Buxheti për vitin 2024, ku do të shkojnë mbi 3 miliardë euro?

Gazeta Express ka siguruar Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024, që u miratua të martën nga Qeveria. Më poshtë gjeni një përmbledhje të projekteve të reja që janë paraparë me këtë buxhet.

Të martën, Qeveria Kurti ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2024. Projekt-buxheti që kap vlerën 3 miliardë e 314 milionë euro, do t’i dërgohet për votim së shpejti Kuvendit të Kosovës. Por, ku e për çka do të shkojnë këto mjete?

Sipas projekt-buxhetit që ka siguruar Gazeta Express, nga kjo shumë, 805 milionë e 389 mijë e 668 euro janë paraparë për paga dhe shtesa, 484 milionë e 741 mijë euro do të shkojnë për mallra dhe shpenzime, 34 milionë e 185 mijë e 862 euro për shpenzime komunale, 1 miliard e 62 milionë e 315 mijë e 550 euro për subvencione dhe transfere, 859 milionë e 176 mijë e 429 euro për shpenzime kapitale, 10 milionë e 204 mijë e 408 euro për rezerva, derisa 46 milionë e 309 mijë e 284 euro është interesi.

Reklama e sponzorizuar

Shumica e investimeve kapitale të parapara me buxhetin për vitin 2024, janë projekte të bartura nga vitet paraprake.

Një prej projekteve të reja që është paraparë me këtë buxhet është ndërtimi dhe renovimi i Kampit “Belvedere” në Mitrovicë, apo siç njihet zyrtarisht Qendra e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës “Enver Zymberi”. Për këtë projekt janë ndarë 1 milion euro për vitin 2024. Punimet në të pritet të fillojnë në janar të vitit 2024, e të përfundojnë në dhjetor të vitit 2026. Kostoja totale e projektit është 4 milionë euro.

Tek investimet kapitale të nivelit qendror, është edhe projekti për ndërtimin i çerdheve modulare në 7 regjionet e Kosovës, Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Prizren dhe Gjakovë. Për vitin 2024, janë ndarë 3.2 milionë euro për këtë projekt, derisa në total pritet të kushtojë 10 milionë e 745 mijë euro.

Në projekt-buxhetin për vitin 2024, është përfshirë edhe ndërtimi i Sallës Koncertale në Prishtinë, për të cilin projekt janë ndarë 850 mijë euro.  Ky projekt pritet të nis nga janari i vitit 2024 dhe të përfundojë në nëntor të po të njëjtit vit.

Ndërtimi i shtratit të lumit Llap, është projekt tjetër i ri, për të cilin janë ndarë 1 milionë euro dhe pritet të fillojë në shkurt të 2024. Ky projekt në total parashihet të kushtojë 5 milionë dhe pritet të përfundojë me 2026.

Projekt i ri është edhe rregullimi dhe rehabilitimi i Pellgut Drini i Bardhë. Për këtë janë ndarë 950 mijë euro për vitin 2024, derisa në total pritet të kushtojë 2 milionë e 950 mijë euro.

Me këtë projekt-buxhet, Qeveria ka paraparë edhe renovimin e shtëpisë së Adem Demaçit. Për vitin 2024, janë ndarë 50 mijë euro për këtë qëllim, e që në total pritet të kushtojë 100 mijë euro.

100 mijë euro janë ndarë për renovimin e ndërtesës së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në total, renovimi i këtij objekti pritet të kushtojë 500 mijë euro. Janë ndarë edhe 500 mijë euro për blerjen e veturave për këtë ministri.

Investime kapitale do të bëhen edhe në Qendrën e Paraburgimit të Gjilanit, sipas marrëveshjes me Danimarkën, për dhënien në shfrytëzim të qelive.

Për vitin 2024, janë ndarë 1 milion e 400 mijë euro për renovimin e objekteve të kësaj qendre, sipas rekomandimeve të shtetit danez. Ky projekt në total pritet të kushtojë 2.4 milionë euro. 600 mijë euro janë ndarë për furnizimin dhe instalimin me pajisje për ngritjen e sistemit të sigurisë, si dhe 750 mijë euro për funksionalizimin dhe instalimin me pajisje të IT në këtë qendër, sipas rekomandimeve të shtetit danez.

Me projekt-buxhetin e vitit 2024, Qeveria ka paraparë edhe ndërtimin e Qendrës së Paraburgimit dhe Qendrës Korrektuese në Prizren, për çka ka ndarë 450 mijë euro. 450 mijë euro tjera janë paraparë për ndërtimin e Institucionit Korrektues për Femra në Lipjan. Kostoja totale e këtij projekti pritet të jetë 7 milionë e 200 mijë euro.

