Çfarë pasojash prodhon shtyrja e regjistrimit të popullsisë në Kosovë?

Sipas ekspertëve, vonesa e regjistrimit të popullsisë ka ndikim te të gjitha planet dhe planifikimet e institucioneve shtetërore dhe te shpërndarja në mënyrë efektive të të gjitha burimeve e në veçanti e buxhetit.

Buletini Ekonomik

Vlerësimet e shumta institucionale dhe të ekspertëve të ndryshëm flasin për pasoja jo të pakta të shtyrjes për disa herë me radhë, ose për rreth tre vjet të regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

Regjistimi i popullsisë në Kosovë, ky i radhës, i cili u shty disa herë deri më tash, siç dihet, do të duhej të zhvillohet që më 2021, saktësisht 10 vjet pas regjistrimit të fundit të bërë në Kosovë. Mirëpo, në vendin tonë, shtyrja e e procesit të regjistrimit më 2021, u bë fare lehtësisht me arsyetimin e ekzistimit të pandemisë, por edhe të zgjedhjeve.

Më pastaj ndodhen edhe disa prolongime afatesh të realizimit të këtij procesi kaq të rëndësishëm jo vetëm statistikor, ndërsa Qeveria e Kosovës në një nga mbledhjet e veta të fundvitit 2022, pati vendosur më në fund që regjistrimi të zhvillohet në vjeshtën e vitit 2023, përkatësisht nga 1 shtatori deri më 1 tetor të vitit që vjen.

Reklama e sponzorizuar

Kur, paraprakisht edhe ky afat u pa se do të dështojë dhe nuk do të respektohet as nga Qeveria, as nga ASK-ja, më 23 gusht 2023, kryeministri i vendit, Albin Kurti, njoftoi se regjistrimi i popullsisë së Kosovës do të fillojë nga data 1 nëntor 2023. Kurti në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur në gusht të këtij viti, kishte theksuar se “edhe pse përgatitjet ishin bërë, procesi po nis me dy muaj vonesë.

“Edhe pse përgatitjet ishin bërë, procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor 2023, pra dy muaj më vonë për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës që me vonesa të shkaktuara t’i planifikonte detajet. Regjistrimi popullsisë do të bëhet duke filluar nga data 1 nëntor”, kishte deklaruar ai.

Por, tani dihet, edhe ky afat ka dështuar, ndërsa regjistrimi i popullsisë në Kosovë, parashihet nga autoritetet për t’u realizuar në vitin 2024.

Shkaqet reale, por edhe të paqena për shtyrjen disa herë me radhë në këto tre vjet të regjistrimit si dhe hedhjes së fajit nga Qeveria të ASK-ja, dhe anasjelltas, Buletini Ekonomik i ka trajtuar tashmë në shumë raste.

Në këtë tekst, do të përqendrohemi te pasojat që prodhojnë këto shtyrje.

Sipas demografëve, vonesa e regjistrimit të popullsisë ka ndikim te të gjitha planet dhe planifikimet e institucioneve shtetërore. Së pari ka ndikim te buxheti, sepse numri i popullsisë sipas komunave ndikon në përcaktimin e grantit financiar qeveritar për nevojat e komunave të Kosovës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti duke kritikuar Qeverinë për shtyrjen e fillimit të procesit të regjistrimit të popullsisë, ka thënë se kjo shtyrje do të ketë pasoja të gjera ekonomike dhe sociale.

“Të gjitha të dhënat tregojnë se vonimi në regjistrimin e popullsisë do të ketë pasoja të gjëra ekonomike dhe sociale për vendin. E para që ndoshta është kryesorja dhe më e madhja, është shpërndarja në mënyrë efektive të të gjitha burimeve e në veçanti e buxhetit. Për shkolla, spital, infrastrukturë, shërbime publike në veçanti për komuna, sepse grantet që ne i shpërndajmë për komuna nga granti i përgjithshëm për arsim, e për shëndetësi, marrin për bazë edhe numrin e popullsisë dhe mungesa e regjistrimit të popullsisë do të nënkuptojë që edhe për dy vite të tjera nuk do të ketë të dhëna të sakta për ta shpërndarë buxhetin në mënyrë të duhur”, ka thënë Hoti.

