Ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit për Ekonomi, ku në rend dite ishte shqyrtimi i ligjit për Fondin Sovran.
Kryetari i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, Ferat Shala tha se mbledhja nuk po mbahet sot për shkak të kërkesës së shumicës parlamentarë që e njëjta të shtyhet për një datë tjetër.
“Mbledhja nuk do të mbahet sot sepse shumica parlamentare ka kërkuar që mbledhja të shtyhet për një datë tjetër”, tha Shala.
Ai shtoi se kjo është një praktikë që shumica parlamentare po e përdorë për t’i ikur debatit për Fondin Sovran dhe ligjet e ndjeshme që po e prekin në substancë ekonominë e vendit tonë.
“Miratimi i ligjeve të tilla dhe amendamenteve pa u diskutuar në Komisionin për Ekonomi, veçanërisht ligji për Fondin Sovran lë shumë për të kuptuar që kemi të bëjmë me një ligj jo zhvillimor”, tha Shala para mediave.
Kujtojmë se partitë opozitare kanë paralajmëruar se në rast të miratimit të Projektligjit për Fondin Sovran, të njëjtin do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.