Tek projektet kapitale është paraparë edhe renovimin e kulmit dhe rikonkstruksionit të hapësirave të brendshme në objektin  Institutit të Mjekësisë Ligjore, për çka janë ndarë 120 mijë euro.

300 mijë euro janë ndarë për ndërtimin e objektit të Depos Qendrore të Barnave.

140 mijë euro janë paraparë për blerjen e shtatë veturave për Zyrën Kombëtarë të Auditimit, ndërkohë 720 mijë euro janë ndarë për projektin për teknologji të numërimit në Qendra Komunale të Numërimit dhe Qendrën e Numërimit të Rezultatave.

Me këtë projekt-buxhet, 75 mijë euro parashihen për qendrat e monitorimit me kamera të sigurisë në gjykata, dhe 150 mijë euro për dixhitalizimin e arkivave në gjykatat e vendit.

Tek rehabilitimi i rrugëve, pothuajse të gjitha janë projekte të bartura nga vitet paraprake. Për zgjerimin e dhe rehabilitimin e rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, projekt që ka nisur nga viti 2010, janë bartur 2.5 milionë nga 2023’ta, për rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë, e nisur poashtu nga 2010, janë bartur 17 milionë, derisa për atë Prishtinë-Podujevë, 13 milionë euro. 10 milionë janë bartur për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, që ka kosto totale 34 milionë.

As tek autostradat nuk ka ndonjë projekt të ri. Përmendet vetëm rruga nacionale Prishtinë-Gjilan-Konqul, e nisur nga viti 2017, që pritet të përfundojë në vitin 2026. Për këtë projekt janë bartur 17 milionë euro nga viti 2023. Vlera totale e këtij projekti parashihet të jetë rreth 129 milionë euro.

Për ndërtimin e shtëpive në pjesën veriore të Kosovës, projekt i nisur në vitin 2022, janë bartur 1 milionë, derisa për programin e banimit social 14 milionë e 250 mijë euro.

Për shpronësimet e nisura nga viti 2008, janë bartur 20 milionë euro.

Vërejtjet e opozitës për projekt-buxhetin

Nga opozita kanë kritika për projektbuxhetin. Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i ka thënë Gazetës Express se problem madhor i buxhetit është përkeqësimi i strukturës së buxhetit.

Ai ka thënë se është e pakuptimtë të thuhet se ka pasur rritje të lartë ekonomike, kur buxheti për skema sociale po rritet vazhdimisht. Hoti ka përmendur edhe rënien e investimeve kapitale.

“Investimet kapitale kanë rënë në nivele shumë të ulëta, si në planifikim, ashtu edhe në realizim. E në anën tjetër, buxheti për skema sociale po rritet vazhdimisht, që është e pakuptimtë nëse thuhet se ka pasur rritje të lartë ekonomike. Rritja ekonomike duhet të zvogëlojë numrin e familjeve dhe personave në nevojë, dhe rrjedhimisht duhet të ulen shpenzimet për skema sociale”, ka deklaruar Hoti.

Projekt-buxhetin për vitin 2024, Hoti ka thënë se do ta analizojnë gjatë ditëve në vijim, derisa buxhetet e Qeverisë Kurti i quan “dokumente abstrakte të padobishme”, meqë thotë se projektet s’po realizohen.

“Pavarësisht se mund të parashihen projekte në buxhet, ato nuk po realizohen. Në tri vitet e fundit janë menaxhuar 8.63 miliardë euro, por nuk ka asnjë projekt madhor që mund të shihet dhe të shfrytëzohet nga qytetarët dhe bizneset. Nuk ka asnjë projekt madhor që së paku ka nisur të realizohet”, thotë Hoti.

Sa i përket buxhetit të komunave, Hoti thotë se problemi qëndron te shpërndarje e projekteve të ministrive nëpër komuna.Duke përmendur shpërndarjen e projekteve gjatë tri viteve të fundit, deputeti i LDK’së aludon se është bërë në baza partiake.

“Grantet e ndara ndarë për komuna bëhen sipas formulës të ligjit të buxhetit. Problemi tek buxheti i komunave lidhet me shpërndarjen e projekteve të ministrive nëpër komuna. Përvoja në këto tri vitet të qeverisjes së koalicionit VV-Guxo nuk është e mirë. Vitin e kaluar, gjysma e projekteve të reja të futura në buxhet kanë shkuar vetëm për komuna që ‘rastësisë’ të qeverisen nga VV-Guxo.”, ka deklaruar Hoti.

Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, i ka thënë Gazetës Express se ky buxhet nuk i kontribuon zhvillimit ekonomik dhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve, prandaj nuk do ta votojnë.

