e sponzorizuar

Miratimi i një ose më shumë aplikacioneve ETF pritet me padurim nga sektori. Grayscale ka qenë në kontakt me Divizionin e Tregtisë dhe Tregjeve pranë Komisionit dhe me Divizionin e Financave Korporative që kur fitoi betejën gjyqësore.

Njëkohësisht, edhe analistët e Bloomberg Intelligence dyfishuan pritshmëritë për miratimin e një fondi të tregtuar me shkëmbim në bitcoin (ETF) në SHBA, duke përsëritur një shans prej 90% për një lançim në janar të vitit të ardhshëm.

Ndryshe nga ciklet e mëparshme të lulëzimit, këtë herë Bitcoin pati një rrugë me përparime graduale, të ndërthurura me qetësi dhe paqëndrueshmëri të ulët. Për të arritur këtu, bitcoin duhej të kapërcente shtrëngimin më të madh monetar nga Rezerva Federale në katër dekada, së bashku me rregulloret gjithnjë e më të rrepta të industrisë.

Gjithmonë e më shumë, bitcoin po fiton statusin e një mburoje ndaj inflacionit, një strehë ndaj krizës bankare në SHBA në mars dhe së fundmi janë shtuar spekulimet se do të miratohen edhe fondet e tregtuara në këmbim nga Komisioni i Letrave me Vlerë në SHBA./Scan tv/