Më tutje ai tha se edhe të dhënat që përdoren nga ASK-ja nuk janë të sakta, për shkak të mos nisjes së procesit për regjistrimin e popullsisë dhe me këtë rast ka përmendur edhe krahasimet ndërkombëtare për Kosovën.

“Do të pamundësohet krahasimi ndërkombëtar për Kosovën. Si mund të krahasohet nesër Kosova për të ardhurat për kokë banori dhe për të dhëna të tjera. Tani ne mund të bëjmë kurban njerëz siç po bënë Qeveria”, ka thënë ai.

Në Kosovë, për shkak të tendencave të ditura për migrim të madh të popullsisë, një regjistrim i përmbyllur, do të sqaronte dhe saktësonte shumë edhe numrin e kosovarëve që kanë ikur nga Kosova që nga viti 2011, gjegjësisht do të ishte referencë e pakonstestueshme për demografë, politikanë dhe zyrtarë kompetentë për përcjelljen e lëvizjeve të popullsisë.

Në Kosovë, sikundër në shumicën e vendeve të Ballkanit (Shqipëri, Mal të Zi, Kroaci dhe Serbi), regjistrimi i fundit i popullsisë është realizuar në vitin 2011. Sipas të dhënave të ASK-së të dala nga ky regjistrim, popullsia e përgjithshme rezidente e Kosovës në fund të vitit 2019, ka qenë 1.782,115 banorë.

Në regjistrimin e vitit 2011 nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë (Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut), pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.

Tanimë askush nuk e di se sa banorë saktësisht i ka Kosova, sa veta e kanë braktisur vendin në këto 12-13 vjet, sa është numri ii nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme të vendit e kështu me radhë.

Ekspertët mendojnë se edhe regjistrimi i zhvillimeve në bujqësi do të ishte më i gjithanshëm po të ishte realizuar regjistrimi. Aq mq parë, kur dihet fakti se më shumë detaje do të regjistrohen në regjistrimin enkas për bujqësinë e Kosovës, që planifikohej të mbahet pas publikimit të të dhënave nga regjistrimi i popullisë.

Edhe analisti i politikave në Institutin për Hulumtime të Avancuara – GAP, Agron Demi, në një status të vetin në Facebook e kishte kritikuar ekzekutivin për shtyrjen e datës së regjistrimit, nga 1 shtatori në 1 nëntor. Sipas tij, Qeveria është treguar jo-serioze në këtë proces dhe se nuk duhet t’i fajësojë të tjerët.

“Regjistrimi i 2011 ka qenë i pari në Kosovën e pasluftës dhe memorandumet me organizatat ndërkombëtare edhe kanë qenë të arsyeshme. Kjo Qeveri ka pas dy vjet e gjysmë kohë për t’u përgatitur, për t’i udhëhequr vetë procedurat e prokurimit pa pasë nevojë me lidhë marrëveshje me organizatat ndërkombëtare për me ia mbulua dështimet Qeverisë. Se sa seriozisht e ka kjo qeveri regjistrimin e popullsisë tregon edhe fakti që e kanë lënë ASK-në me ushtrues detyre të kryeshefit që nga fillimi i mandatit qeverisës”, ka thënë ai.

Sipas njohësve të këtij procesi, po të tregohej më serioz dhe më i angazhuar shteti i Kosovës për mbajtjen me kohë të regjistrimit, pa ndonjë vështirësi do të duhej tashmë të përfundonte kaherë ky proces. Ndërsa tani, mbetet të shihet a do të realizohet regjistrimi i popullsisë në Kosovë në vitin 2024. /Buletini Ekonomik/