“Buxhetin për vitin 2023 e kemi marrë sot, do ta analizojmë në detale dhe do të dalim me qëndrimin tonë. Nga ajo që kemi pas mundësi me analizu për këtë kohë të shkurtër, ky buxhet nuk është buxhet që i kontribuon zhvillimit ekonomik, nuk ndikon në rritjen e mirëqenies së qytetarëve, prandaj ne nuk do ta votojmë”, ka deklaruar Musliu.

Musliu vlerëson se ky buxhet nuk ka ndonjë efekt në ekonomi.

“Ky buxhet është tërësisht shpenzues pa ndonjë efekt në ekonomi. 72% e buxhetit është planifikuar të shpenzohet për shpenzime rrjedhëse, që nuk kanë ndonjë ndikim në zhvillimin ekonomik. 32% e buxhetit është planifikuar të shpenzohet për subvencione dhe transfere, ku qeveria Kurti vazhdon me i mashtru qytetarët me sadakavitra në vend se me i rritë pagat dhe qytetarët me jetu dinjitetshëm me pagën e tyre. Për paga e mëditje janë parparë 24% nga shpenzimet e tërsishme, rritja e koeficientit nga 105 në 110 nuk ka kurrfarë efekti në pagën e të punësuarve në këtë rrethana të rritjes enorme të inflacionit. 16% shpenzimeve të buxhetit do të shkojnë për luksin e qeveritarëve për mallra dhe shërbime. Vetëm 25.9% janë paraparë mjete ku përfitojnë qytetarët, për investime kapitale përfshi edhe klauzolën e investimeve”, thotë Musliu.

Lidhur me mjetet e ndara për investime kapitale, Musliu thotë se vetëm 49 milionë janë për projekte të tjera. Ajo e akuzon Kurtin edhe për manipulime me shifra.

“Nuk ka ndonjë risi krahasuar me vitet e kaluara. Nga 858 milion euro të planifikuara në vitin 2024 për investime kapitale, vetëm 49 milionë janë projekte të reja. Të gjitha projektet tjera janë projekte të bartura nga viti 2023 dhe vitet tjera. Çka është më e keqja ka manipulu me shifra në buxhet duke paraqitur % të rritjes së buxhetit nëpër sektor që nuk qëndrojnë”, ka deklaruar Musliu.

E për mjetet e ndara për komunat, Musliu thotë se edhe në këtë buxhet, sa i përket projekteve të ndara nga ministritë, janë favorizuar komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Buxheti për komuna ndahet sipas formulës së ligjit për buxhetin e komunave. Problemi qëndron te ndarja e projekteve të ministrive nëpër komuna. Nga ajo që shohim në këtë projekt buxhet, trendi i planifikimit është i njejtë me tri vitet paraprake ku projektet e ndara nga ministritë kanë shkuar kryesisht në komuna ku qeverisë VV. 30,83% e investimeve kapitale të buxhetit të vitit 2023 kanë shkuar në komunën e Gjilanit, 17,20% në komunën e Shtimes. E njëjta gja ka ndodhë edhe në buxhetin e vitit 2024”, thotë Musliu.

Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë vërejtje për projekt-buxhetin. Deputeti i AAK’së, Pal Lekaj, thotë se ky projekt-buxhet është bërë me direktiva të partisë.

“Në këtë Buxhet, mbizotëron më shumë strategjia e Qeverisë me direktiva të Partisë, ku janë lënë anash nevojat dhe kërkesat buxhetore të komunave, shoqërisë civile, institucioneve qendrore publike, sindikatave, njësiteve tjera buxhetore dhe propozimeve të partive opozitare”, thotë Lekaj për Express.

Lekaj ka akuzuar Qeverinë për mungesë bashkëpunimi në këtë drejtim.

“Projektligji i Buxhetit 2024 ende nuk ka ardhë në Kuvendin e Kosovës. Nëse nisemi nga ideja që buxheti duhet të jetë i të gjithëve, deri tani Qeveria Kurti nuk ka pasur frymë konsolidimi dhe bashkëpunimi në përpilimin e Buxhetit të shtetit të Kosovës”, thotë Lekaj.

Ai thotë se si deputetë do të japin propozimet e tyre, por shprehet i bindur se do të injorohen e refuzohen.

“Edhe pse Ligji i Buxhetit 2024 do të vjen në Kuvend, nuk po shpresojmë që do të kemi një konstruktivitet të pushtetit e shumicës në Kuvend përballë opozitës. Prapë amendamentet, propozimet dhe projektet në të mirë të qytetarëve që do të propozohen nga ne si Deputetë do të mbeten në sirtarët e Kuvendit, pasi do të injorohen e refuzohen!”, ka deklaruar Lekaj për Express.